Adem Demaçi u shpall Doktor nderi i shkencave i Universitetit të Tetovës

Universiteti i Tetovës, me një ceremoni solemne, të mbajtur më 4 maj 2016, në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit, ku morën pjesë personalitete të larta nga jeta akademike, diplomatike, politike dhe shoqërore nga vendi, Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës si dhe nga të gjitha trevat etnike shqiptare, Nderit të Kombit,  Adem Demaçi i ndau çmimin Doktor nderi i shkencave (Doctor honoris causa) i Universitetit të Tetovës. Këtë titull të lartë shkencor Universiteti ynë e ndan për personalitete të njohura, të cilët kanë punuar fuqishëm në avancimin e shkencës në përgjithësi dhe kanë kontribuar për lirinë, demokracinë dhe të drejtat universale.

“Këtë titull, Universiteti ynë ua ndan personaliteteve më të njohur, për rezultate të jashtëzakonshme, të arritura në shkencë dhe për të mirën e njerëzimit. Universiteti i Tetovës i ndan z. Adem Dermaçi titullin Doctor honoris causa për flijimin e tij deri në vetëmohim për çështjen kombëtare, për kontributin e jashtëzakonshëm prej humanisti dhe sendërtuesi të ideve universale demokratike, për sakrificat sublime për arsimin, kulturën dhe shkencën shqiptare, si dhe për mbështetjen e parezervë të Universitetit të Tetovës. Kjo ngjarje është e veçantë për studentët, profesorët dhe stafin administrativ të Universitetit tonë, jo vetëm për faktin se nderohet një nga personalitetet historike të kombit, por mbi të gjitha në mendjen e popullit shqiptar të këtyre trevave dhe kudo, simboli i rezistencës Adem Demaçi është burrështetasi që më së shumti kontribuoi për lirinë dhe arritjen e objektivave kombëtare. Figura e tij poliedrike,  shërben si një shembull i shkëlqyer se në saje të sakrificave mbinjerëzore nën persekutim, intelektuali vizionar e qëndrestari i pashoq, shndërrohet në vlerë të përjetshme për kombin që i takon. Baca Adem, sigurisht se nuk ka nevojë për shumë lëvdata nga ne, por  çdonjëri prej nesh ka detyrime ndaj këtij atdhetari të rangut më të lartë, një personaliteti të rrallë e të jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore. Kontributi i padiskutueshëm i Adem Demaçit edhe në sferën arsimore dhe shkencore, angazhimi i tij në jetën politike dhe shoqërore, angazhimi dhe kontributi i tij për lirinë, paqen dhe stabilitetin, janë porosia më e madhe se si duhet të kontribuojnë intelektualët për të ardhmen e kombit të tyre”, tha Rektori i UT-së Vullnet Ameti.

Ai, po ashtu tha se Adem Demaçi do të mbetet gjatë në kujtesën tonë, pasi që ka lënë gjurmë të pakontestueshme në luftën e tij të çlirimit kombëtar. “Gjatë jetës nëpër burgje (29 vjet të plota), Adem Demaçit nuk kanë mundur t’ia thyejnë shpirtin e lirisë. Ai vazhdonte ta ngrinte zërin për të denoncuar një realitet të tmerrshëm: shtypjen e mbi dy milionë shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Shprehja e fjalës së lirë është etapa e parë dhe e domosdoshme në rrugën e demokracisë.  Haptas do të shprehej: pa shprehje të lirë të fjalës, nuk ka dialog, pa dialog është vështirë ta zbulojmë të vërtetën, dhe pa të vërtetën progresi është i pamundur në një shoqëri demokratike. Filozofia e mendimeve politike të Adem Demaçit është shumë e thjeshtë dhe shumë e kuptueshme. Mendimet e tij politike nuk kanë nevojë të analizohen për ta kuptuar se çka ka dashur të thotë. Adem Demaçi nuk filozofon shumë për të kërkuar pak. Nuk flet pak për të thënë shumë. Flet vetëm atë që duhet thënë dhe gjithmonë e thotë thelbësoren. Ai e kërkoi me ngulm vetëm atë që popullit tonë i takon: Lirinë. Personalitetet politike evropiane e amerikane i citojnë mendimet politike të Adem Demaçit dhe i çmojnë si perla të filozofisë politike përmes të cilave Adem Demaçi lë gjurmë të pakontestueshme në luftën e tij të çlirimit kombëtar. Mendimet e Demaçit janë aq të vlefshme e të çmueshme sa ato do të qëndrojnë dhe rezistojnë edhe në një ardhmëri shumë të largët. Të bindur që arsimi në ditët e sotme e ka rolin kryesor në ruajtjen dhe zhvillimin e një kombi, ne gjithë së bashku duhet të përkulemi me respekt për gjithë ata që me punën e tyre dhe përpjekjet titanike e ndriçuan rrugën e gjeneratave të reja. E nderuara familja Demaçi, ngjarja e sotme, ku Ju jeni të pranishëm, e nderon Universitetin tonë, dhe për stafin akademik, studentët, paraqet ditën më të shënuar për institucionit tonë dhe të gjithë ne. Në emrin tim personal dhe në emër të Universitetit të Tetovës, kam kënaqësinë e veçantë ta shpalli të hapur këtë manifestim madhështor”, shtoi Ameti.

Më pas, në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe dikasterit që ajo drejton, fjalë rasti mbajti edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila vlerësoi se çdo gjë që të thuash për Adem Demaçin është gjithmonë pak në raport me veprën e tij. “Ndaj, sot nuk po nderojmë Adem Demaçin, sot po nderojmë, po ndihemi krenar dhe po reflektojmë për historinë tonë, historinë e fund shekullit të kaluar dhe fillimit të shekullit të ri. E asaj plejade bijsh të mëdhenj të kombit, që krahas veprimtarisë intelektuale e politike, historia e krijimtarisë së tyre dhe posaçërisht sot, e njërit prej tyre, profesor Adem Demaçit, renditet si një shtyllë e fuqishme që lartësojnë vlerat e profesoratit dhe të Universitetit tuaj. Faleminderit Baca Adem!”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në emër të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në këtë ceremoni pjesëmarrësve me fjalë përshëndetëse ju drejtua këshilltari i tij, Ismail Syla, i cili lexoi fjalën e presidentit Hashim Thaçi, ku mes tjerash thuhej se me këtë akt udhëheqësia e Universitetit të Tetovës për këtë nder që i ka bërë figurës dhe emrit të Adem Demaçit, e ka nderuar gjithë Kosovën dhe popullin shqiptar ku do që janë.

Zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit,  Festim Halili tha se me këtë akt ndjehen të nderuar të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. “Për Bacën Adem, që i ndajmë sot titullin Doktor honoris causa, kam dy porosi: E para, se ai do ta merr vetëm titullin, ndërsa Universiteti i Tetovës dhe shqiptarët e Maqedonisë kanë fituar nderin, privilegjin dhe respektin. Porosia e dytë, është një përgjigje për të gjithë ata që më irritonin që në rini kur i dëgjoja duke shprehur keqardhje e duke thënë: Bacës Adem ia dogjën tri dekadat më të mira të jetës. Jo, nuk është e vërtetë. Mjafton të kujtojmë fjalët e të madhit Naim Frashëri, se qiriri shkrihet për të na dhënë dritë neve të tjerëve. Bacës Adem nuk ia dogjën tri dekada jetë, sepse pas sakrificës, rezistencës dhe luftës intelektuale e patriotike të tij, për tri dekadat e ardhshme u ngritën tridhjetë gjenerata të ndritura”, vlerësoi zëvendëskryeministri Halili.

Kryetari i Komisionit recensues, prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së, Arbër Çeliku e lexoi referatin për Adem Demaçi, ku mes tjerash theksoi:

“Për ne, është një kënaqësi dhe privilegj, që na jepet rasti për të bërë një vlerësim për një atdhetar dhe intelektual me përmasa mbarëkombëtare, për një krijues dhe studiues të devotshëm dhe, mbi të gjitha, për një dashamir të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Adem Demaçi është lindur diku në gusht-shtator të vitit 1935, por zyrtarisht i ati i tij, Zeqiri e ka regjistruar më 26.02.1936. Vogëlushi do të rritej në rrethana tejet të varfra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, siç dihet botërisht, në Kosovë do të hapeshin edhe shkollat e para në gjuhën shqipe. Vitin 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë vogëlushit, babai do t’ia dilte ta regjistronte në shkollë, edhe pse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Kurse në vitin 1946 do të regjistrohet në gjimnazin real në Prishtinë, në gjuhën serbe, ngaqë atëbotë vështirë të gjeje një shkollë të mesme në gjuhën shqipe në Kosovë. Me të mbaruar gjimnazin,  ai do t’i vijojë studimet për letërsi botërore në Universitetin e Beogradit, mirëpo për arsye të përndjekjeve të vazhdueshme nga regjimi serbomadh dhe situata e rënduar familjare, ai do të detyrohet t’i ndërpresë ato dhe të kthehet përsëri në Prishtinë, ku do të punësohet si redaktor i letërsisë botërore në Rilindje”, u shpreh mes tjerash Arbër Çeliku.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button