“Eco Guerilla”: Qëndrimi i ministrit Ahmeti për “Jugohromin” është serioz dhe shqetësues

Lëvizja “Eco Guerilla” e vlerëson si tejet joserioz dhe shqetësues, qëndrimin e ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti, i cili për dështimin e deritanishëm të planit operativ për vendosjen e filtrave në Jugohrom, për mediat deklaroi se ai “nuk është avokat i Jugohromit”.

“Ne kërkojmë fuqishëm që ministri t’i përmbushë detyrimet e tij për mbrojtje të ambientit jetësor që burojnë nga Kushtetuta, ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Nga përvoja e deritanishme, pikërisht kjo Qeveri ishte më tepër avokate e helmuesit Jugohrom, i cili duke u toleruar të punojë pa filtra, qytetarëve të Tetovës u “dhuron” çdo ditë nga 30 tonë pluhur. Përmes këtij reagimi, duam t’i përkujtojmë z. Bashkim Ameti, Ministër i Mjedisit, që mos t’i ikë përgjegjësisë dhe se roli i tij (si përfaqësues i popullit dhe i Qeverisë) do duhej të ishte ai i avokatit të qytetarëve dhe PROKURORIT i cili do ndëshkojë Jugohromin dhe çdo ndotës tjetër për shkelje të Kushtetutës dhe shkaktimin e dëmeve afatgjate në shëndetin e tetovarëve”, thuhet në reagimin e Lëvizjes “Eco Guerilla”.

Ata shtojnë se çdo tendencë për mosrespektim të afateve dhe blerje kohe nga Qeveria në favor të Jugohromit, do të konsiderohet si provokim i rëndë dhe tejkalim i vijës së kuqe për qytetarët e Tetovës.

“herët a vonë të gjithë ata që nuk parandalojnë këtë krim do të ballafaqohen me drejtësinë. Zero tolerancë!”, përfundojnë nga “Eco Guerilla”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button