BOLL QITËM PETULLA N’UJË

Meqë themi se punët nuk na bëjnë, do të qe mirë sikur të mundim të zgjojmë në disa qarqe një jetë intelektuale, një rrojtje me ide të reja, një jetë mendore. Le të përpiqemi t’i prapsim pak shqiptarët nga jeta e kafenevet, t’i shtymë në studim dhe në merak për çdo send që i përket Shqipërisë dhe shqiptarizmës, se po që nuk zgjuam dot një kult, një adhurim për çdo send që i përket kombit dhe tokës sonë, nuk mund të kemi as shqiptarë, as Shqipëri.

Këtë na e thotë në Hyllin e Dritës (1922) njëri prej personaliteteve të elitës kulturore shqiptare Mid’hat Frashëri, që e shihte se Shqipëria nuk po bëhej shteti që e dëshën shqiptarët, mëmëdheu i idealeve rilindëse, atdheu i ëndrrave të shumë brezave që njomën tokën e të parëve me djersë e gjak martirësh…

Mjerisht, edhe pas 100 vitesh të plota, shqiptarëve të degdisur gjithandej siujdhesës ballkanike, u rrezikohet njësoj qenia nga vëllezërit e rremë, nga armiqtë e jashtëm, nga fqinjët nëpërka dhe pak më shumë nga vesi i të qenit rob i tjetrit, që nuk e lë të ngrejë kokën për të parë sa bie sahati.

Dhe është kështu, sepse nuk ia dolëm të zgjojmë një kult dhe një adhurim për një gjë të vetme, të ngremë në këmbë të shëndosha një institucion që do të trasojë udhën tonë nëpër shekujt që vijnë, të nderojmë një simbol të vetëm, një hero mendimi, një ambasador shpirti, një babë biologjik që i përket kombit dhe tokës sonë, sepse po humbim kurajon për të mundur rreziqet, duke rrezikuar kësisoj të humbasim pakthyeshëm edhe çdo merak të Shqiptarizmës.

Këtë situatë allçish e diagnostifikon edhe mendjendrituri Branko Merxhani, i cili në gazetën  Illyria (1935) thotë se: kemi trashëguar një të shkuar kaotike, po kalojmë një të tanishme kaotike, dhe po presim një të ardhme që paraqitet si një zero matematike – si një këngë vajtuese që e këndojmë të gjithë: SHIKO TË SHPËTOSH KOKËN TËNDE!

I kujt është vallë faji historik i dekadencës sonë, pyet Merxhani, duke na udhëzuar që të mos e lidhim shpresën për një lartësim kombëtar në koqetarinë e mrekullueshme të fatit tonë, që të jemi praktikë dhe aktivë dhe të mos biem në gjumë qetazi duke ia hedhur njëri-tjetrit përgjegjësinë e fatkeqësive që kemi patur në të shkuarën…, po të kërkojmë përgjegjësitë te vetvetja, duke flakur nga shpirti i kombit fatalizmin e tufave të njerëzve që rrojnë pa vlera morale, pa idele shoqërore dhe pa dëshira kombëtare, për të cilët: udhët e shpëtimit dhe përparimit tonë janë mbyllur përjetësisht.

Djalëria shqiptare, thotë ideologu i neoshqiptarizmës: duhet ta shtijë në mend të vërtetën e hidhur shqiptare, sepse hapin e parë të shpëtimit dhe të lartësimit, do ta hedhim kur do ta shohim e do ta përballim trimërisht të vërtetën – faqen e ashpër të realitetit që zotëron jetën tonë.

Kështu shprehen mendjet e ndritura në stinët e acarta, duke sfiduar të keqen me projekte konkrete, kurse ne: ideologët, mendimtarët dhe filozofët e mëdhenj të facebook-ut, në vend se t’i japim krahë jetës mendore dhe kurajos për gjetjen e vegzave të bashkimit të energjive që treten gjithandej, në vend të përpjekjes për shpëtim nga shpirti i robit dhe kthetrat e djallit…, jemi shkrirë në tufë fatalistësh pa dëshira kombëtare dhe si gjeldecat e fryrë të Fishtës: qesim petulla n’ujë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button