Një pjesë e Hasanbegut mbetet pothuajse e njëjtë si mëngjesin e parë pas përmbytjeve

Kamniku, një pjesë e Hasanbegut që ishte një nga vendbanimet e para të prekura nga përmbytjet e 6 gushtit, sipas banorëve të këtij vendi autoritetet sikurse para përmbytjeve, edhe pas përmbytjeve e kanë lënë pas dore. Pamjet e Anadolu Agency (AA) tregojnë se edhe në ditën e tretë pas përmbytjeve, shtëpitë e kësaj pjese të Hasanbegut ende vazhdojnë të jenë të mbushura me baltë, ndërsa në oborret e shtëpive vërehen vetura të rrokullisura dhe dëme të shumta materiale.

Në Kamnik ku ende mungon energjia elektrike dhe uji i pijshëm, qytetarët shprehin frikë se mund të paraqitet ndonjë sëmundje, sepse jetojnë në shtëpi të mbushura me baltë dhe në papastërti. Reshat Hyseini, banorë i kësaj lagje, ankohet se autoritetet këtë lagje çdo herë e kanë lënë pas dore dhe e njëjta ndodh edhe me rastin e përmbytjeve.

“Këtu ndodhemi në një katastrofë sikurse cunami. Ne kemi marrë shumë trauma nga kjo përmbytje. Për të na ndihmuar nuk na kanë ndihmuar aq sa duhet. Këtu ka qenë katastrofë edhe para përmbytjeve, asnjëherë udhëheqësit nuk kanë ndihmuar, as tani as më herët. Mundohemi vet të pastrojmë diçka, sepse autoritetet dinë vetëm të na i marrin tatimet”, tha Hyseini.

Nga ana tjetër, 78 vjeçari Bezar Aziri, i cili mundohej të pastrojë shtëpinë e tij, theksoi se deri më tani është dashur që shtëpia të pastrohet, por është duke pritur edhe ndonjë ditë që komisioni të vij dhe të vlerësojë dëmet, në të kundërtën ai thotë, do të angazhohet vet dhe do të pastrojë shtëpinë.

“Jemi duke pritur ndoshta vijnë komisioni, nëse nuk vijnë do e pastrojmë vet ne. Sendet që janë brenda tashmë nuk vlejnë për asgjë, të gjtiha duhet të hidhen. Nëse nuk vijnë edhe disa ditë do i largojmë. Kjo shtëpi është shkatëruar, i vjen erë shumë e keqe dhe duhet të ndërtohet një e re”, u shpreh Aziri.

Nazif Rushiti, i cili gjatë kohës së vërshimeve nuk ndodhej në shtëpi, shpjegon se si familja e tij qëndroi e mbyllur me orë në shtëpi dhe nuk ka pasur kush t’i ndihmojë. Ai duke theksuar se deri më tani nuk i është ofruar asnjë ndihmë nga institucionet, falenderon komsinjtë të cilët shpëtuan familjen e tij natën e vërshimeve.

“Në kohën kur filluan të reshurat familja ime ndodhej në katin përdhesë, por uji është futur brenda në shtëpi dhe ka arritur nivelin gjys metre. Gruaja ime bashkë me nusen dhe dy fëmijë kanë hypur në kulm dhe atje kanë qëndruar me orë. Ata nuk kanë mundur të kërkojnë ndihmë nga askush, pasi që edhe rrjeti i telefonit nuk ka punuar. Pas disa orëve komshinjtë në krah i kanë nxjerr nga shtëpia”, tha Nazif Rushiti.

Ndërkaq, Avdi Iseni, i cili është i papunësuar, shpjegon se nuk kanë ku të bëjnë një sy gjumë, por shpreh frikë edhe për paraqitjen e ndonjë sëmundje, për shkak se tashmë dita e tretë që qëndrojnë në papastërti dhe në shtëpinë e mbushur me baltë.

“Shtëpia u mbush e gjitha me ujë. Të gjitha sendet që ishin në katin e parë uji i ka marrë, ndërsa brenda shtëpia është e tëra me baltë. Tani nuk kemi ku të fljemë dhe nuk kemi ku të qëndrojmë, ndërsa nëna ime është e sëmurë”, u shpreh Iseni.

Kamniku është vendbanimi i parë që u godit nga ujërat e ardhur nga qarkorja e Shkupit e cila qëndroi e mbyllur pas stuhisë së të shtunës deri në pasditen e sotme. Ndryshe, si pasojë e përmbytjeve në vendbanimet e rrethinës së Shkupit humbën jetën 22 persona, ndërkohë një fëmijë ende rezullton e humbur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button