KUQ-e-ZI

Ka do ditë që një pjesë e jetës sonë ka ngjyra futbolli. Është në pyetje përfaqësimi i Kombëtares në Kampionatin evropian që mbahet në Francë, prandaj. Janë më mijëra të rinjtë dhe të rejat që i kanë bërë cak udhëtimesh e festash dinjitoze qytetet franceze, në stadiumet e të cilëve ndeshen kuq-e-zinjtë. Është një komb i tërë shpirtpamposhtur (hiq hirën e vërdhemtë nga e cila nuk është imun asnjë qytetërim) që frymon me një ritëm, që flet një Gjuhë, që këndon një Himn, qe valëvit një Flamur, që përkrah një Kombëtare…, duke shpërfaqur imazhin më të mirë të mundshëm para syve të botës, në fusha të gjelbërta, në shkallë stadiumesh, në metropole betejash sportive…, ku të tjerët hanë kanibalshëm koka rivalësh sportivë.

Janë këto fitore që na bëjnë të ndjehemi mirë brenda lëkurës sonë, emocione që s’na i dhuron tjetërkush përveç atyre që garojnë n’arenat botërore të më të mirëve, pa çka se dëshirat tona, veçmas dëshirat e futbollistëve tanë, nuk janë përherë në përputhje me rezultatet finale të një gare.

Janë këto arsyet përse nuk arrij ta kuptoj hidhërimin e papërmbajtur, fyerjet, sharjet, ofendimet… e ndërsyera kundër Kombëtares, për ndeshjet e humbura në Kampionatin e saj të parë evropian, ku marrin pjesë disa prej superfuqive të futbollit, si puna e ekipit francez, të llogarritur prej shumëkujt ndër favoritët kryesorë për titullin e më të mirit.

Nuk arrij t’i kuptoj as ata që një ndeshje fudbolli e konceptojnë si luftë për jetë a vdekje, kurse fudbollistët si ushtarë që nuk guxojnë të humbin asnjë betejë. Më duket se në këtë pikë jemi më të veçantë, sepse nuk janë të shumtë të tjerët që, në kontekstin e një loje sportive, përdorin termat e standardizuar në diskursin e mbushur ding me atdhetarë, tradhëtarë, mercenarë…

Kjo, gjithsesi, vin nga përvoja jonë e vogël në këso garash, nga mungesa e gatishmërisë për ta pranuar edhe humbjen si pjesë të lojës, për ta shndërruar atë në motiv pune edhe me serioze në të ardhmen.

Në kampionate të tilla humbin edhe skuadra vendesh të mëdha, skuadra të favorizuara, skuadra ish kampionësh dhe kurkujt kurgjë. Së këndejmi, bindja e betonuar, sipas së cilës mund të humbin të gjithë, po jo dhe skuadra jonë, është e dëmshme, sepse e shndërron përkrahjen në kompleks, në barë që torturon sportistët, me të cilët nuk jemi të kënaqur edhe atëherë kur e japin maksimumin e mundshëm, siç mdodhi në dy lojërat e gjertanishme, me çrast Kombetarja tejkaloi mundësitë reale të saj, në të gjitha dimensionet e mundshme, po, mjerisht, fati ia ktheu shpinën.

Prandaj duhet ta kuptojmë se sporti njeh edhe fitore edhe humbje. Megjithatë, nëse në këtë kampionat ka një fitues të mirëfilltë, ajo është Kombëtarja shqiptare, që garon me harxhin e vet, jo me konglomeratin e importuar nga e gjithë bota… Ajo i ka të garantuara tri ndeshje që luhen përpara syrit të rruzullit tokësor, në evenimentin më të rëndësishëm sportiv evropian, ku nuk janë prezentë vende me traditë të gjatë futbolli. A nuk është kjo e mjaftueshme për t’u kënaqur me ndeshjet e kuq-e-zinjëve pavarësisht rezultateve që korrin? Aq më tepër kur na përfaqësojnë djem, të cilët gjer më sot nuk na kanë turperuar as me sjellje, as me humbje të turpshme për t’u duruar. Aq më tepër kur bëhet fjalë për sportistë që mbajnë me muaj ndezur emocionet e shqiptarëve dhe shqiptareve të reja, të cilët, më në fund, kanë mundësinë e identifikimit me një vlerë të veten. Ndaj, para se ta bëjmë ekspertin që merr të drejtën t’i përçmojë heronjtë e Kombëtares, le ta drejtojmë gishtin drejt sferave të tjera dhe le të kërkojmë të bëjnë dhe të tjerët gara në arena kaq të mëdha.

Fatmirësisht, pjesa dërmuese e shqiptarëve janë kuq-e-zi dhe krenohen me Kombetaren. Dua të besoj se pjesa që shanë karallamas heronjtë e sportit shqiptar, e bën këtë nga dashnia. Ndryshe: do t’u përzihej pështyma me këlbazat e mjeranit nedellkovski.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button