“Uniteti”: Vendimi aktual për pastrimin e Listës Zgjedhore është në dëm të shqiptarëve

Sot Kuvendi Qendror i partisë Unitetit mbajti mbledhjen e radhës, pas paralajmërimit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor 2016, njoftojnë nga partia.

“Kuvendi Qendror solli Plan aksional për ngritjen e gatishmërisë të Unitetit për kryerjen me sukses të detyrave që imponohen lidhur me strukturimin e mëtutjeshëm  të partisë, vazhdimin e mbledhjes së nënshkrimeve për nismën qytetare të  drejtuar Kuvendit të Republikës, kompletimi dhe ushtrimi i shtabeve zgjedhore në nivel të degëve, organizimi i takimeve me qytetarët dhe çështja e koalicioneve”, thuhet në kumtesën e partisë Uniteti.

Ashtu siç njoftojnë ata, Kuvendi, gjithashtu, e shqyrtoi edhe ndryshimin e Kodit zgjedhor dhe konstatoi se i njëjti, si dhe vendimi aktual për pastrimin e listës zgjedhore, mënyra e zgjedhjes së deputetëve nga diaspora dhe e zgjedhjeve lokale në të ardhmen, sipas tyre, është në dëm të madh për shqiptarët për këtë arsye:

–       Pa regjistrim të popullatës nuk mund të krijohet Listë zgjedhore valide;

–       Vendimi që mbi 100.000 votues shqiptarë në mërgatë të votojnë vetëm për 3 deputetë është një padrejtësi dhe zhvlerësim i votës, në kushte kur ata nuk mund të vijnë të votojnë në vendin e tyre pa u paraqitur paraprakisht në KSHZ. Qytetarëve u vështirësohet kryerja e këtij procesi për shkak të mungesës nga puna dhe shpenzimeve të pa nevojshme.

–       Zgjidhja në këtë mënyrë nuk është pastrim i listave nga votuesit e rrejshëm, por pastrim nga votuesit shqiptarë, ngase në këtë mënyrë shqiptarët do të pësojnë humbje të shumëfishtë: humbjen e numrit të deputetëve nga diaspora, ku janë caktuar të zgjidhen me aq numër të madh votash vetëm 3 deputetë dhe në zgjedhjet lokale, me aplikimin e ligjit dhe të listave të ndara, shqiptarët do ta humbin udhëheqjen me Kërçovën, Strugën dhe komuna tjera;

–       Votimi nëpër përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë, në kushte të organizimit të vjedhjes së votave brenda shtetit, ashtu siç është realizuar deri më tani, nuk garanton proces të besueshëm të votimit, ngase deri më tani është vërtetuar manipulimi i këtij procesi nga ana e partive në pushtet nëpërmjet Ministrisë për Punë të Jashtme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button