Stoltenberg para Samitit të NATO-s: Nuk duam një tjetër Luftë të Ftohtë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka deklaruar se “Nuk duam një tjetër Luftë të Ftohtë. Lufta e Ftohtë ka ngelur në të kaluarën. Jemi në kërkim të një dialogu konstruktiv dhe të kuptimtë me Rusinë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën para hapjes zyrtare të Samitit të NATO-s të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive që po organizohet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, i cili ka mbledhur krerët e shteteve dhe qeverive të 28 vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere, Stoltenberg tha se në samit do të diskutohet e ardhmja e NATO-s si pjesë e vlerave të përbashkëta.

Duke u shprehur se në samit do të merren vendime për përforcimin e mëtutjeshëm të mbrojtjes së përbashkët, Stoltenberg theksoi se do të pozicionohen njësite multinacionale të NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.

Stoltenberg theksoi se këto njësite do të jenë të përkohshme dhe të ndërrueshme me rotacion.

Ndërkaq, duke vënë në pah se aleanca ka marrë masa parandaluese ndaj rreziqeve në krahun jugor të NATO-s, Stoltenberg tha se “E kemi forcuar mbrojtjen ajrore të Turqisë me Sistemin e Alarmimit të Hershëm dhe Kontrollit (AWACS) dhe sistemet e mbrojtjes raketore.”

Stoltenberg gjithashtu tërhoqi vëmendjen se do të forcohet edhe mbrojtja kundër sulmeve kibernetike dhe atyre me raketa balistike, duke thënë se çdo veprim është në të mirë të mbrojtjes, është proporcional, transparent dhe në përputhshmëri me ligjet ndërkombëtare.
– “Jemi në kërkim të dialogut me Rusinë”

Stoltenberg, duke nënvizuar se masat e NATO-s synojnë mbrojtjen, u shpreh se “Nuk duam një tjetër Luftë të Ftohtë. Lufta e Ftohtë ka ngelur në të kaluarën. Jemi në kërkim të një dialogu konstruktiv dhe të kuptimtë me Rusinë.”

Ai me theks të veçantë tha se Rusia është fqinji më i madh i NATO-s dhe për këtë arsye është i nevojshëm krijimi i dialogut, duke e përmendur më tej rëndësinë e stabilitetit edhe përtej kufijve të NATO-s.

– Lufta me DAESH-in

Stoltenberg theksoi se në samit do të merret gjithashtu vendimi për ndarjen e informacioneve që siguron AWACS me koalicionin ndërkombëtar kundër DAESH-it.

“Do të fillojmë me trajnim ushtarak në Irak, do të vazhdojmë t’i përkrahim Jordaninë dhe Tunizinë dhe ta ndihmojmë Libinë”, tha më tej Stoltenberg. Ai premtoi ndihmë kundër trysnive të jashtme në Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi.

– “Brexit nuk do ta ndryshojë rolin e Britanisë në NATO”

Duke folur për vendimin për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg tha: “Brexit mund t’i ndryshojë marrëdhëniet e Britanisë me BE-në, pro kjo nuk do ta ndryshojë rolin e rëndësishëm të Britanisë në NATO.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button