Tentativë e re për arritjen e marrëveshjes për dalje nga kriza politike

Sot në hapësirat e Rezidencës së Evropës në Përzhinë të Shkupit, do të mbahet takim i ri i grupeve punuese të partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, për të tentuar ta zgjidhin çështjen e fundit të hapur, gjegjësisht atë që ka të bëjë me kompetencat e ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë Kalimtare për zgjedhje të parakohshme parlamentare, njofton Portalb.

Sipas informatave të fundit, LSDM kërkon që ministri i Punëve të Brendshme t’i ketë të gjitha kompetencat që i takojnë njeriut të parë të policisë, duke përfshirë edhe ndryshimet kadrovike në strukturat udhëheqëse dhe ngjashëm, përderisa VMRO – DPMNE insiston që ministri kompetencat t’i ketë të ndara me zëvendësministrin.

Takimi i liderëve, thonë nga grupet biseduese të partive, në këtë fazë nuk është e planifikuar.

Katër partitë deri më tani janë pajtuar që të mos ketë Listë Zgjedhore të tretë, por 40.000 votuesit kontestues të kontrollohen fillimisht në terren, ndërkaq pastaj vetë të paraqiten në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Nëse nuk paraqiten në periudhë të caktuar kohore të njëjtët do të fshihen nga Lista Zgjedhore, transmeton Portalb.

Në dy Lista do të ndahen votuesit tjerë – shtetas të Maqedonisë që jetojnë në Maqedoni dhe shtetas të Maqedonisë që përkohësisht janë me punë jashtë vendit ose të migruar.

Propozimi për ad hok komision për vlerësimin e punës së medieve përsëri është në tavolinë dhe sipas brifingjeve partiake, deri më tani ka marrëveshje. Spekulohet se secila parti në këtë trup do të propozonte nga një anëtarë ndërkaq i pesti do të zgjidhej nga radhët e ekspertëve me konsensus të kryesive të partive.

Më parë, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e ka refuzuar që të merr pjesë në trupin në të cilin do të fitonin ata dy anëtarë.

Gjithashtu, mësohet se thuajse kryesisht është arritur marrëveshje dhe kryeredaktori i RTVM-së të zgjidhet nga radhët e opozitës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button