Lideri që na duhet sot

Liderët. Do t’i kisha ndarë në tre tipa. Në liderë trima, që dijnë cka duan dhe e kërkojnë këtë me ngulm dhe me kokëfortësi, shpeshherë duke përdorur tërë kredibilitetin dhe tërë energjinë e tyre për t’ia arritur qëllimit. Kanë një përqindje të mirë të suksesit në veprimet e tyre; liderë mediokër dhe qarramanë që fshehen sa herë që shfaqen problemet më të vogla, dhe që bëhen vegël e tipit të parë; dhe në liderë të tipit të tretë të cilët dijnë të luajnë lojën e prapaskenave dhe të përfitojnë cka kanë më të rëndësishme, mbi të gjitha oportunistë, pragmatikë dhe tepër intelegjentë. Kur flasim për terme politike, liderët e tipit të parë janë ata që i nevojiten një shoqërie në kohë krizash të mëdha, ku duhen njerëz të fuqishëm me qëndrime të fuqishme, që harxhohen tërësisht për një qëllim të caktuar dhe që shpeshherë fitojnë status të lartë historik. Yje të vërtetë të demagogjisë dhe ideologjisë. Por jo shqiptarëve të Maqedonisë, megjithëse është një krizë e tillë e madhe.

Liderët e tipit të dytë nga ana tjetër, nuk janë të mirë në asnjë situatë. Fatkeqësisht këto janë tipi më i rëndomtë. Te shqiptarët e Maqedonisë, gati të përhershëm dhe të përsëritshëm. Njerëz që nuk kanë kredibilitet personal, të privuar nga karizma dhe intelegjenca politike, por që përfitojnë nga rrethanat dhe nga mangësitë në guxim të të tjerëve për të marrë fotelen dhe primatin. Noli i quan kolltukofagë. Një gjë pozitive i karakterizon, dhe ai është guximi për të dalë të parët nga m*ti dhe për të thënë që janë më të mirët nga gjithë të tjerët m*ta që kanë mbetur nën bajga.

Të qenurit politikan apo udhëheqës partie nuk të bën lider. Mund të të bëjë sundimtar, por jo lider. Sundimtarë janë këta tanët dhe i ke të shumtë anembanë botës. Njerëz që krijojnë varësi nga pushteti dhe nga fuqia, saqë verbohen dhe mund të shpjejnë drejt humnerës popuj të tërë vetëm e vetëm për të realizuar ambicjet e veta. Por lideri është ndryshe. Lideri i një shoqërie duhet të jetë i vecantë . Të ndryshojë aq shumë nga bashkëkombasit e vet sa për të paraqitur shembull pozitiv për ta dhe për t’i udhëhequr, por në të njejtën kohë të ketë karakteristika të ngjashme të mjaftueshme me ta sa për mos t’u vecuar. Duhet të jetë i aftë të udhëheqë, me përvojë të mjaftueshme për të gabuar sa më pak, intelegjent për të dalluar rrugën e drejtë për popullin e tij, me integritet personal për të premtuar dhe për të realizuar premtimet dhe me kurajo për të zgjedhur dhe zgjidhur; mbi të gjitha i sinqertë me bashkëpunëtorët e tij, që vepron me empati ndaj popullit të vet në mënyrë që t’i sigurojë atij një ta tashme stabile dhe një të ardhme më të mirë.

Falë këtyre turbulencave politike të vitit të fundit, duhet të kuptojmë një gjë dhe një gjë të vetme. Ajo që na duhet neve sot, është një lider i tipit të tretë, një lider intelegjent, që ka shumë aftësi për të bërë të tjerët për vete me lojëra politike dhe duke vepruar shpesh nën hije, prapa skenave por gjithmonë me synime pozitive kundrejt aspekteve sociale dhe ekonomike të popullit të vet. Fatkeqësia është që neve sot dhe në një kohë më të gjatë na mungon një lider I këtillë I cili do të përdorte retorikën për të mposhtur demagogjinë e partive të mplakura BDI dhe PDSH, gjithashtu do të përdorte dinakërinë dhe aftësitë diplomatike gjithmonë pragmatike për të vënë në gjunjë partitë maqedonase dhe për t’I vënë ato para një fakti të kryer, dhe ajo është që zgjidhja e cështjes shqiptare në këtë shtet duhet të bëhet prioriteti I politikës dhe pika kyce strategjike e rrugës së këtij shteti drejt ardhmërisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button