ITSHKSH: Shenjtorja shqiptare nga Shkupi, vlerë universale

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, shprehë urimet më të sinqerta me rastin e shenjtërimit të shqiptares nga Shkupi, Nënë Tereza.

“Pa dyshim, duke qenjë një vlerë universale e mbarë njerëzimit, tanimë Tereza e Shenjtë, radhitet ndër emrat më të mëdhenjë të botës, duke e nderuar Shkupin që e lindi dhe mbarë shqiptarinë”, thuhet në urimin e tyre.

Në vijë të kësaj mirënjohjeje, Instituti, në bashkëpunim me Shoqatën e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, Institutin Shqiptar në St. Galen të Zvicrës, Arkivin Shtetëror të Lucernit në Zvicër, Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar në Tiranë, Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Shoqatën Zvicër-Shqipëri, me rastin e ditëlindjes dhe në vigjilje të shenjtërimit të saj, më 26 gusht 2016, në Shkup u hap ekspozita me titull “Shenjtorja nga Shkupi-korrespondenca”.

“Në të për herë të parë, në mënyrë argumentuese dhe shkencore u vu në pah veçanërisht aspekti i saj identitar shqiptar, i cili fatkeqësisht shpeshherë është bërë cak i sulmeve nga diletantë të ndryshëm të historisë për arsye të tyre të ulëta dhe subjektive. Konsiderojmë se përmes kësaj ekspozite origjinale me dokumente e letërkëmbime, e cila ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm gjithandej, kemi arritur që sado pak botës t’ia ofrojmë një pasqyrë më reale të shenjtores tonë.  Kjo ekspozitë, e cila së pari u shfaq në vendlindjen e saj, Shkup, të mërkurën (7.9.2016) do të ekspozohet në Konsullatën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Nju Jork, dhe shumë shpejtë edhe në Prishtinë, Tiranë, Bazel dhe qendra të tjera të rëndësishme evropiane e botërore.  Vepra e Shën Terezës, le të jetë një udhërrëfyes i vazhdueshëm i solidaritetit, humanizmit, paqes dhe respektit të ndërsjellë në mes njerëzve të kombeve, feve e racave të ndryshme në botë”, thuhet në kumtesën e ITSHKSH-së .

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button