Blair: Bota do të ishte në pozitë më të keqe po të mos vepronim në Irak

Ish-kryeministri britanik Tony Blair, i cili mori pjesë në qendrën e raportit të publikuar ditën e djeshme në lidhje me pjesëmarrjen e Britanisë në pushtimin e Irakut, duke theksuar se mund të ndihet i penduar për gabimet dhe për shumë gjëra në lidhje me pushtimin e Irakut, tha se “Megjithatë, sinqerisht besoj se bota do të ishte në pozitë më të keqe po të mos vepronim në atë mënyrë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Blair u bë shënjestër e kritikave pas publikimit të raportit të cilin e përgatiti Sir John Chilcot në lidhje me pjesëmarrjen e Britanisë në pushtimin e Irakut, ndërkohë që në deklaratën që e dha për kompaninë britanike të transmetimit BBC Radio 4, ai u shpreh se “Mund të ndihem i penduar për gabimet dhe për shumë gjëra në lidhje me këtë çështje (pushtimin e Irakut), megjithatë, sinqerisht besoj se bota do të ishte në pozitë më të keqe po të mos vepronim në atë mënyrë”.

Ai theksoi se po të ngelej në pushtet lideri i rrëzuar i Irakut Sadam Husein do të mund t’i përdorte sërish armët e shkatërrimit masiv dhe se po të ishte në detyrë ende gjatë Pranverës Arabe do të përpiqej ta mbante pushtetin në të njëjtën mënyrë sikurse Bashar al Asadi në Siri, duke e mbrojtur mendimin se pushtimi i Irakut ishte i nevojshëm.

– Raporti i Chilcot

Ditën e djeshme u publikua raporti me 2 milionë e 600 mijë fjalë i Sir John Chilcot, byrokrati i pensionuar i cili në periudhën 2009-2011 e drejtoi hetimin në lidhje me procesin e pjesëmarrjes së Britanisë në pushtimin e Irakut.

Në raport thuhet se Britania në pushtimin e Irakut “ka marrë pjesë pa u harxhuar alternativat paqësore” dhe se “Aksioni ushtarak nuk ishte opsioni i fundit për atë kohë”.

Aty gjithashtu potencohet se qeveria britanike nën udhëheqjen e Tony Blair nuk kishte justifikime të mjaftueshme për vlerësimin e armëve të pretenduara për shkatërrim masiv të Irakut dhe se shërbimet e inteligjencës nuk kishin baza të forta se Sadam Husein po vazhdonte me prodhimin e armëve kimike dhe biologjike.

Hetimi i Chilcot ishte filluar nga pasardhësi i Tony Blair, Gordon Brown.

Raporti që ishte pritur të publikohet gjatë tri viteve të fundit ishte shtyrë për arsye se Ministria e Jashtme nuk kishte dhënë leje për publikimin e bisedave telefonike, dokumenteve dhe mesazheve mes Bush dhe Blair. Ndërkaq, verën e kaluar ishte bërë e ditur se një pjesë e këtyre dokumenteve do të publikoheshin për opinionin publik.

Britania mori pjesë në pushtimin e Irakut, që u zhvillua nën drejtimin e SHBA-ve, me 30 mijë ushtarë. Gjatë operacioneve ushtarake, 179 ushtarë britanikë humbën jetën, ndërkohë që Iraku i ndarë ende nuk ka shpëtuar nga luftimet etnike dhe sektare. Ende nuk ka regjistrim të qartë në lidhje me numrin e të vrarëve në Irak, ndërsa ekzistojnë vetëm shifra që sillen në mes 100 mijë dhe një milion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button