Takim i lamtumirës i zëvendëskryeministrit Ademi me euroambasadorin Orav

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Arbër Ademi sot realizoi takim përshëndetës me Shefin e Delegacionit të BE-së në Maqedoni i cili është në largim, ambasadorin Aivo Orav.

Zëvendëskryeministri Ademi i’u falënderua Euroambasadorit Orav për angazhimin dhe mbështetjen e tij si dhe të Delegacionit me të cilën ai udhëheq. Në veçanti u theksua bashkëpunimi dhe partneriteti që euro-ambasadori Orav pati me Sekretariatin për Çështje Evropiane në implementimin e reformave lidhur me BE-në si dhe shfrytëzimin e IPA dhe fondeve tjera Evropiane. Ademi i dëshiroi sukses në detyrën e re me shpresë se edhe më tej do të mbetet mik dhe mbështetës i vendit tonë, njoftojnë nga kabineti i Ademit.

Bashkëbiseduesit përshëndetën arritjen e marrëveshjes politike mes partive politike dhe u dakorduan se tani me rëndësi është implementimi i tërësishëm i marrëveshjes, por edhe më tutje mbetet rëndësia e implementimit të Reformave Urgjente Prioritare në procesin gjithëpërfshirës.

Gjatë takimit Zëvendëskryeministri Ademi theksoi se edhe pse Bashkimi Evropian ballafaqohet me sfida serioze si Brexit, ngjarjet ne Turqi, aktet e fundit terroriste në Nicë të Francës, kriza e vazhduar me migrantët, të cilat kërkojnë angazhim dhe fokusim nga ana e institucioneve Evropiane dhe vendeve anëtare, kjo nuk duhet të ndikojë në procesin e zgjerimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë drejtim Ademi theksoi se Maqedonia duhet të trajtohet si pjesë e hartës politike e Bashkimit Evropian, për arsye ekonomike dhe gjeopolitike, e veçanërisht për arsye sigurie dhe për sigurimin e stabilitetit në Evropën Juglindore.
Në fund të takimit Zëvendëskryeministri Ademi potencoi se është e rëndësisë së veçantë mbajtja e rekomandimit për hapjen e negociatave për aderim sepse Republika e Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit euroatlantik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button