Këshilli Opozitar: Protesta e suksesshme, ne jemi zëri legjitim i shqiptarëve

Sipas përllogaritjeve të Këshillit Opozitar në protestë të 9 majit morën pjesë rreth 30.000 njerëz nga të gjitha anët e Maqedonisë.

“Dje u përdëftua se shqiptarët e Maqedonisë përfundimisht i kanë deligjitimuar dy partitë e deritanishme shqiptare dhe në këtë mënyrë u legjitimua opozita e njëmendtë shqiptare, që dje u mblodh rreth Këshillit Opozitar. Protesta përcolli edhe një mesazh të rëndësishëm – që shqiptarët në bisedimet për zgjidhjen e krizës duhet të përfaqësohen nga ky zë opozitar, duke konsideruar se dy partitë shqiptare, që janë pjesë e asaj tavoline, janë vetëm përkthimi shqip i qëndrimeve të VMRO-së.  ”thanë sot nga Këshilli në një konferencë për media.

Nga këshilli potencuan se në protestë fjalë rasti patën vetëm anëtarët e Këshillit Opozitar.

“Këshilli Opozitar në veçanti e falënderon Lëvizjen BESA, që me strukturën e saj e bëri punën më të madhe për suksesin e kësaj proteste. Këshilli i falënderon edhe subjektet e tjera politike që morën pjesë në këtë protestë: Partinë për Prosperitet Demokratik të përfaqësuar nga z. Faton Aliti, Rilindjen Demokratike Kombëtare, të përfaqësuar nga z. Fadil Zendeli, partinë UNITETI, si dhe Lëvizjen për Reforma në PDSH. Kështu u dëshmua se Këshilli Opozitar mund të jetë një strumbullar që e ndërton indin e opozitës shqiptare dhe se ky është një opsion i suksesshëm për shqiptarët e Maqedonisë.  Këshilli i falënderon edhe OJQ-të e vendit dhe të mërgatës, si dhe personalitetet e tjera shqiptare, që nuk identifikohen në emblema partiake, por që janë opozitarë dhe dje ishin aty në atë cilësi. I falënderojmë po ashtu edhe shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, por edhe të mërgatës, që dje kishin udhëtuar nga skaje të largëta për ta mbështetur këtë protestë.” thanë sot nga Këshilli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button