Opozita shqiptare dënon ashpër “Korenë e Veriut” në Maqedoni

Partitë opozitare/jashtëparlamentare shqiptare në Maqedoni që moti janë deklaruar kundër zgjedhjeve të 5 qershorit, edhe atëherë kur BDI, partnerja e VMRO-DPMNE-së në Qeveri, konsideronte se 5 qershori është datë adekuate për zgjedhje, shkruan Portalb.

Të njëjtat nuk kanë lëvizur nga qëndrimet edhe sot. Mirëpo, tani kur VMRO-DPMNE-ja do të shkojë në zgjedhje e vetme cilësojnë se kriza në vend do të thellohet më tepër. Protagonistët e opozitës theksojnë se vendi është në rrezik dhe se shumë lehtë mund të bëhet një Bjellorusi e Ballkanit.

“Zgjedhjet e 5 qershorit nuk mund të jenë asnjëherë legjitime. Nëse mbahen atëherë vendi izolohet tërësisht, vendi bëhet Bjellorusi”, tha për Portalb Vesel Memedi kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Faton Aliti është skeptik se VMRO do të heq dorë nga abolimi dhe mendon se pikërisht ky është kushti i tyre për t’u thirrë Kuvendi dhe të anulohen zgjedhjet.

“Jam i mendimit se ky kusht nuk do të pranohet nga Opozita në tërësi si dhe nga ndërkombëtarët. Rrjedhimisht, druaj se do të pasojë krizë edhe më e thellë si pasojë e sanksioneve nga ndërkombëtarët, sepse Zgjedhje ku nuk ka ç’të zgjedhësh meqenëse dikush me çdo kusht tenton të garojë me vetveten, nuk mund të lejohen në mes të Europës, pa u sanksionuar. Është kohë e fundit që të bashkohen të gjitha forcat politike dhe qytetare që janë kundër këtij regjimi, pa dallim të përkatësive politike, etnike, fetare etj. dhe të ndërtohet Shteti Ligjor i barabartë për të gjithë pa dallim. Them se është koha e fundit sepse po që se pas këtij procesi Maqedonia nuk del me baza të forta për të ndërtuar Shtet ku funksionon Demokracia në plotë kuptimin e fjalës, atëherë rrezikojmë që të vijmë para dilemës “të jemi apo të mos jemi”. Dhe kjo, kam bindjen se në rrethanat ku gjendemi, do të ishte fatale për të gjithë ne pa dallim”, potencoi Aliti.

Afrim Gashi, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA vlerëson se në thelb ky proces nuk mund të quhet zgjedhje, sepse nuk kemi së paku dy opsione për të zgjedhur.

“Pra, ky teatri që po përgatitet për 5 qershor as nuk mund të quhet zgjedhje e lëre më të pranohet si proces zgjedhor në një shtet demokratik. VMRO-ja apo me saktë Nikolla Gruevski ka zgjedhur një rrugë e cila e ka vënë gjithë vendin në rrezik. Rreziku i cili i kanoset Maqedonisë vjen nga kriza e thellë politike, ekonomike, e sigurisë gjegjësisht një krizë e thellë institucionale dhe sistemore. Dhe, e gjithë kjo për te shpëtuar kokën Nikolla Gruevski dhe familjarët e tij. Kjo është e pa justifikueshme dhe në kufi me çmendurinë. Megjithatë besoj se protesta e 9 majit dhe i dërguari special gjerman për Maqedoninë, z. Hajndëll janë dy momente shprese se megjithatë do ketë zgjidhje. Edhe pse do të jetë rëndë dhe ngadalë, jam i bindur se krizës i shihet fundi”, tha Gashi për Portalb.

Sipas Muhamed Ismailit, sekretar gjeneral i partisë UNITETI, as që mund të bëhet fjalë për zgjedhje, kur qytetari ka një opsion të vetëm për të zgjedhur.

“Në rastin në fjalë, jo vetëm se duhet qytetari të ketë më tepër mundësi për të zgjedhur, por ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës, përndryshe, një qeveri e tillë nuk do njihet ndërkombëtarisht. Këtë qartë e ka shprehur edhe BE edhe SHBA tanimë. UNITETI, sikur edhe pjesa tjetër e opozitës dhe faktori ndërkombëtar, është deklaruar qartë se regjimi aktual duhet ta lëshojë nga kthetrat pushtet e rrëmbyer me manipulime, keqpërdoruesit e pushtetit të përgjigjen para drejtësisë, që nënkupton të mundësohet puna e Prokurorisë speciale dhe të formohet Gjykatë adekuate, të plotësohen kushtet tjera për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe pastaj ato të realizohen. Kjo që po bën tani VMRO-DPMNE nuk është tjetër përveç një teatër, për të blerë kohë në tentim të shpëtimit të vetes”, tha për Portalb Ismaili.

Arben Taravari, sekretar gjeneral i LR-PDSH-së është i mendimit se VMRO-DPMNE ka zgjedhur një rrugë të gabuar, rrugë qorre. “Besoj që VMRO-DPMNE tanimë po bën pazare, ta shpëtojnë veten. Por, jam i sigurt se më 5 qershor nuk do të ketë zgjedhje në Maqedoni. Shumë shpejt do të ketë marrëveshje të re, ku do të tërhiqet vendimi për abolimin e politikanëve”, theksoi ai për Portalb.

Sipas Librit të afateve për kryerjen e veprimeve zgjedhore, sot fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 5, ku do të marrë pjesë vetëm VMRO-DPMNE-ja./Portalb

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button