fbpx

Bexheti: Kriza politike ka ndikim të konsiderueshëm mbi ekonominë

Situata e pasigurtë politike ka shkaktuar frikë të përgjithshme tek qytetarët lidhur me gjendjen ekonomike, ndërsa Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë (BPRM), ka korrigjuar projektimet paraprake për rritje ekonomike prej 3.5 për qind në 1.6 për qind. Banka Popullore ka rritur shkallën kamatore në bonot e thesarit për 0.75, prej 3.25 në 4 për qind.

“Vendimi për shtrëngimin e politikës monetare, është reagim i kërkesës së rritur të devizave dhe trysnisë mbi bazën depozitare të bankës, të cilat në tërësi janë si pasojë e pritjeve të përkeqësuara të subjekteve ekonomike, të shkaktuara nga gjendja jostabile politike”, njoftuan nga Banka Qendrore.

Prej këtu sqarojnë se me këtë ndryshimi i shkallës kamatore është si përgjigje e efektit të fakorëve të natyrës joekonomike. Nga ana tjetër, BPRM edhe më tej i vlerëson fundamentet ekonomike si të shëndosha, pa praninë e jobalancimeve më të mëdha në ekonomi.

Bexheti: Reagimi i BPRM është i mirë

Abdulmenaf Bexheti, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për lëndët e sferës së makroekonomisë dhe financave publike në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) thotë se kriza strukturale, prej para një viti ka ndikim të konsiderueshëm mbi ekonominë në tërësi, duke theksuar se ndjeshmëria e politikave monetare edhe e sektorit financiar, është e tillë, ku edhe me herët janë paralajmëruar spekulime të tilla lidhur me atë se mund të vjen deri te devalvimi i njëkahshëm i denarit, në bazë të së cilës priten edhe reagime të caktuara.

“Ajo që është pozitive në rrethana të tilla, ishte reagimi i Bankës Popullore të Maqedonisë me masat që i bëri, rriti shkallën bazike kamatore edhe atë në masë të konsiderueshme, por qëllimi ishte që të dërgohet porosi e padyshimtë për vendosshmërinë e këtij institucioni për stabilizimin makroekonomik. Mendoj se kanë bërë mirë, para se gjithash. Mendoj se është bërë në kohën e duhur dhe në këtë mënyrë nënkuptohet, porosia u pranua, nga sektori financiar i bankave komerciale si dhe nga institucionet tjera”, konsideron ai.

Mes tjerash Bexheti thekson se, spekulimet mund të sjellin devalvim të caktuar. Sipas tij, turbulencat lidhur me atë bënë që qytetarët dhe kompanitë ti shndërrojnë kursimet e tyre denarë në deviza, dhe për një periudhë të shkurtër shkaktuan efekt të caktuar mbi sektorin financiar. Por, megjithatë, ai beson se ende nuk ka bazë reale për frikë më të madhe nga efektet negative.

“Për disa ditë u shpenzuan disa dhjetëra, mijëra e miliona euro, gjegjësisht u konvertuan, ashtu që, prej këtu ato pritje, ato tendenca dhe ky veprim tregon se nuk ka arsye reale ekonomike dhe indikatorë që sugjerojnë se me të vërtetë do të vjen deri te kjo”, thotë ai.

Duke theksuar këtë, akademiku Bexheti përkujton se indikatorët ekonomik tregojnë se tani për tani nuk ka mundësi të vijë deri te devalvimi i njëkahshëm.

“Indikatori i parë është lidhur me bilancin pagesor që sillet diku rreth 2.5 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe ky është niveli më i ulët në 10 vitet e fundit, që do të thotë se pozita e bilancit pagesor të vendit është relativisht stabile. Indikatori tjetër është niveli i rezervave devizore që shteti i ka mbi 2.3 miliardë euro të mjaftueshme, që minimum të mbulojnë import tremujor, ndërsa ne kemi diku mbulim prej 5 deri në 5.5 import mujor. Këto dy indikatorë tregojnë se nuk ka nevojë për ndonjë alarm apo shqetësim që të vijë deri te devalvimi i njëkahshëm”, është i bindur Bexheti.

Megjithatë kujton se, reagimi i tregut të devizave tregon se ka një zhvlerësim të caktuar të denarit sepse siç thekson ai, diku spekulohej madje deri në 62.5 – 62.6 denarë, krahas asaj se bankat shitën deviza madje me 61.7 denarë.

“Kjo do të thotë se njëkohësisht vjen deri te dallimi prej një denari të plotë që është dallim i madh i tregut, në njërin segment të tregut – këmbimoreve dhe segmenti tjetër – bankat, ashtu që e gjithë kjo krijoi pritje joracionale nga ana e qytetarëve dhe do të vazhdonte shumë më thellë në të”, deklaroi Bexheti.

Do të rriten shkallët aktive kamatore, faturën do ta paguajë sektori real

Duke komentuar masat e ndërmarra të BPRM-së, ai thekson se masat do të ndikojnë shumë pozitivisht në pjesën e stabilizimit të politikës makroekonomike, por megjithatë në afat të mesëm, në tre e më shumë muaj, mund të ndikojë negativisht mbi rritjen ekonomike.

“Andaj, jo rastësisht, paralelisht me këtë, menjëherë një ditë më pas, Banka Popullore i ndryshoi projektimet prej 3.5 në 1.6 për qind, që do të thotë se rritja është korrigjuar për diku rreth 2 pikë të përqindjes, meqë do të shtrenjtohen burimet, gjegjësisht paratë, dhe varet si do të reagojnë bankat komerciale, por është racionale që të pritet rritja e kamatave aktive, por njëkohësisht nuk do ta shoqërojnë me rritje të kamatave pasive të depoziteve”, theksoi Bexheti, duke shtuar se ky dallim sigurisht do të ndikojë në fitimin e sektorit financiar në afat të mesëm, por e gjithë kjo është bartje nga sektori real, që sjell deri te konstatimi se “faturën” do ta paguajë sektori real.

Gërshetimi i politikës dhe ekonomisë

Politika dhe ekonomia janë në korelacion të drejtpërdrejtë, andaj nuk mund të anashkalohen ndodhitë në sferën politike, për çka akademik Bexheti paralajmëron se nëse “vazhdon sjellja e tillë kaotike e institucioneve dhe pa caktimin e datës së re të zgjedhjeve, gjegjësisht, përfundimit të kësaj turbulence, sigurisht se kjo do të ketë ndikim të madh mbi përkeqësimin e gjendjes ekonomike për çka do të ketë “faturë” të veçantë, por pa saktësim konkret se cilët sektorë dhe në cilën mënyrë do të preken, duke konsideruar se duhet pritur zhvillimi i ngjarjeve.

“Sidoqoftë sektori real do të dështojë, nga ana tjetër sektori fiskal do ta paguajë çmimin më të lartë, sepse shteti do të ketë nevojë gjithnjë e më shumë të shpenzojë, ndërsa pagesa e tatimeve është gjithnjë më e ulët. Ky dallim që do të paraqitet do ta përkeqësojë kornizën tashmë të përkeqësuar, gjegjësisht hapësirën fiskale e cila tashmë është harxhuar dhe s’ka hapësirë”, sqaron eksperti ekonomik Bexheti. Duke e konsideruar si pikë më kritike tani edhe në të ardhmen bilancin e paekuilibruar fiskal dhe jokonsolidimin fiskal.

Megjithatë Bexheti thekson se në afat të mesëm nuk ka nevojë për alarm, me këtë rast duke u bërë thirrje elitave politike për sjellje më të përgjegjshme.

“Në afat të shkurtër deri ne tre muaj, nuk ka nevojë për alarm por varet nga dinamika e krizës dhe si do të zhvillohen gjërat më tej, por partitë politike doemos duhet të veprojnë në mënyrë më të përgjegjshme”, konstaton Bexheti.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close