Ambasadori Orav ka një porosi për partitë politike

BE është e shqetësuar për situatën në Maqedoni. Kuvendi ka një muaj e tepër që është thirrur përsëri dhe ne nuk kemi parë progres sa i përket krizës në vend. Kështu u shpreh sot ambasadori i Bashkimit Europian Aivo Orav, në deklaratën e tij dhënë para gazetarëve në selinë e BE-së në Shkup, raporton Portalb.

“Ne jemi të bashkuar në nevojën për ta mbajtur lidershipin në dialog të hapur. Partitë duhet të vazhdojnë në implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos, përfshirë krijimin e kushteve për zgjedhje kredibile. Muajt e fundit sundimi i ligjit është ballafaquar me shumë sfida, kujtoj faljen e presidentit Ivanov. Sundimi i ligjit është bazamenti i një shoqërie të fortë demokratike. Si dhe, është çelës për implementimin e reformave të propozuara nga Komisioni Europian”, tha më tutje Orav.

Faktori ndërkombëtar mbetet të jetë i shqetësuar për sfidat e Prokurorisë Speciale Publike. Orav u bëri thirrje gjithë faktorëve politikë – partive politike që të ndalojnë me obstruksione dhe t’i japin mbështetje të fuqishme PSP-së.

Sipas Orav, Marrëveshja e Përzhinos është mënyra më e mirë për dalje nga kriza.

“Kujtojmë se demokracia përforcohet nëpërmes pjesëmarrjes në institucione, me çka sigurohet funksionimi i tërësishëm i tyre dhe kontroll më i madh dhe më i balancuar. Besojmë se është në interes të rrugës euroatlantike partitë kryesore të dakordohen bashkërisht për dalje nga kriza ditëve në vijim, e jo të zgjatë me javë apo muaj”, porositi Orav./PORTALB

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button