Hasani: Së bashku të festojmë Kupën

Optimizëm, atmosferë pozitive, e relaksuar por edhe maksimalisht profesionale mbizotëron në radhët e Shkëndijës, që duket e mobilizuar në nivel të lartë para finales së Kupës së Maqedonisë. Ekipi mbrëmë ka kryer përgatitjet përfundimtare para duelit të vlefshëm trofe, ndërsa futbollistët me optimizëm presin sfidën e rëndësishme që ekipit mund t’i sjellë trofeun e parë dhe historik në Kupën e Maqedonisë. Disfatat në vitin 2006 nga Makedonija Gj.P. dhe në vitin 2013 me Teteksin i takojnë të së kaluarës, pasi ndërkohë Shkëndija vitin 2011 ka fituar kampionatin dhe Super Kupën, ndërsa tani gjithë vëmendja drejtohet ka Kupa që duhet të kompletojë në vitrinat ‘kuqezi’ trofetë e futbollit vendor.

Ferhan Hasani

“Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Si që e dijmë edhe vetë Shkëndija për herë të tretë luan në finalen e Kupës së Maqedonisë. Kjo për mua do të jetë hera e parë që luaj në finale, por shpresoj se edhe për mua edhe për Shkëndijën kjo Kupë kësaj rradhe do të jetë e jona. Jemi të qetë dhe të gatshëm me angazhim maksimal të të gjithë lojtarëve të fitojmë Kupën”, shprehet kapiteni Ferhan Hasani, që apelon sa më shumë tifozë të udhëtojnë drejt Shkupit për të mbështetur ekipin në sfidën finale. “Për Ballistët nuk kam çka të flas, ata gjithmonë e kanë treguar veten dhe nuk dyshoj se do të jenë në numër të madh. Por unë kisha dashur të bëj apel për tifozët tjerë të Shkëndijës që të vijnë në numër sa më të madh dhe të na përkrahin që në fund së bashku të festojmë Kupën”, përfundoi Hasani.

Trajneri Bruno Akrapoviq me stafin e tij teknik të dielën në mbrëmje zhvilluan seancë stërvitore në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, duke filtruar edhe dilemat e fundit para sfidës finale. Gëzon përkushtimi dhe optimizmi i futbollistëve, që presionin kërkojnë ta kthejnë në motiv për të fituar takimin me kundërshtarin e respektuar Rabotniçkin.

Për këtë ndeshje janë grumbulluar gjithë 23 futbollistët që janë në dispozicion, përfshi edhe të rinjtë Arbin Zejnullai dhe Shefit Shefiti, ndërsa pak para takimit do të vendoset për 11-shen që do fillojë ndeshjen dhe 7-të tjerët që do të qëndrojnë në pankinë. Skuadra sot në mëngjes kishte një seancë të lehtë stërvitore, ndërsa pas dite udhëton drejt Shkupit, ku përballja finale luhet sonte në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ me fillim nga ora 20:00.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button