Libër që imponon vlera të reja në letërsinë shqipe

Mbi  librin “Nga mështeknaja e babait me mallëngjim”, botoi PORTALB, 2015.

Poetja e njohur, Linditë Ahmeti, vjen me librin e ri poetik “Nga mështeknaja e babait me mallëngjim”, që e botoi PORTALB.

Libri i saj është mirëpritur nga qarqet letrare, që kanë vlerësuar si “mrekulli estetike”, “lirikë e përshpirtshme”, “libër që imponon vlera të reja në letërsinë shqipe”, “lirë e veçantë e letërsisë shqipe apo “metaforë gjigante e dhembjes, vetmisë krijuese, ndjeshmërisë”.

Libri u nderua edhe me çmimin për libër më të mirë të vitit për letërsi për këtë vit. Një çmim më se i merituar.

Ata që e kanë lexuar nuk kanë dilemë, kurse ata që do ta lexojnë do të binden se ky çmim duhet të shoqërohet me shumë vlerësime të këtilla.

Me këtë rast po përcjellim disa mendime autorësh të ndryshëm për librin e ri poetik të Lindita Ahmeti.

Salajdin SALIHU: Lum ajo letërsi që e ka një poete si Linditë Ahmeti

“Është fat i madh për letërsinë tonë që ka një poete si Lindita Ahmeti. Libri: një mrekulli estetike, realitet i thellë simbolik, i sajuar me hirin e miteve të lashta sa njerëzimi dhe me imazhet e botës sonë. Një libër që nuk është i lehtë për t’u lexuar pa parapërgatitje; si çdo libër i veçantë, i thellë, shumështresor, ku janë dendësuar grimca mitesh të kulturave të ndryshme, që na flasin me gjuhë të harruar shenjtësh e hyjnish. Një libër që duhet lexuar dhe pas një kohe duhet rilexuar. Një libër nga një poete që Hyji nuk ja kurseu dhuntinë krijuese.

Përtej qarqeve letrare ky emër i veçantë i letërsisë sonë njihet pak. Ky emër do të njihet edhe kur të jenë harruar shumë protagonistë të kohës sonë, që flasin shumë dhe ende nuk kanë thënë diçka të re. Lum ajo letërsi që e ka një poete si Lindita Ahmeti dhe mjerë ajo kulturë që nuk di ta çmojë një dhuratë të këtillë!”

Bardhyl ZAIMI: Lirikë e thellë, e përshpirtshme, tmerrësisht përrallore

“Libri “NGA MËSHTEKNAJA E BABAIT me mallëngjim”, i Lindita Ahmetit, që gjen dritën e botimit nga Portalb, është lirikë e thellë, e përshpirtshme, tmerrësisht përrallore, si një pikturë kozmike e shkëputur nga qenia e tejkohshme shqiptare. Libër që duhet lexuar patjetër. Faleminderit për këtë dhuratë!”

Fatmir SULEJMANI:  Lira më e veçantë e poezisë shqipe

“Për shijen time, Lindita është LIRA më e veçantë e poezisë shqipe, jo vetëm aktualisht. Se si ia del të shkruajë me bojërat e shpirtit të saj bilur nuk e kam të qartë. Me gjasë është në pyetje sekreti të cilin nuk e di as vetë ajo, rrezatimi i dorës së Zotit mbështetur goxha gjatë në supet e saj, hyjnorja e shpërfaqur me penelata vargjesh shumëformëshe, që drithërojnë me vrushkuj ethesh palcën shpirtërore të adhuruesve të perlave, që mund t’i shkruajë vetëm një dorë maestroje”.

Lulëzim HAZIRI: Libër që imponon vlera të reja

“Libri “Nga mështeknaja e babait…me mallëngjim” imponon vlera të reja në letërsinë shqipe”.

Vjollcë BERISHA: Metaforë gjigante e dhembjes, vetmisë krijuese, ndjeshmërisë

“Ky është zëri kumbues që përshëndet nga qendra e botës së ndjeshmërisë krijuese, nga  mështeknaja e babait, prej nga të gjitha zërat tringëllojnë mallëngjyeshëm, ku banon uni lirik që i përshkon athshëm e plot vjeshtë, si në dizë gështenjash, të gjitha poezitë e këtij vëllimi, që vjen si  kartolinë e gjatë dërguar me entuziazmin e atij që sapo ka bërë shëtitjen më mbresëlënëse në botë e herë si harlisja e ëmbël e atij që ka degdisur në strehën e sigurt ku banon dashuria e vërtetë, në lirishtë, në kullën e vogël prej fildishi të rrethuar me lule Iris Illyrica.

Jehona lirike që përhapet në këtë vëllim poetik, është nga të rrallat tinguj që kanë prerë biletë kthyeseː herë thithet nga lexuesi si mesazh unik, plot dhimbje e  drithmë, që vjen nga mështeknaja ku priten dy ndjeshmëri krijuesish, dy jetë artistësh, dy talente që e ushqejnë njëra-tjetrën për ta mrekulluar akëcilin lexues me thellësinë e mendimit dhe bukurinë e fjalës. Është kjo pikëprerja që e nxjerr mështeknajën nga të qenit atdhe i një babai të rëndomtë.

Herë kjo jehonë përthithet nga lexuesi, jo si zë nga mështeknaja, por si një udhëtim i jashtëzakonshëm në të, në prillin që vlon gjithandej, në Erosin që thithet si frymë, ku të bëhet që i dëgjon hapat e tu tek kërcasin mbi gjethe me frikën se mos zgjohet trishtimi i shtrirë nën to, ku të bëhet se pas pak do t’i trembësh zogjtë në degë të mështeknës, ku, siç ndodh përherë në krijimtarinë e Linditës, të duket se po rend në lashtësi, në figurat mitike, në shtresat më të sigurta të etnisë dhe qytetërimit evropian.

Ky vëllim poezish lexohet si  një metaforë gjigante e dhembjes, vetmisë krijuese, ndjeshmërisë, të kushteve për jetë të Muzës që edhe në këtë libër qe tejet bujare me këtë krijuese të talentuar”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button