Kosovarët e rinj me emra modern por me ‘kuptim të lashtë’

Fytyra i shkëlqente. Ajo ishte bërë hallë dhe dukej shumë e gëzuar. Tregon se mbesa ishte mirë, madje thotë se kanë pagëzuar. “Shyqyr mirë janë edhe nëna, e edhe mbesa ime Dua është shëndosh e mirë”, tha Arjeta Krasniqi.

E pyetur pse pikërisht këtë emër kanë zgjedhur për vajzën e vogël, halla e Dua-s theksoi shkurt se ka qenë dëshirë e prindërve të vogëlushes.

I gëzuar u pa edhe Gëzimi teksa hynte në spitalin e Gjinekologjisë. Ai ishte bërë baba i fëmijës së parë, të cilin e kishte emëruar Amar. “Kemi lexuar se është emër mysliman, plus na ka pëlqyer . Nuk ka ndonjë arsye tjetër”, është shprehur shkurt ai.

Adem Jashari u pagëzua në Mitrovicë

Sipas ofiqarit të Komunës së Prishtinës, në Spitalin e Gjinekologjisë Musli Veliu, ky vit ka filluar me një laramani emrash modern, oriental, nga kombinimet e shkronjave të para të emrave të prindërve, ripërtëritje e të ngjashëm.

“Dominojnë emrat modern të shkurtër si Bora, Buna, Tuana, Sara, Ron, Mal, Lis…këta janë më të shpeshtë. Pastaj ka edhe emra oriental që janë po ashtu të shpeshtë si Jasin, Suhejla, Unejs, Omer, Amar…”, tregon për kolona.al Veliu.

Veç emrave të lartpërmendur, si më të dashur për prindërit e rinj mbesin edhe emrat si Amra, Dorina, Inesa, Inara, Kenza, Ornela, Troi, Eris, Erisa, Noar, Nart, Riga, Rita, Enca.

“Ende vazhdon të ketë edhe emra ilir, ndonëse jo si më herët. Më të shpeshtit janë Arian, Taulant e të ngjashëm. E veç kësaj vazhdon të jetë prezent edhe tradita e ripërtëritjes së emrave të vjetër, ani pse nuk janë shumë të shpeshtë sikurse kohë më parë”, ka shtuar tutje ofiqari.

“Ka raste të tilla ta zëmë kur familjet e dëshmorëve i ripërtërijnë pasardhësve emrat e atyre që dhanë jetën për vendin. Por ka edhe të atillë që ia ka vënë dy emra, siç është një rast së fundmi ku djalit ia ka vënë emrin Adem Jashari, pastaj mbiemrin e tij. Ky rast ka qenë tash së fundmi, nga Mitrovica”, ka theksuar ai.

Të frymëzuar edhe nga serialet turke

Dashuria për prindërit shpeshherë i ka shtyrë që fëmijët që të vegjlit e tyre edhe tash t’i pagëzojnë me emrat e prindërve që nuk jetojnë më. “Më kujtohet një rast vajzës ia ka vënë emrin Zelfije dhe asnjë shkronjë nuk dëshironte t’ia ndërronte. Kjo është një gjë e mirë ndërsa fëmija ka të drejtë ta mbajë këtë emër deri sa të mbush 18 vjet. Pastaj nëse nuk i pëlqen ka të drejtë të ndërrojë me procedurat e caktuara”,  ka shpjeguar Veliu.

Muajve të fundit sipas tij, është rritur trendi i pagëzimit të fëmijëve bazuar në dy shkronjat apo eventualisht tri të parat e emrave të dy prindërve. “Po ka shumë raste, që po i kombinojnë disi emrin përmes dy shkronjave të emrave të prindërve apo duke shtuar edhe ndonjë shkronjë tjetër”.

Frymëzimi për emra të fëmijëve kohëve të fundit po vjen po ashtu nga serialet turke, sikurse që është emri Ajlin, Dilara e të tjerë. Ndërkohë sipas ofiqarit është vënë krejtësisht në harresë vendosja e emrave që lidhen me data apo personalitet të rëndësishme si Pavarësia, Nëntori, Kosova, e të tjerë, në krahasim me vitet e para të pasluftës. Ndryshe Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka dal ende me një njoftim se cilët emra janë më të shpeshtë për këtë fillim vit. Ndërkohë zyrtarë nga ASK-ja, kanë njoftuar për emrat më të shpeshtë për vitin 2015.

“Emri më i shpeshtë për vitin 2015 për vajza ishte Alea, ose 223 foshnje janë pagëzuar me këtë emër. Me emrin Erina janë pagëzuar 146 foshnje etj. Te djemtë, emri më i shpeshtë ishte Diar 214 foshnje, Ajan 205 foshnje etj”, ka njoftuar Hazbie Qeriqi nga Agjencia e Statistikave. /kolona.al

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button