Halepi në “qarkun e vdekjes së trefishtë”

Në qytetin Halep të Sirisë i cili nga toka është i bllokuar dhe nga ajri bombardohet, ndërsa së fundmi edhe shumica e spitaleve janë në gjendje të papërdorshme, thuhet se populli po lufton për mbijetesë në “qarkun e vdekjes së trefishtë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Halepi, të cilin ekspertët e llogarisin si një nga qytetet më të rrezikshme në botë, prej katër vitesh pa ndërprerë ka qenë shënjestër e sulmeve me bomba. Qyteti është i përfshirë nga rrënojat dhe vdekja në çdo cep, ndërsa me mbylljen e rrugës Kastillo si pika e vetme dalëse nga qyteti, thuhet se populli prej tri javësh ka ngelur nën bllokadë në kuptimin e plotë të fjalës.

Qytetit i janë shkëputur lidhjet me botën e jashtme, kurse shumica e organizatave shëndetësore nuk mund të ofrojnë shërbime për shkak të dëmeve që kanë pësuar nga sulmet dhe mungesës së pajisjeve mjekësore.

Drejtori i Shëndetit që lidhet me grupet opozitare në Halep, Abdulbasit Ibrahim, duke u shprehur se shërbimet shëndetësore në qytet po përpiqen të mbahen vetëm nga tri spitale, tha se spitali Dakkak, spitalet Beyan, spitali për fëmijë Hakim, spitalet për sëmundje të grave Seyyide Zehra janë detyruar t’i ndërpresin shërbimet për arsye se kanë qenë shënjestër e sulmeve të regjimit të mbështetura nga ajri nga avionët rusë.

Ibrahim po ashtu potencoi se aktivitetet i ka ndërprerë edhe Qendra Shëndetësore Sher’iyye e cila humbi gjashtë pjesëtarë të personelit si pasojë e sulmeve ajrore.

Duke theksuar se nuk do të jetë e lehtë kthimi në punë i spitaleve që në afat të pacaktuar i kanë ndërprerë aktivitetet si pasojë e sulmeve, Ibrahim tha se “Është e pamundur të përshkruhen me fjalë ato që po ndiodhin. Numri i përgjithshëm i doktorëve që po ushtrojnë detyrën në Halep nuk kalon mbi 30. Kuadri aktual shëndetësor është i pamjaftueshëm për t’i ofruar shërbime të gjithë të sëmurëve në këtë qytet i cili bombardohet vazhdimisht. Është shqetësues fakti se bota po i injoron ndodhitë në Halep”.

Drejtori i shëndetësisë Ibrahim theksoi se personeli shëndetësor është i detyruar të pranojë edhe pacientë me sëmundje jashtë fushës së eksertizës së tyre, duke shtuar se po përjetojnë vështirësi në trajtimet e sëmundjeve të cilat mund të trajtohen vetëm nga mjekë specialistë, siç janë sëmundjet neurologjike.

– “Prodhimet ushqimore nëpër depo mund të mjaftojnë vetëm edhe për tre muaj” –

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kuvendit lokal të Halepit Beshir el-Havi u shpreh se gjendja e popullatës e cila është nën bllokadë do të përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

“Prodhimet ushqimore nëpër depo mund të mjaftojnë vetëm edhe për tre muaj, edhe atë nëse konsumi zvogëlohet në minimum. Në një mbledhje të organizuar me pjesëmarrjen e të gjitha organizatave në Halep, u mor vendimi që të zvogëlohet në minimum niveli i konsumit për prodhimet ushqimore me në krye miellin”, tha ai.

Havi tërhoqi vëmendjen drejt për mungesën e prodhimeve bujqësore dhe zarzavateve në treg. “Në qytetin e Halepit nuk ka toka të gjera për bujqësi. Kuvendi po punon për projekte mbështetëse për bujqësi në nivel të vogël dhe të mesëm dhe po u ndan fara për mbjellje popullatës. Megjithatë, për shkak të mungesës së tokave bujqësore, nuk kemi pritje të mëdha”, thotë ai.

Ai tha se për shkak të bllokadës ka pasur rritje për 40 përqind në çmimin e produkteve themelore siç janë ushqimi dhe lëndët djegëse. Havi theksoi se pas marrëveshjes me organizatat civile dhe ushtarake, kuvendi ka themeluar një komision për kontrollimin e çmimeve.

– Çdo ditë 25 sulme me bomba

Mahmdu Talha, punonjës në Agjencinë e Lajmeve Sham që u përket opozitarëve, tha se çdo ditë qyteti i Halepit shënjestrohet nga 25 sulme me bomba.

“Si pasojë e sulmeve të avionëve rusë dhe helikopterëve të regjimit, si dhe me bomba thërrmuese që janë të ndaluara me ligje ndërkombëtare dhe raketa vakum, jetën humbën 300 persona, ndërsa qindra u plagosën”, tha ai.

Talha e cilësoi rrugën Kastillo si “arteria e vetme e Halepit”, duke shtuar se mbyllja është shënjestër e forcave të regjimit dhe se mbyllja e saj dhe fillimi i bllokadës e ka izoluar qytetin nga bota.

Afërsisht 400 mijë sirianë që gjenden nën rrethim në Halep shprehen se shqetësohen të mos e humbin jetën për shkak të bllokadës.

Kombet e Bashkuara e kishin paralajmëruar regjimin sirian për përkeqësimin e kushteve të jetesës të civilëve në Halep që janë izoluar nën bllokadë.

Ndryshe, forcat e regjimit sirian në muajin shkurt që e lamë pas, me mbështetjen ajrore të Rusisë e bllokuan rrugën që lidh veriun dhe jugun e Halepit, e cila ishte nën kontrollin e forcave opozitare. Ndërkaq, para dy javësh forcat e regjimit gjithashtu mbyllën edhe rrugën strategjike Kastillo që kishe ngelur si pika e vetme për dalje nga Halepi. Pas kësaj, të gjitha zonat opozitare në qytet tani janë në gjendje rrethimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button