fbpx

Kosova pranohet në UEFA! (VIDEO)

13.05- Me 28 vota pro dhe 24 kundër, Kosova pranohet në UEFA. Urime!

***************************************************************************

Aplikacioni i Kosovës po shqyrtohet nga anëtarët e UEFA-s në Budapest. Ka filluar votimi i fshehtë për aplikacionin e Kosovës në UEFA.

Para votimit, është zhvilluar një debat në të cilin disa federata janë shprehur për qëndrimet e tyre.

Kreu i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiq, u shpreh kundër anëtarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA.

Gjatë fjalimit të tij në Kongresin e UEFA-s që po mbahet në Budapest, Karaxhiq tha se situata është serioze pasi që, në rast të pranimit të FFK-së në këtë organizatë “do të kishim më shumë federata se shtete”.

“Unë e mbroj futbollin nga politika… FSS nuk do të votojë kurrë për precedentë të tilla. Jemi kundër që të pranojmë federata që nuk i plotësojnë kushtet dhe futbolli nuk duhet t’i kalojë vijat të cilat ndryshojnë kufijtë e shteteve”, tha Karaxhiq.

Ai tha se sipas Nenit 5 të UEFA-s, nuk lejohet anëtarësimi në rast se shteti nuk është anëtar në OKB.

“Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe së fundmi nuk është pranuar as në UNESCO. Kosova sipas Rezolutës 1244 është pjesë e Serbisë nën administrimin e OKB-së”, tha Karaxhiq.

Por zyrtari ligjor i UEFA-s e mbrojti aplikacionin e Kosovës për UEFA kur u përgjigj se “Kongresi nuk ka kompetenca për të njohur shtete”.

“Pavarësisht a je shtet anëtar në OKB a jo, kjo është çështje ligjore. Anëtarët e Kongresit duhet të vendosin nëse Kosova ka të drejtë të anëtarësohet apo jo. OKB nuk njeh shtete. Nga aspekti ligjor, interpretimi më i arsyeshëm ligjor është se aplikanti duhet të njihet nga shumica e anëtarëve të OKB-së”, tha zyrtari ligjor i UEFA-s.

Përfaqësuesi i Zvicrës, duke mos u ndier komod në mënyrën e votimit të hapur, propozoi që aplikacioni i Kosovës të bëhet me votim të fshehtë, ndërsa kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, u shpreh se Kosovës duhet t’i njihet e drejta që të anëtarësohet në UEFA.

“Ne jemi organizatë që merremi me futboll dhe unë besoj se ne duhet të shikojmë vetëm futbollin. Kosova është bërë realitet, ka ekip nacional dhe ka kampionatin e vet”, tha Duka.

Ai u shpreh se Kosova nuk është pjesë e federatës serbe prandaj i ftoi të gjithë anëtarët e UEFA-s që t’i japin dritën e gjelbër fëmijëve të Kosovës të luajnë futboll.

“Duhet ta bëjmë këtë sepse shumë federata sportive të Kosovës janë bërë anëtare ndërkombëtare përveç futbollin. Edhe ne kemi lojtarë me origjinë nga Kosova dhe frikësohemi se mund t’i humbim, por kjo nuk është çështja”, tha Duka.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close