ITSHKSH me ekspozitë në Uashington dhe Nju Jork

Me mbështetje të Ministrisë së Kulturës dhe me rastin e Ditës së ngadhënjimit kundër fashizmit, 9 Majit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup hap ekspozitën “Ballafaqimi me të kaluarën – Guximi qytetar në kohë të vështira”.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, sot para gazetarëve dha një konferencë për shtyp, në të cilën informoi për hapjen e dy ekspozitave nga ana e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Uashington dhe Nju Jork të SHBA-ve. Ekspozita në fjalë me temën “Ballafaqimi me të kaluarën – Guximi qytetar në kohë të vështira”, sipas tij është pjesë e Programit vjetor të Ministrisë së Kulturës. Përveç mbështetjes financiare nga Ministria e Kulturës, ky projekt ka marrë edhe përkrahjen e Komunës së Çairit.

Përmes kësaj ekspozite arkivore, me 34 fotografi dhe dokumente autentike, pasqyrohet realiteti i bashkëpunimit mes komuniteteve në Maqedoni, në rrafshin human, në periudhat më të rënda të Luftës së Dytë Botërore. Ekspozita e parë, në Uashington, do të hapet më 9 maj (e hënë) 2016, ndërsa ekspozita e dytë, në Nju Jork, do të hapet më 12 maj (e enjte) 2016.

“Kjo ekspozitë dhe shumë aktivitete të tjera të Ministrisë së Kulturës në rrafshin ndërkombëtar janë një tregues se kultura shqiptare në Maqedoni po vë themelet e njohjes ndërkombëtare. Në këtë mënyrë paragjykimet e deritanishme se shqiptarët nuk kultivojnë kulturën dhe as nuk mbështeten nga institucionet kompetente për njohje jashtë kufijve nuk kanë bazë”, tha Shehapi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button