Cameron: Nuk do të jem kapiteni që drejton vendin në destinacionin e ri

as vendimit për dalje nga Bashkimi Evropian (BE) që u caktua me referendumin e djeshëm në Britani, kryeministri britanik dhe lideri i Partisë Konservatore David Cameron pasi paralajmëroi dorëheqjen në tetor tha se nuk do të jetë kapiteni që drejton vendin në destinacionin e ri, raporton Anadolu Agency (AA).

Cameron doli me deklaratë para godinës së kryeministrisë në Londër pas shpalljes së rezultateve zyrtare të referendumit për dalje nga BE-ja.

Duke theksuar se është e nevojshme që të respektohet vendimi i popullit britanik për largim nga BE-ja, Cameron i përgëzoi organizatorët e fushatës pro ndarjes nga BE-ja në kuadër të referendumit.

“Vendi ynë sapo mori pjesë në një proces gjigant demokratik, ndoshta më i madhi në histori”, tha Cameron, duke potencuar se duhet që të mos shpërfillet vendimi i popullit dhe se duhet ndërmarrë hapa drejt këtij preferimi të votuesve.

Sipas tij, tërë bota e ka ndjekur vendimin që do ta marrë Britania.

“U garantoj tregtarëve dhe investitorëve se themelet e ekonomisë së Britanisë janë të shëndosha. Për britanikët që jetojnë në shtetet e Evropës dhe evropianët që jetojnë këtu, të jeni të sigurtë se nuk do të ketë asnjë ndryshim urgjent në gjendjen e tyre. Nuk do të ketë ndryshim të menjëhershëm në udhëtimin e njerëzve, lëvizjen e mallrave dhe shitjen e shërbimeve”, tha Cameron.

“Përveç Anglisë edhe Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut si pjesë e Britanisë duhet të marrin pjesë në procesin e bisedimeve me BE-në për të mirën e vendit”, theksoi Cameron, duke shtuar se është e nevojshme përgatitja për këtë proces.

Ai shtoi se ka qenë përkrahës i fushatës për qëndrim brenda BE-së porse populli ka marrë vendim për një rrugë tjetër dhe e shprehu besimin se vendi mund të vazhdojë jashtë rrugës së BE-së.

“Vendi ka nevojë për një lidership të ri i cili do të vazhdojë në këtë rrugë. Jam krenar që kam qenë kryeministër i këtij vendi prej gjashtë vitesh. Megjithatë, mendoj se nuk është e drejtë të jem kapiteni që drejton vendin në destinacionin e tij të ri. Si kryeministër, do të bëj gjithçka që mundem që ta mbaj të palëkundshme ‘anijen’ në javët dhe muajt në vijim”, u shpreh Cameron.

Cameron, u shfaq i ndikuar emocionalisht gjatë shpalljes së rezultateve. “Ky nuk është një vendim që u mor lehtë. Megjithatë, besoj se është në dobi të kombit dhe stabilitetit. Mendoj se pas periudhës së stabilitetit është i nevojshëm lider i ri. Sot nuk ka nevojë të caktohet një kalendar i saktë, megjithatë mendoj se duhet të synojmë një kryeministër të ri në kongresin e Partisë Konservatore në muajin tetor”, tha ai.

Ndryshe, 49-vjeçari Cameron i cili në pozitën e kryeminsitrit të Britanisë është që nga viti 2010, në zgjedhjet e mbajtura vitin e kaluar arriti të formojë qeverinë i vetëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button