Myftiu i Kosovës uron besimtarët për Festën e Fitër Bajramit

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava sot në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame në Prishtinë iu drejtua opinionit të gjerë musliman me një mesazh urimi, me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe kremtimit të festës së Fitër Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij Tërnava u shpreh se festa e Fitër Bajramit vjen si rezultat i kryerjes së një prej obligimeve më madhore të fesë Islame, agjërimit gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.

“Kjo ditë e Bajramit e cila vjen pas një sakrificë të madhe vetëm për Zotin Krijues, me të drejtë shpresojmë në shpërblimin nga i Madhi Zot. Ditë e cila rritë edhe besimin te Zoti edhe shpresën për një jetë më të mirë, duke e ditur se festa e Bajramit është festa më e bekuar për besimtarët islam”, u shpreh Myftiu Tërnava.

Duke theksuar vlerën e festës së Fitër Bajramit, Tërnava u shpreh se gjatë kësaj festeje duhet përhapur ndjenjën e vëllazërisë, mirësisë e të dashurisë me njëri-tjetrin, ku urimet dhe vizitat nëpër familjet janë tradita që duhet ndjekur.

Tërnava shtoi se në këto momente festive duhen rikujtuar personat e varfër, të sëmurët, të paaftët për punë si dhe të gjithë ata që janë në nevojë, dhe vuri theksin në krimet nëpër botë, duke shpjeguar se për ndaljen e tyre dhe për krijimin e një të ardhmeje sa më të mirë duhet rizgjuar ndërgjegjja e strukur.

“Për një moment le të na kujtohen shumë fëmijë e familjarë të cilët këtë festë përkundër dëshirës së tyre nuk mund ta festojnë nëpër vatrat e tyre të cilat janë të përfshira në luftë. Vuajtjet e fëmijëve dhe të pafajshmëve në luftën në Siri e Irak, ku fëmija është viktimë e terrorit të ushtruar në grupe e qeveri të ndryshme”.

Në fund të fjalimit të tij, Tërnava uroi të gjithë besimtarëve muslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button