“Kallëzuesit“ e vendit dëshmojnë në Bruksel

 OLAF heton nëse funksionarë maqedonas kanë marrë mitë për „Aktor“?

Derisa Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dy vjet mendohet nëse duhet të nisë hetim për rastin me ndërtimin e autostradë Demir Kapi-Smokvicë, për shkak të dyshimit për korrupsion, që peshon disa milionë euro, institucioni evropian OLAF e morri punën në duar të veta. Zyrtarisht heton nëse pjesë e parave evropiane kanë mbaruar në xhepat privat të funksionarëve maqedonas. Jozyrtarisht mësojmë që për këtë rast janë paraqitur të dëshmojnë disa denoncues ose “kallëzues”, të cilët kanë guxuar të flasin për shkak të mbrojtjes të cilën e fitojnë me Ligjin e posamiratuar për mbrojtje të kallëzuesve.

Valentina Stojançevska

Më 8 shtator viti 2012, kryeministri Nikolla Gruevski, zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski dhe ministrat Zoran Stavreski dhe Mile Janakieski i përveshën mëngët në mënyrë festive, e duke hedhur nga një lopatë asfalt nisën ndërtimin e pjesës së autostradës Demir Kapija-Smokvica.

Ky investim, edhe pse kishte të bëjë me veç 28 kilometra asfalt, u paralajmërua si më e madhe deri atëherë, pasi që autostradat janë pika e dobët e qeverisë së VMRO-së, e cila nga viti 2006 arriti të ndërtojë vetëm shtatë kilometra, nga Kumanova deri në Tabanovcë.

Por edhe para se të arrijnë të prenë shiritin e kuq, pasi që në teren akoma punohet, investimi i madh u kthye në aferë të madhe korruptive, e cila kohët e fundit morri përmasa ndërkombëtare.

Gjegjësisht, si që na raportuan zyrtarisht nga Zyra evropiane për hetime të mashtrimeve me fonde evropiane (OLAF), veç më kanë nisur hetim, gjegjësisht kontrollojnë si ka harxhuar të hollat qeveria maqedonase, prej të cilave pjesa më e madhe u sigurua nga fondet evropiane, Hetimi është hapur për shkak të dyshimit të supozuar që funksionar maqedonas kanë marrë mitë që marrëveshja të mbetet në duart e firmës greke kontraktues, kompania “Aktor”.

PROKURORIA DY VJET E MBAN RASTON “AKTOR” NË FIOKË

Por me gjithë tenderit të siguruar, rasti me vite të tëra nuk lëviz as në institucionet kompetente maqedonase, pasi që në vend të përfundimit të rastit, ata akoma janë në fillim.

Gjegjësisht, Drejtoria për kundërzbulim financiar, filloi të gjurmon punën e firmës greke që nga fundi i vitit 2013. Prej atje, në fshehtësi të lartë dhe në heshtje kanë hetuar rastin “Aktor”, kurse për atë opinioni dëgjoi disa muaj më vonë, kur LSDM-ja nxori në pah krimin e tyre. Nga partia treguan që 95 persona, shumica shtetas grek, nga llogaritë e “Aktor”-it, brenda 10 muajve kanë nxjerrë 3,5 milionë euro para të thata, përmes 278 transaksioneve. Sipas informacioneve të tyre, shtetasit grek të organizuar me autobus kanë ardhur në Negotinë dhe në prani të drejtoreshës Atina Zioga kanë marrë paratë e thata, e pastaj, sipas LSDM, këto  para i kanë lënë në vendin tonë, pasi që kufirin e kanë kaluar me xhepa të zbrazëta.

Pasi dolën në opinion këto informata, më në fund mbi këtë çështje u shpreh edhe prokurori shtetëror Marko Zvërlevski i cili tregoi që kanë nisur procedurë parapenale. Por pas një muaji, Zvërlevski theksoi që shkalla e dyshimit është në nivel më të ulët, e për këtë llogaria e kompanisë është zhbllokuar dhe ajo vazhdoi me punë. Sidoqoftë, nga prokuroria arsyetoheshin që rasti nuk është i mbyllur, por kanë vazhduar të hetojnë. Dhe janë vërtet këmbëngulës, pasi që edhe dy vite më vonë vazhdojnë të “hetojnë”. Si në vitin 2013, ashtu edhe tani morëm të njëjtën përgjigje për pyetjen në cilën fazë është hetimi për aferën “Aktor”?

Ju njoftojmë që në rastin e njohur si “Aktor”, prokurori kompetent publik nga Prokuroria themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme parahetimore. Në konsultim dhe me drejtime të dhëna nga ana e tij, në periudhën 15 deri më 19 shkurt këtë vit, Drejtoria për polici financiare në suaza të kompetencave të veta bashkëpunoi me Zyrën evropiane për hetime të mashtrimeve me fonde evropiane (OLAF) për të mbledhur provat e nevojshme, ku është siguruar pjesa më e madhe e tyre, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Në pyetjen, nëse nga OLAF-i u kanë kërkuar të dhëna ose bashkëpunim, pasi që edhe ata kryejnë hetim, nuk morëm përgjigje të drejtpërdrejtë.

Duke marrë parasysh që përdorimi i mjeteve nga IPA fondet nuk kryhet pa mbikëqyrje nga organet e BE nga fillimi i përdorimit, Prokuroria themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit më shumë herë ka kërkuar të dhëna nga OLAF, të nevojshme për rrjedhën e mëtejme të procedurës, thonë nga prokuroria.

Dhe derisa as për dy vjet nuk arritën të kontrollojnë disa transaksione bankare, OLAF e morri punën në duart e veta. Në ndërkohë, edhe organet hetimore në Greqi nisën hetimin e vetë.

“Supozohet që kompani greke e ndërtimtarisë u ka ofruar mite përfaqësuesve zyrtarë nga IRJM që të marrin kontratën e cila vlen 270 milionë euro për ndërtim të autostradës në atë vend. Punët e ndërtimtarisë në Demir Kapi-Smokvicë nisën në shtator të vitit 2012, kurse kompania greke e fitoi kontratën edhe pse kishte ofertë mjaft më të lartë prej rreth 40 milionë euro në krahasim me konkurruesit tjerë. Të përfshirë janë dega e kompanisë greke në ish republikën jugosllave të Maqedonisë dhe individë nga Greqia. Në Greqi hetimi preliminar për larje parash dhe mite është në vazhdim e sipër. Greqia ka kërkuar ndihmë ligjore nga IRJM në qershor të vitit 2014, e derisa ka pritur përgjigjen, ka kërkuar si ndihmë të ndërmjetëson Evrodrejtësia evropiane“, thuhet në raportin e OECD i shpallur vitin e kaluar.

Në atë kohë nga Ministria për transport dhe lidhje dhanë përgjigje që procedura ka qenë transparente.

OLAF: KRYEJMË HETIM PËR NDËRTIM TË AUTOSTRADËS!

Edhe pse nuk ndajnë detaje, nga institucioni evropian OLAF, nuk është rëndë të merret me mend që hetimin e kanë drejtuar kah Qeveria, ose më saktësisht kah Ministria për financa dhe Ministria për transport dhe lidhje, pasi që ato e përcaktojnë mënyrën se si do të harxhohen të hollat e fituara nga BE.

OLAF mund të pohojë që ka hetim për rastin për të cilin pyetni, “Aktor”. Sidoqoftë, pasi që hetimi është në vazhdim e sipër, nuk mund të japim çfarëdo komentare tjera. Kjo është me qëllim të mbrojtjes së konfidencialitetit të hetimeve të momentit dhe atyre që janë të mundshme në ardhmëri, procedurave të ardhshme gjyqësore, të dhënave personale dhe të drejtave procedurale. Fakti që OLAF heton nuk do të thotë që personat/subjektet e përfshirë kanë kryer mashtrim. OLAF krejtësisht e respekton parimin e prezumimin e pafajësisë  dhe të drejtën për mbrojtje të personave të përfshirë nga hetimi, tha për “Fokus”, Klaudija Kover nga Zyra evropiane kundër mashtrimeve (OLAF) e Komisionit Evropian.

Edhe pse nuk tregojnë detaje, sidoqoftë jozyrtarisht mësojmë që për këtë rast janë siguruar edhe “kallëzues”, gjegjësisht dëshmitarë të cilët janë të gatshëm të dëshmojnë në Bruksel për korrupsionin e supozuar. Nëse niset procedurë penale në Maqedoni, pritet që “kallëzuesit” të paraqiten edhe në gjykatë, në bazë të Ligjit për mbrojtje të kallëzuesve, i cili hyrë në fuqi në 18 mars të këtij viti.

Sidoqoftë, nga institucioni evropian nuk duan të tregojnë a janë paraqitur kallëzues që duan të bashkëpunojnë dhe sa janë paraqitur, me qëllim të mbrojtjes së tyre.

– Nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes tuaj. OLAF zakonisht nuk komenton pyetje të tilla. Kjo është me qëllim që të ruhen konfidencialiteti i personave që dëshmojnë për mashtrim, të hetimit të mundshëm, të procedurave të mëtejme të mundshme, si dhe për respektim të të dhënave personale dhe të drejtave procedurale, na u përgjigj Kover.

Që ka qytetarë të cilët janë të gatshëm të dëshmojnë në Bruksel për keqpërdorim të supozuar të të hollave nga fondet evropiane, kohët e fundit informoi edhe ndërmjetësuesi belg Piter Vanhaute.  Ai theksoi që ka “kallëzues” të cilët janë të gatshëm të tregojnë se si deri më 40% të të hollave nga IPA fondet, në mënyrë të paligjshme përfundojnë në xhepa private.

Bëhet fjalë për korrupsionet me përmasa të mëdha dhe mund të them që  kallëzuesit e informatave janë të gatshëm të vijnë në Bruksel dhe të dëshmojnë për keqpërdorimin e fondeve evropiane. Nuk do ë heqim dorë.

Kemi kallëzues dhe do të veprojmë.  Hetimi nuk është i rëndësishëm vetëm për këtë vend, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Ne kemi të drejtë të dimë se ku dhe si harxhohen paratë tona në këtë shtet, deklaroi para do kohe Vanhaute.

Prej OLAF na konfirmuan se në çdo kohë mund të nisin hetim mbi mënyrën se si Maqedonia i shpenzon paratë që i merr nga fondet evropiane, për shkak të dyshimeve për veprime të paligjshme, por pa mos shpalosur se sa hetime të tilla janë aktive për momentin.

– Nëse është e nevojshme, OLAF mund të heton cilindo vend që ka marr mjete financiare prej BE-së.  Baza ligjore për këtë është përcaktuar në marrëveshjet e nënshkruara mes drejtorive ose delegacioneve të Komisionit Evropian me kontraktuesit përkatës, siç janë kompanitë private, organizatat qeveritare dhe joqeveritare, qartësojnë nga OLAF.

GJYSMA E HETIMEVE TË OLAF-it KANË PËRFUNDUAR ME AKTAKUZA

Në varësi prej rezultateve të hetimit, OLAF ka disa opsione, gjegjësisht mund të ndalin për kohë të caktuar mjetet e ardhshme, të kërkojnë kthimin e mjeteve të dhëna ose të kërkojnë përgjegjësi penale për funksionarët maqedonas të përfshirë, që do zhvillohet nëpërmjet institucioneve tona. 

Malinka Ristevska – Jordanova, drejtoreshë e Institucionit për politika evropiane qartësoi se OLAF është organ që zhvillohen hetime, por nuk jep dënime. Pasi të përfundon hetimin, OLAF jep raport mbi lëndën dhe rekomandime.  .

– Rekomandimet mund të jenë të 4 llojeve: financiare, që të drejtuara institucioneve, organeve dhe agjencive të BE-së ose vendeve anëtare që i japin ose drejtojnë mjetet financiare, për kthim të mjeteve; gjyqësore – i drejton tek organet kombëtare të vendeve anëtare dhe kërkohet të merren parasysh veprime gjyqësore; disiplinore – tek organet e BE-së që kanë autorizim për procedura disiplinore kundër zyrtarëve të BE-së; administrative – tek institucionet, organet dhe agjencitë e BE-së që të gjendet zgjedhje për disa probleme në legjislaturën ose procedurën për luftë më të suksesshme kundër mashtrimeve, thotë Ristevska-Jordanova.

Ajo shton se OLAF rregullisht ndjek zbatimin e rekomandimeve nga shtetet anëtare, të cilat në afat prej 12 muaj duhet ta njoftojnë mbi masat e ndërmarra.

-D.m.th. OLAF nuk mund të imponon çfarëdo procedure gjyqësore, mundet vetëm të jep rekomandim. Sipas raportit të OLAF prej vitit 2014, në 53 për qind të lëndëve për të cilat OLAF ju ka dhënë rekomandim gjyqësor shteteve anëtare, janë ngritur aktakuza, thotë Ristevska-Jordanova.

Bashkëbiseduesja jonë qartëson se edhe mes rregulloreve për IPA të BE-së dhe marrëveshjeve kornizë mes KE dhe Qeverisë, Maqedonia duhet të respekton rregulloret  e BE-së që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të saja financiare. Gjithashtu, shteti ka detyrim që ti jep informata OLAF-it, Gjykatës së revizorëve ose Delegacionit të BE-së dhe të bashkëpunon me ato. Organet e BE-së e njoftojnë shtetin mbi hetimet e nisura. Vetëm në raste të rralla, përjashtime, organet e BE-së mund të zhvillojnë hetim edhe “në diskrecion”. 

– Kontakt pika kombëtare në Republikën e Maqedonisë për bashkëpunim me OLAF-in është Drejtoria e policisë financiare. Nëse vërtetohet mashtrim, organi kompetent i BE-së kërkon kthimin e mjeteve të marra, por mund edhe të suspendohen edhe pjesë e mjeteve të BE-së – në rastin tonë IPA. Sigurisht që pritet prej secilit shtet kandidat si dhe shtet anëtar, të vepron sipas rekomandimeve të OLAF-it, në mënyrë të prerë thotë drejtoresha e Institutit për politika evropiane. 

E DYSHIMTË ËSHTË ZGJEDHJA E KONTRAKTUESIT DHE LARTËSIA E MARRËVESHJES

Pritet që hetuesit evropian që punojnë në rastin “Aktor” të kuptojnë se si firma kontraktuese ka fituar tenderin dhe nëse çmimi i fituar është i vërtetë.  Këtu menjëherë do të hasen me disa elemente të dyshimta, që për momentin nuk i ka vërejtur prokuroria maqedonase.

Më saktësisht, investimi i përgjithshëm për ndërtimin e kësaj pjese prej 28 kilometra është 257 milionë euro, prej të cilave 130 milionë euro janë mjete të Bankës evropiane për investime, 70 milionë hua prej Bankës evropiane për rindërtim dhe zhvillim, 45 milionë grant të IPA fondeve të BE-së, kurse nga buxheti shtetëror janë siguruar gati se gjashtë milionë euro. Vlera e tenderit, marrëveshjes me kompaninë greke pa TVSH është   210 milionë euro, gjegjësisht 248 milionë me TVSH.

Nuk është e qartë pse Qeveria ka zgjedhur aq ofertë të shtrenjtë, pasi në vitin 2007, në seancë qeveritare u prezantua se autostrada do të ketë gjatësi prej 26,8 kilometra dhe do të kushton 155 milionë euro, ose për 100 milionë euro më pak!?

Atëherë drejtoresha e Fondit për rrugë magjistrale dhe rajonale, Natasha Vallkanovska, theksoi se ka pasur dy alternativa për ndërtim të autostradës.  Njëra ka qenë të ndërtohet nga ana e majtë, kurse e dyta nga ana e djathtë e Vardarit. Por Qeveria ka vendosur për autostradë në anën e djathtë të lumit, pasi ka qenë për 50 milionë euro më e lirë dhe pasi afati i ndërtimit të asaj pjese ka qenë për tri vjet më i shkurtër.

Është interesante që në vitin 2004 kryeministri Vllado Buçkovski, në drejtimin e parë para deputetëve si kryeministër, ka deklaruar se kjo autostradë, por me gjatësi prej 34 kilometra, do të na kushton rreth 150 milionë euro. Kurse në mediet e asaj kohe është spekuluar se kompanitë e huaja janë ofruar të ndërtojnë pjesën e njëjtë, gjegjësisht të investojnë 100 milionë euro, e pastaj ta marrin nën koncesion. Por, qeveria e mëvonshme në krye me VMRO-DPMNE vendos të ndryshon rrugën dhe të anashkalon Vallandovën, me këtë shkurtohet autostrada për gjashtë kilometra por shtrenjtësohet për gati se 120 milionë euro!

Përskaj rritjes hamendeshe të investimit, e dyshimtë ishte edhe zgjedhja e kontraktuesit, që zgjidhej gjysmë viti. Në tenderin për zgjedhje të kontraktues për punë të ndërtimtarisë u paraqitën 15 kompani dhe konzorciume të huaja. Edhe pse kompania italiane “Toto” kishte ofertë prej 182 milionë euro, për kontraktues më të volitshëm u zgjedh kompania greke “Aktor”, me ofertë më të lartë. Kompania italiane doli nga konkurrenca, pasi që gjatë realizimit të procedurës së tenderimit, u ndryshuan kushtet për kontraktues më të volitshëm. Nuk vlente kushti që kompanitë që konkurrojnë të kenë realizuar projekt të tillë me vlerë prej 250 milionë euro, ose së paku 60 për qind të projektit me vlerë të përgjithshme prej 250 milionë euro. Sipas kushtit të ri u zbatua kriter më i rreptë, gjegjësisht kontraktuesi duhet të dëshmon se ka  realizuar projekt më të madhe se 250 milionë euro, gjegjësisht 250 milionë eurot të jenë 60 për qind prej vlerës së tij të përgjithshme. Me kushtin e tillë praktikisht u eliminua oferta e “Toto”-së.

ЌЕ СЕКНАТ ЛИ ЕВРОПСКИТЕ ПАРИ ВО МАКЕДОНИЈА?

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kompania greke nisi me punë, kurse LSDM akuzoi se ka veprime kriminele në punën e kompanisë ndërtuese.  Nga partia pohonin se në periudhë prej një viti (prej 2013 deri 2014), secilin muaj mes njëshit dhe dhjetëshit në Maqedoni janë futur shtetas grek dhe janë drejtuar në Negotinë në degën e atjeshme të Stopanska banka. Prej aty nxjerrkan para që ua ka transferuar “Aktor” si honorar, kurse dyshimi i partisë opozitare ishte se asnjëri prej tyre nuk ka qenë i angazhuar të punon në autostradë.

Nga gjithsej 278 transaksione, nëpërmjet cilave supozohet se gjatë një viti janë nxjerr 3,5 milionë euro nga kompania greke, gati se 79 prej tyre kanë ndodhur më 5 dhjetor 2013 ose gati një muaj pasi Drejtoria për kundërzbulim financiar ka hapur lëndë pas informatave të para të pranuara, pasi prej atje kanë informuar se lënda është hapur më 11 nëntor. Pas kësaj date prej “Aktor” janë nxjerr më shumë se 1,2 milionë euro, prej atyre gjithsej 3,5 për të cilat LSDM dyshon se kanë përfunduar në xhepat (privat) të dikujt.

Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, në konferencat e shtypit pohonte se grekët, menjëherë pasi kanë nxjerr paratë, i kanë kthyer në euro në bankën e njëjtë, dhe prej aty ia kanë dhënë kontabilistes së “Aktor”, Atina Zioga. Pastaj kanë dalë prej shtetit pa paratë.  

Edhe pse partia opozitare i ka dhënë material të begatshëm për hetim prokurorisë maqedonase, si duket ata ende nuk konsiderojnë se ka pasur veprime të paligjshme ose krime. Por, është e dukshme se kjo ju ka lënë përshtypje të madhe përfaqësuesve të OLAF-it, që kanë nisur ti hetojnë provat.

Përskaj hetimit zyrtar për “Aktor”, ky institucion evropian para disa vitesh ka hetuar edhe punën e Agjencisë nacionale për programe arsimore evropiane, gjegjësisht është hetuar shpenzimi i pjesës së parave që BE-ja i ka transferuar në llogarinë e agjencisë.   Hetimi ka përfunduar me vendimin për bllokim dyvjeçar të parave evropiane për këtë agjenci, kurse në Maqedoni, siç është zakoni, askush nuk vlerësoi se duhet nisur hetim. Nëse edhe këtë herë institucionet kompetente i injorojnë rekomandimet, duket se ka shumë gjasa që arka evropiane do mbyllet për Maqedoninë. Kurse pa paratë e saja, nuk jemi në gjendje as të asfaltojmë një kilometër rrugë fshati, e sigurisht se jo autostradë.

Transparensi Interneshënëll Maqedonia zbaton projektin “Përfaqësimi i mbrojtjes së lajmëruese,përfshirë mediet dhe shoqërinë civile” i përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës. Storia hulumtuese është përgatitur në suaza të projektit, dhe nuk pasqyron qëndrimet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button