Protesta në Tetovë, edhe sa vite i duhen Arifit ta pastrojë deponinë?! (VIDEO)

Tre vite e gjysmë banorët e Tetovës presin të zgjidhet problemi i deponisë në hyrje të qytetit e cila në fjalorin e Komunës së Tetovës quhet “qendra për ngarkim-shkarkim” të mbeturinave. Banorët e lagjes “Dardania” të cilët më së shumti i ndjejnë pasojat e grumbullimit të mbeturinave, edhe pse ajo kutërbon në tërë qytetin, njoftojnë se do të protestojnë para Komunës, të mërkurën, më 20 korrik 2016 duke kërkuar zgjidhje për këtë problem.

Mbeturinat sa vijën e shtohen, ato bllokojnë edhe rrugën, si që mund të shihni nga kjo video e bërë nga redaksia e Portalb.mk.

Nga Këshilli Organizativ i protestës, thonë për Portalb se kryetarja e Komunës së Tetovës, Tetuta Arifi e cila fuqishëm premtonte para tre viteve, pikërisht më 3 prill të vitit 2013 gjatë fushatës së zgjedhjeve kur e vizitoi këtë deponi , tani nuk përfill kërkesat e tyre. Madje, në vend se të ulet sasia e mbeturinave, ajo rritet duke u bërë oazë e baktereve dhe burim i mundshëm i shumë sëmundjeve.

Më e keqja qëndron në faktin se natën ata digjen. Me këtë dhe ende më shumë rrezikohet popullata për shkak të lirimit të erës së rëndë.

Video e mëposhtme tregon se situata me këtë deponi aspak nuk ka ndryshuar në këto tre vite.

Duke mos harruar faktin që tani tetovarët paguajnë fatura më të larta të ujit dhe mbeturinave, kurse papastërtia në qytet është e dukshme, ndërsa problemi me furnizimin e ujit mbetet ende i pazgjidhur.
Ditë më parë, partia maqedonase në pushtet VMRO DPMNE kërkoi nga Arifi të zgjidh këtë problem në vend se ti harxhojë për ngjarje kulturore.

“Duket paradoksale “fytyra haj” e kryetares së komunës në ngjarjet kulturore, kur shëndeti i njeriut dhe mjedisi janë të kërcënuar seriozisht. A ka fund kjo paaftësi, anarki, dhe madhështi e rreme. E gjithë kjo çon në një pyetje. Për çfarë shërbejmë punonjësit e NP Tetovës si dhe aktivitetet shtesë, si dhe angazhimi jozyrtar i 90 personave me kontratë në vepër, nga të cilët ne qytetarët nuk shohim asnjë përfitim. Ose janë të afërmit e tyre, të cilët nuk paraqiten në punë dhe paguhen”, tha Zhivanka Stojkovska, VMRO – DPMNE, njofton Alsat-M.

Stojkovska thotë se deponia është strehimore e qenve, minjve, maceve që mund të jenë bartës të sëmundjeve.
Nga komuna e Tetovës, ndaj akuzave të partnerit të koalicionit, dolën me deklaratë me shkrim: “Ajo që patëm për të thënë mbi këtë temë u tha në konferencën për shtyp nga drejtori i NPK Tetovë, Xhelal Ceka.VMRO – DPMNE është në betejë brenda-partiake në Tetovë. Komuna nuk do të jetë pjesë e kësaj përplasje partiake”, – thonë nga komuna, njofton Alsat-M.

Disa muaj më parë pikërisht për shkak të deponisë drejtori i NPK Tetovë, Xhelal Ceka fitoi padi penale nga Prokuroria themelore Publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button