Menopauza, lidhja me osteoporozën dhe zemrën

Menopauza nënkupton ndërprerjen e ciklit menstrual. Simptomat e menopauzës mund të fillojnë shumë shpejt, të zgjasin disa muaj apo edhe vite. Simptomat janë të ndryshme; disa femra e përballojnë më lehtë, për të tjera ky është një përjetim shumë traumatik. Lidhur me problemet e menopauzës flet mjeku obstetër, gjinekologu Elton Peçi. Ai shpjegon se ç’është menopauza, shenjat me të cilat shoqërohet dhe problemet madhore e jomadhore që sjell.

Çfarë është menopauza?
Menopauza është ajo periudhë e jetës së femrës në të cilën menstruacionet pushojnë dhe nuk vijnë më kurrë. Menopauza është pjesë e procesit natyral të plakjes te femra. Në këtë fazë vezoret nuk prodhojnë më ovocite (vezë) dhe hormonet estrogjen dhe progesterone, dhe femra e ka të pamundur shtatzëninë.
Kur hyjnë femrat në menopauzë?
Mosha mesatare në të cilën femrat hyjnë në menopauzë është 52 vjeç. Megjithatë ajo mund të variojë nga 42 në 56 vjeç. Menopauza instalohet kur një femër në këtë moshë ka një vit pa menstruacione.
Çfarë është “premenopauza”?

Hyrja në menopauzë nuk ndodh brenda ditës; pra nuk është e menjëhershme. Ajo paraprihet nga një fazë disamujore ose disavjeçare që quhet premenopauzë. “Premenopauza” përfaqëson ato vite përpara instalimit të menopauzës në të cilat femra fillon të përjetojë simptomat e para të menopauzës. Por në shumicën e rasteve, në zhargonin e përditshëm femrat e përfshijnë perimenopauzën në menopauzë.
Cilat janë shenjat e menopauzës?
Menopauza, duke qenë një pjesë normale e jetës së femrës, nuk duhet të konsiderohet si sëmundje apo si problem. Megjithatë, disa femra e kanë të vështirë të përjetojnë dhe të ambientohen me simptomat e saj, që shkaktohen nga mungesa e hormoneve. Duhet pasur parasysh se femrat e përjetojnë në mënyra të ndryshme menopauzën. Disa mund të mos kenë asnjë shenjë apo simptomë, ndërkohë që disa të tjera të kenë simptoma më serioze. Shenja kryesore është ndryshimi në menstruacione, të cilat bëhen të çrregullta (shumë afër ose shumë larg), dhe kur fluksi i gjakut ndryshon (pakësohet ose bëhet më i bollshëm). Më në fund ato ndalojnë totalisht. Shenja të tjera mund të jenë pagjumësia, rritja në peshë, djersitjet natën, afshet e nxehta, lodhja, dhimbjet e artikulacioneve, tharje të vaginës, probleme me memorien, infeksione urinare, ndryshime në humor, prurit në lëkurë apo depresion. Në shumicën e rasteve këto shenja zhduken pas vitit të parë të menopauzës.
A përjetohen njësoj simptomat e menopauzës?
Menopauza është një eksperiencë që femrat e përjetojnë në mënyra të ndryshme. Mënyra e përjetimit lidhet me faktorët gjenetikë, dietën, stilin e jetës dhe qëndrimin social-kulturor ndaj femrës në ambientin ku ajo jeton. Femrat në zonat rurale dhe ato që kanë lindur shumë fëmijë ankohen shumë më pak për simptomat e menopauzës. Femrat që kanë një jetë sedentare, kanë një dietë të pasur me karbohidrate dhe yndyra, ato që kanë lindur pak fëmijë zakonisht ankohen më shumë për simptomat e menopauzës.
Çfarë është menopauza e parakohshme?
Menopauza e parakohshme ndodh atëherë kur femra hyn në menopauzë më përpara se norma. Kjo mund të ndodhë në mënyrë të menjëhershme ose graduale, në situatat e mëposhtme:

Menopauzë e parakohshme e menjëhershme:
Operacionet që shoqërohen me heqjen e ovareve.
Kimioterapia për trajtimin e kancerit.
Radioterapia për trajtimin e kancerit.
Menopauzë e parakohshme graduale:
Vezoret pushojnë funksionin e tyre shumë më përpara. Disa femra përjetojnë ndalimin shumë herët të menstruacioneve (përpara moshës 40 vjeç). Kjo situatë i detyrohet rezervës ovariane shumë të reduktuar që ato kanë.
Në të gjitha këto situata vezoret ose hiqen, ose nuk arrijnë të prodhojnë më hormone. Femrat që hyjnë në menopauzë në mënyrë të menjëhershme dhe para kohe i përjetojnë më shumë simptomat e menopauzës, dhe për këtë arsye kanë nevojë për terapi hormonale zëvendësuese.
Si duhet të përgatiten femrat për menopauzën?
Menopauza është një stad i rëndësishëm në jetën e femrës. Për disa mund të jetë një periudhë e vështirë, e pasur me probleme fizike dhe emocionale. Për disa të tjera ajo është një periudhë rilindjeje. Jo më kot shumë femra përjetojnë një rritje të aktivitetit fizik në menopauzë, që quhet ndryshe edhe zelli i menopauzës.
Problemet madhore të menopauzës
Problemet më serioze që një femër mund të përjetojë gjatë menopauzës janë ato të lidhura me osteoporozën dhe zemrën.
Osteoporoza: Çdo ditë trupi i njeriut “shkatërron” indin e vjetër kockor, duke e zëvendësuar me ind të ri kockor. Në këtë rigjenerim estrogjenët kanë një rol kryesor. Menopauza karakterizohet nga mungesa e estrogjenëve dhe për këtë arsye rigjenerimi i kockave nuk ndodh. Për këtë arsye ato bëhen më poroze dhe shpesh frakturohen me lehtësi. Frakturat më të shpeshta që jep osteoporoza te femrat në menopauzë janë ato të qafës së femurit dhe ato të vertebrave. Kjo gjendje quhet osteoporozë. Për këtë arsye femrat që janë mbi 45 vjeç duhet të kryejnë ekzaminime specifike rutinë për dendësinë e kockave (densitometria kockore).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button