Tekst që nxit urrejtje!

[Recension: Përmendorja e fyesit të Profetit Muhamed do të vendoset në mes të Shkupit]

Gazetari duhet të ketë kujdes kur raporton për çështje të ndjeshme, si ato që prekin aspektin e fesë dhe besimit. Ai asnjëherë nuk guxon të jetë tendencioz dhe të nxisë urrejtje, posaçërisht në një shoqëri heterogjene siç është shoqëria jonë në Maqedoni.

Tre përmendoret e planifikuara të vendosen në qendër të Shkupit, tanimë kanë hyrë në territorin e Republikës së Maqedonisë, në mes tyre edhe Pjetër Bogdani, një urrejtës i ashpër i shqiptarëve musliman, transmeton portali Ilirida.net

Kujtojmë që Kodi Etik i gazetarëve, përcakton qartë se: “Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me dinjitetin dhe respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe religjioze në Maqedoni”.

Paragrafi në vijim është baza e nxitjes së urrejtjes. Në të kumtohet që në rrjetet sociale kanë filluar të bëhen thirrje kundër vendosjes së këtij busti, mirëpo askund në tekst nuk ka bashkëngjitur së paku disa reagime ose thirrje të tilla, për të dëshmuar atë që thuhet. Kështu si është publikuar, ky informacion është tendencioz dhe nuk kryen rolin primar të tij, përkundrazi, jep mesazhe nxitëse që mund të shkaktojnë urrejtje dhe konflikt.

Në rrjetet sociale kanë filluar të bëhen thirrje kundër vendosjes së bustit të tij në Shkup, ku shumica e shqiptarëve i përkasin fesë Islame, duke e kritikuar ashpër BDI-në e Ali Ahmetit dhe duke paralajmëruar protesta për tu ndalur ky krim kundër muslimanëve.

Përmendorja e fyesit të Profetit Muhamed screenshotLinku deri te artikulli origjinal: “Përmendorja e fyesit të Profetit Muhamed do të vendoset në mes të Shkupit”
Data dhe koha e publikimit: 18.05.2016
Data e recensionit: 19.05.2016
Recensues: Adrian Kerimi

Në një rast si ky, kur një gjë si vendosja e bustit nxit reagime tek njëri ose tjetri komunitet fetar (në rast se është e vërtetë se ka reagime, pasi në tekst nuk dëshmohet askund një gjë e tillë), gazetari është i detyruar të kontaktojë institucionet përgjegjëse dhe të kërkojë qëndrimin e tyre në lidhje me reagimet e para për vendosjen e bustit të Pjetër Bogdanit. Në këtë rast gazetari ka qenë i detyruar të kërkojë qëndrim nga institucioni i cili ka ndërmarrë iniciativën për vendosjen e kësaj figure në Shkup. Në rregull do të ishte sikur qëndrim të ishte kërkuar edhe nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë i cili është institucioni që mbron dhe përfaqëson komunitetin mysliman në Maqedoni.

Në disa libra të Pjetër Bogdanit, Profeti Muhamed akuzohet si i dhënë pas kurvërisë, hipokrit.
Për Islamin ai thotë: “Islami është frymëzim i dreqit”. Urrejtja e Pjetër Bogdanit kundër fesë Islame dhe Kur’anit Fisnik shkon deri në atë shkallë, sa ai kërcënon që “me gjak e me shpata do të shlyente gjurmët sakërlegje të Kur’anit”. / ilirida.net

“Lajme” si ky, publiku nuk ka arsye t’i besojë. Kjo pasi i gjithë informacioni është marrë nga një portal tjetër informativ (thënë kështu kushtimisht), është transmetuar si i verifikuar dhe i konfirmuar, por që në asnjë rast nuk është përcaktuar masa autentike e informacionit, burime dhe dëshmi, e as vlerësime të ekspertëve apo palëve të prekura. Teksti ka përfunduar pa autor, gjë që është bërë tashmë e zakonshme për një numër të madh të teksteve në portalet informative. Në këtë mënyrë mjegullohet opinioni me informacione,  të cilat edhe në qofshin të vërteta, të nxjerra jashtë kontekstit të shekullit të XVII dhe të vendosura në shekullin XXI,  mund të nxisin reagime dhe dhunë, e që pas të njëjtave nuk ka një person të nënshkruar, i cili do të merrte përgjegjësinë për fjalën e thënë në publik.

 

Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button