Sindikatat e Maqedonisë nuk do të protestojnë më 1 Maj

Anëtarët e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) nënshkruese të kartës për bashkëpunim të ndërsjellë, përmes një konference për mediat kanë njoftuar se nuk do të protestojnë në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve -1 Maji, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas kreut të Sindikatës së Punëtorëve në Drejtori dhe Organet Gjyqësore, Pece Grujovski, arsyeja përse në Maqedoni zakonisht nuk protestohet për 1 Maj qëndron në ndasitë mes organizatave sindikaliste në vend dhe para së gjithash te frika e punëtorëve për të protestuar për të drejtat e tyre.

Ai tha se një herë e përgjithmonë duhet kuptuar se të protestuarit nuk nënkupton me automatizëm protestë të drejtuar kundër një qeverie të caktuar ose kundër ndojnë partie të caktuar.

Grujovski u bëri thirrje punëtorëve të ngrenë zërin kundër padrejtësisë, mungesës së perspektivës, pagave të vogla, çmimeve të larta dhe shërbimeve joadekuate mjekësore, por siç tha, nga shkaku i festës fetare krishtere këtë vit nuk do të ketë protesta në rrugë.

“E kam patjetër të them se këtë vit nuk jemi në mundësi të realizojmë këtë ashtu siç mendojmë nga shkaku i festës së Pashkëve. Kjo nuk dëshiroj të kuptohet si ndonjë arsyetim por si një realitet dhe një porosi se nga viti i ardhëshëm sindikatat nënshkruese të Kartës do ta shënojnë këtë datë me dinjitet për çka do të ftojmë punëtorët të dalin në rrugë më 1 maj dhe të protestojnë pavarësisht kush është në pushtet”, tha Grujovski.

Ai shtoi më tej se situata e fundit në shtet ndikon negativisht mbi gjendjen materiale të punëtorëve për çka apeloi që politikanët të gjejnë zgjidhje për krizën politike në vend.

Anëtari i Këshillit të LSM-së, Llazar Georgievski, në adresimin e tij para gazetarëve tha se numri i sindikatave nënshkruese të Kartës për Bashkëpunim të Ndërsjellë gjithnjë e më shumë po rritet, ndërkohë që akuzoi kreun sindikalist për indolencë, sepse siç tha, dy vite nga riemërimi i kryetarit të LSM-së, ky trup akoma nuk ka themeluar Këshillin e ri.

Ai akuzoi kryetarin e LSM-së se ka shfrytëzuar festën krishtere për të bërë thirrje të mos dilet në protestë.

“Duhet të anulojmë Këshillin aktual sindikalist i cili ekziston nga paraardhësit tanë dhe të shndërrohemi në korrigjues të pushtetit dhe partneri kryesor i saj social. Dëshiroj të uroj anëtarët e Këshillit sepse deri më sot nuk ka ndodhur të mos ketë seancë të tij me rastin e 1 Majit”, tha Georgievski.

Ndryshe, nënshkruese të Kartës për bashkëpunim të ndërsjellë janë Sindikata e Industrisë, Energjetikës dhe Minierave, Sindikata e Punëtorëve në Drejtori dhe Organet Gjyqësore, Sindikata e Hotelerisë, Turizmit dhe Ekonomisë Banesore, Sindikata e Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe Sindikata Multietnike e Arsimit ndërsa ditë më parë janë kyçur edhe Sindikata e Agronomisë, Sindikata për produkte të Mishit dhe Sindikata e EVN-së.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button