Lufta për demokratizim dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni!

 

Inicimi i protestave në Shkup nga shoqëria civile, e jo nga partitë politike të cilat kanë qenë pjesëmarrëse në bisedimet e kaluara për zgjidhjen e krizës, na shtyn të mendojmë se partitë janë të vetëdijshme për mundësinë e zgjerimit të përfaqësimit në tryezën e bisedimeve të ardhshme edhe me pjesëmarrje të sektorit civil!

Andaj të dyja palët, pozita dhe opozita mundohen që t’i etablojnë sa më fort duart e tyre të zgjatura ideologjike, nën petkun e shoqërisë civile, në mënyrë për të siguruar aleat në tryezën e bisedimeve.

Kjo na shtyn të dyshojmë në sinqeritetin e qëllimeve të shprehura publikisht të të dyja palëve protestuese, njëra me qëllim të demokratizimit të Maqedonisë, tjetra kinse me qëllim të mbrojtjes së Maqedonisë nga kurthet dhe konspiracionet që i bëhen nga fuqitë e jashtme në bashkëpunim me faktorë të brendshëm.

Si gjithmonë gjithçka do të dëshmohet me kalimin e kohës, por shqiptarët nuk kanë kohë për të pritur. Ne duhet të jemi vigjilent dhe pavarësisht planeve dhe kërkesave për demokratizim të opozitës maqedonase, në rast të paraqitjes së nevojës së bashkëpunimit gjithëpërfshirës opozitar, partitë shqiptare nuk duhet të lënë anash edhe kërkesat e popullit shqiptar të cilat nuk janë përfillur fare deri tani nga pushteti VMRO-BDI. Nuk duhet të humbet shansi që të aktualizohen kërkesat kombëtare shqiptare në këtë rast kur konstelacionet e forcave politike janë të përshtatshme. Nuk duhet të harrohet edhe që përveç faktit që qeveria e Gruevskit e ka dëmtuar funksionimin demokratik të shtetit, ajo i ka dëmtuar rëndë edhe marrëdhëniet ndëretnike dhe të drejtat e shqiptarëve. Andaj, kjo duhet të jetë edhe një motiv tjetër që përveç rikonsolidimit të Maqedonisë në aspektin e funksionimit të institucioneve demokratike dhe sundimit të së drejtës, Maqedonia duhet të rikonsolidohet edhe në aspektin e funksionimit të barabartë të dy bashkësive etnike më të mëdha.

Gabim do të ishte nëse kërkesat e shqiptarëve vendosen ndër qilim tani për tani, deri në rastin e rrëzimit të kësaj qeverie, e që më pas të mendojmë se do të krijohen kushte më të përshtatshme për realizimin e këtyre kërkesave me një qeveri më demokratike në krye me Zaevin.

Çdo pjesëmarrje në një luftë të fituar shpërblehet me plaçkën e luftës. Nëse në këtë luftë për demokraci shqiptarët imponojnë edhe kërkesat kombëtare shqiptare si pjesë e të drejtave demokratike, atëherë ekziston mundësi e mirë që ne përveç demokratizimit të Maqedonisë në aspektin qytetar, pra në raportin shtet-qytetar, të realizojmë edhe demokratizimin e Maqedonisë në aspektin e raporteve ndëretnike dhe të ndërtojmë një shtet i cili do ta pasqyronte realisht përbërjen etnike edhe në ndërtimin e tij juridiko-kushtetues, si shtet binacional i shqiptarëve dhe maqedonasve. E jo si tani ku shqiptarët dhe gjuha shqipe cilësohen si 25 përqindëshi dhe më e keqja se as ky 25% nuk po implementohet. Shqiptarët janë autokton dhe përbëjnë një pjesë të rëndësishme të strukturës demografike të Maqedonisë, andaj të drejtat tona nuk duhet të varen nga 20% apo 25%!

Kështu që nëse shqiptarët këtë luftë nuk e bëjnë në dy fronte, pra për demokratizim në aspektin qytetar si dhe në aspektin e raporteve shqiptaro-maqedonase, dhe nëse shqiptarët e lënë hapjen e frontit të dytë në ndonjë betejë tjetër, atëherë askush nuk do të mund të na sigurojë se në atë betejë të dytë do të kemi sukses. Në këtë mënyrë ne do të jemi vetëm vegël dhe instrumentalizim i Zaevit, për kërkesat e tij për demokratizim, deri sa të arrijë në pushtet, e pastaj Maqedonia sërish të vazhdojë të funksionojë në planin multietnik me Marrëveshjen e pazbatuar të Ohrit.

Tani është shansi!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button