Po e vonuat një muaj pagesën, do të ju ndalet rryma

Qytetarët ankohen se tani një muaj të vonojnë pagesën menjëherë do të ketë urdhër për shkëputje nga EVN.

Ata pohojnë se këto telefonata kanë filluar ti marrin që nga fillimi i muajit shkurt.

“Ne jemi rast social dhe rrymën e paguajmë por jo edhe aq me rregull. Për shembull tre muaj nuk kemi të holla dhe nuk e paguajmë dhe më pas gjendemi disi dhe paguajmë nga dy apo tre fatura menjëherë, kurse tani na lajmëruan dhe na thanë që nëse nuk e  paguajmë faturën e muajit dhjetor që ka ardhur në fund të janarit, do të na shkëpusin nga rrjeti i energjisë elektrike”, tha Sh.B, nga Shkupi.

Zëdhënësja e EVN-së, Vlera Gjakova bën të ditur se afati për pagesë të faturave, vërejtjet dhe shkyçjet janë të përshkruara dhe të vërtetuara dhe me Ligjin për energjetikë dhe rregullave të Rrjetit për distribuim të energjisë elektrike të cilat aplikohen në vazhdimësi dhe të njëjtat nuk ndryshojnë.

“Pas dorëzimit të faturës të shpenzuar të energjisë elektrike, konsumatori duhet të paguajë faturën në afatin kohor që është specifikuar edhe në faturë. Pas skadimit të afatit me faturën e ardhshme EVN Maqedoni paralajmëron konsumatorin se ka borxh të mbetur. Nëse edhe pas këtij afati nuk paguhet fatura, ata konsumatorë që kanë lënë kontaktet e tyre në kompaninë tonë dhe me ata që arrijmë të kontaktojmë, i informojmë që kanë fatura të papaguara ose që për ata është përgatitur urdhër për shkyçje”, tha për Portlab, Gjakova. 

Ndërkaq përveç shumave marramendëse të këtyre faturave, qytetarët qajnë hallin edhe të pagesës së rregullt, për të cilën thonë se nuk kanë mjete financiare dhe i frikësohen shkyçjes dhe mbetjes në errësirë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button