Dervishi: Pas Car Dushanit, radhën e ka Slobodan Millosheviqi

Vendosja e përmendores së Car Dushanit në Shkup, në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, irritoi tej mase historianët të cilët dinë mirë historinë e këtij perandori dhe sqaruan provokimin e madh që po i bëhet shqiptarëve në Maqedoni.

Historiani Nebi Dervishi sqaron historinë e këtij perandori serb, pasi që sipas tij shumica e qytetarëve nuk e dinë saktësisht se sa është i madh ky provokim që na bëhet.

“Car Dushani ishte perandor serb i cili në vitin 1349 mori pushtetin në duart e tij, dhe u vetë shpall perandor i serbeve, shqiptarëve dhe grekëve. Ai maltretoi, torturoi dhe vrau shumë shqiptarë të Shkupit të cilët në atë kohë ishin katolik dhe me dhunë donte që t’i shndërrojë ata në fenë ortodokse”, tha Dervishi.

Ai shtoi se nuk është bërë gjenocid ndaj shqiptarëve të Shkupit por ndaj gjithë shqiptarëve si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, duke pasur parasysh se këto treva hynin nën sundimin serb në atë periudhë kohore.

Sa i përket (jo)reagimeve të partisë shqiptare në pushtet, Dervishi thekson se nuk habitet me heshtjen e tyre.

“Të gjitha partitë politike janë fajtore për këtë që po na ndodh neve tani. E para pari në pushtet e nënshkroi këtë projekt kurse kjo tani po e vazhdon realizimin e tij. Deri më tani politikanët kanë dëshmuar se nuk u intereson kultura, historia dhe gjuha, të gjithë vrapojnë vetëm pas tenderëve”, tha Dervishi.

Ai madje tha se nuk do të habitet edhe nëse nesër e sjellin edhe përmendoren e kriminelit Sllobodan Millosheviq, ngase ashtu si kanë filluar mund të ndodh që edhe atë ta fusin ne këtë projekt shkatërrues dhe diskriminues për shqiptarët dhe për vetë shtetin.

Ndërkaq nga BDI, ende nuk ka reagime dhe nuk kanë dalë me qëndrim në lidhje me këtë çështje. Të kontaktuar nga Portalb ata vazhdojnë të heshtin.

Sot ka reaguar edhe lëvizja Zgjohu! ndërsa dje partitë opozitare RDK dhe LSDM. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button