Forumi 2BS në Budva, Maqedonia mund të ndjek shembullin e Malit të Zi

Bosnjë e Hercegovina (BeH) dhe Maqedonia mund të ndjekin shembullin e Malit të Zi, sa i përket rrugës drejt anëtarësimit në NATO, kurse aplikimi i BeH-së për në NATO do të thotë një fazë të re për sigurinë në rajon, deklaruan sot në Budvë presidentët e Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë Filip Vujanoviç, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe Borut Pahor, raporton Anadolu Agency (AA).

Në debatin e sotëm presidencial në temën “siguria e përbashkët – përgjegjësia e përbashkët”, ku të pranishëm ishin presidentët e Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë, u diskutua për rrugën e Malit të Zi në NATO dhe anëtarësimin e mundshëm në të ardhmen të BeH-së dhe Maqedonisë.

Presidenti malazez Filip Vujanoviç tha se kjo është një periudhë me sfida të shumta globale, por është e rëndësishme që Mali i Zi sa më shpejt të bëhet anëtare e NATO-s.

“Duhet të flasim që të respektojmë dhe të pranojmë reformat në fushën e mbrojtjes. Kjo është një nismë e fuqishme e BeH-së dhe Maqedonisë, kështu që të gjitha vendet nga rajoni kanë aspirata të anëtarësohet në NATO. BeH-së dhe Maqedonisë i uroj suksese, dhe dëshiroj që shembulli i Malit të Zi të shërbejë si një shembull i mirë për të gjithë”, tha Vujanoviç.

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor tha se ishte shumë i kënaqur që Mali i Zi së shpejti do të marrë ftesën për anëtarësim të plotë në NATO.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme se si do të shkojë procesi i ratifikimit. Sllovenia do ta bëjë këtë në qershor. Është thelbësore që të gjitha 28 vendet sa më shpejt të jetë e mundur ta kryejnë këtë çështje”, tha Pahor.

Ai theksoi se absolutisht e respekton vendimin e Serbisë për mos aplikim për anëtarësim në NATO, “ashtu siç respektoj vendimin e Malit të Zi për aplikim në NATO”.

Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç tha se në NATO nuk ka vende të vogla dhe se çdo njëri është i madh aq sa punon.

“Filloni të mendoni tani se cili do të jetë kontributi konkret i Malit të Zi, për çfarë do të jetë e njohur, e vlerësuar dhe e rëndësishme Mali i Zi, për t’u përgjigjur kur të diskutohet në tryezën e rrumbullakët të NATO-s dhe më vonë edhe të BE-së”, tha presidentja kroate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button