Shpaloset agjenda e manifestimit “Gosfest – 2016”

Përmes një konference për media, drejtuesit e Komunës së Gostivarit shpalosën agjendën e manifestimit “Gosfest-2016”, që realizohet për të katërtin vit me radhë me rastin e ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës, Bashkim Hasani bëri me dije që manifestimi do të zgjas nga data 28 deri më 31 Korrik.

“Në emër të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta ftoi qytetarët dhe veçanërisht mërgimtarët për të cilët edhe organizohet ky manifestim, që të marrin pjesë në aktivitetet katërditore të manifestimit tradicional “Gosfest – 2016”, tha mes tjerash shefi i kabinetit, Hasani i cili shprehu falenderim për Ministrinë e Kulturës për asistencën financiare në organizimin e manifestimit.

Kryetari i Shoqatës së Artistëve të Figurativ “Draodacum”,  Reshat Ameti njoftoi që në natën e parë, më datë 28 korrik, dita e enjte, me fillim prej ora 20 në amfiteatrin veror të qytetit do të mbahet ekspozita ndërkombëtare e artit figurativ.

“Siç e dimë qyteti i Gostivarit kohëve të fundit është bërë epiqendra e kulturës. Komuna vazhdon me aktivitet e bujshme në aspektin kulturor. Në kuadër të manifestimit “Gosfest” do të mbahet edhe një aktivitet nga fusha e artit figurativ. Në ekspozitën ndërkombëtare të artit figurativ do të marrin pjesë artistë thuajse nga e gjithë Bota”, tha Ameti.

Më datë 29 Korrik (e premte), me fillim prej ora 20 në rrugën e Sahat Kullës do të organizohet nata e të rinjve me pjesëmarrjen e Dren Abazit dhe Zig Zag orkestra, XXL Band, Afternoon in Amsterdam, si dhe shumë bende muzikore nga qyteti i Gostivarit.

“Do të shfaqet edhe programi nga iDance Studio me fëmijë të moshave të ndryshme. U ftoj të ndiqni surprizën e fundit që vjen nga “iDance Studio”, dhe që shpresoj që tu pëlqen”, deklaroi Sarita Sallmani nga  “iDance Studio”.

Në të njejtën natë do të shfaqet edhe programi me muzikë të zgjedhur nga nga DJ të mirënjohur, si: Dj Chronic, Dj KlockOut, dhe Dj Delta.

Nata e tretë, 30 korriku i dedikohet teatrit.

“Të shtunën me fillim prej ora 21 te Pallati i Kulturës në Gostivar do të shfaqet repriza e komedisë “Pacienti i DR Frojd” nga shoqata Fishta”, tha Argjend Hasani kryetar i shoqatës.

“Më 31 korrik në natën e fundit të manifestimit “Gosfest – 2016”, me fillim prej ora 21 në amfiteatrin veror të qytetit do të mbahet nata poetike “Vardar – rrjedhin vargjet”, me pjesëmarrjen e 10 poetëve shqiptarë nga diaspora dhe poetë nga Maqedonia”, deklaroi Bashkim Hasani, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës.

Në natë e fundit, pra më 31 korrik do të bëhet edhe përmbyllja e manifestimit tradicional “Gosfest – 2016”, që në Gostivar po organizohet për të katërtin vit me radhë në organizim të Komunës së Gostivarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button