1 maj: Sindikatat të ndara, majtistët kërkojnë protesta

1 maji është ditë për protesta dhe luftë për të drejtat e punëtorëve. Kështu kanë thënë për Portalb nga Lëvizja majtiste “Solidaritet”.

Sipas tyre, më 1 maj duhet ta ngremë zërin në emër të punëtorëve, por edhe në emrin tonë, sepse të gjithë jemi në njëfar mënyrë punëtor, si dhe të tregojmë se nuk e pranojmë gjendjen aktuale si natyrale.

“Punëtorët po ballafaqohen me degradim të vazhdueshëm; paga të ulta, keqpërdorime, punojnë aq sa ju thotë punëdhënësi, etj. Kjo gjendje është përkeqësuar edhe me rritjen e papunësisë. Një numër i madh i të drejtave që ishin të garantuar në sistemin e mëparshëm socio-ekonomik, tash janë të shkelura, të devalvuara”, janë përgjigjur në pyetjen e Portalb se pse konsiderojnë se 1 maji duhet të jetë ditë për protesta.

Nga ana tjetër, sindikatat- organizatat që duhet t’i mbrojnë të drejtat e punëtorëve. për këtë 1 maj kanë vendosur të mos organizojnë protesta.

Ata arsyetohen se kjo datë i ka gjetur të njëjtit të ndarë dhe nuk do të jenë në mundësi të krijojnë njëmendësi për organizimin e protestave.

Sipas kreut të Sindikatës së Punëtorëve në Drejtori dhe Organet Gjyqësore, Pece Grujovski, arsyeja përse në Maqedoni zakonisht nuk protestohet për 1 Maj qëndron në ndasitë mes organizatave sindikaliste në vend dhe para së gjithash te frika e punëtorëve për të protestuar për të drejtat e tyre.

Ai tha se një herë e përgjithmonë duhet kuptuar se të protestuarit nuk nënkupton me automatizëm protestë të drejtuar kundër një qeverie të caktuar ose kundër ndojnë partie të caktuar.

Grujovski u bëri thirrje punëtorëve të ngrenë zërin kundër padrejtësisë, mungesës së perspektivës, pagave të vogla, çmimeve të larta dhe shërbimeve joadekuate mjekësore, por siç tha, nga shkaku i festës fetare krishtere këtë vit nuk do të ketë protesta në rrugë.

“E kam patjetër të them se këtë vit nuk jemi në mundësi të realizojmë këtë ashtu siç mendojmë nga shkaku i festës së Pashkëve. Kjo nuk dëshiroj të kuptohet si ndonjë arsyetim por si një realitet dhe një porosi se nga viti i ardhëshëm sindikatat nënshkruese të Kartës do ta shënojnë këtë datë me dinjitet për çka do të ftojmë punëtorët të dalin në rrugë më 1 maj dhe të protestojnë pavarësisht kush është në pushtet”, tha Grujovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button