UT në vitin akademik 2016/17 do të regjistrojë 5.000 studentë të rinj

Universiteti i Tetovës, në vitin e ardhshëm akademik 2016/17 do të regjistrojë rreth 5.000 studentë të rinj, kështu sot njoftoi Prorektori për Arsim, Reshat Qahili në pres-konferencën e mbajtur sot në Rektoratin e Universitetit.

“Universiteti i Tetovës, në vitin akademik 2016/2017, në të gjitha fakultetet dhe programet studimore ka paraparë të regjistrojë rreth 5000 studentë të rinj. Oferta jonë për vitin që vjen është gjithëpërfshirëse, sepse e njëjta përfshin studimet deridiplomike, studimet e magjistraturës dhe studimet e doktoratës. Për maturantët e këtij viti, Universiteti i Tetovës, përpos studimeve ekzistuese ofron studime edhe në dy fakultete dhe drejtime të reja studimore, siç janë: Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, në kuadër të të cilit do të funksionojnë drejtimet studimore: Prodhimtari bimore, Prodhimtari shtazore, dhe Agrobiznes; si dhe Fakulteti Pedagogjik, me dy drejtime studimore: Mësim klasor dhe Drejtimi i mësimit parashkollor. Në fakultetet ekzistuese të Universitetit tonë, për vitin e ardhshëm kemi hapur programe dhe drejtime të reja studimore, sikurse janë: Në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, në kuadër të Programit studimor të Informatikës, kemi hapur drejtimin studimor të: Informatikës së biznesit, dhe Telekomunikime dhe teknologji kompjuterike. Në Fakultetin Filozofik, kemi hapur Programin e ri studimor të Etnologjisë dhe Antropologjisë. Në Fakultetin e Arteve, ofrojmë Programin studimor Modë dhe dizajn, me drejtimet: Dizajn i modës, Marketing i modës dhe Gazetari e modës. Në Fakultetin e Kulturës Fizike, kemi hapur 5 drejtime të reja studimore, siç janë: Kulturë fizike dhe shëndetësi, Sport, Aktivitet fizik, rekreacion dhe shëndetësi, Menaxhment i sportit, dhe Gazetari sporti. Ndërsa në Fakultetin Ekonomik, përpos drejtimeve të tjera, për studentët e ardhshëm ofrojmë edhe drejtimin e ri studimor: Biznes ndërkombëtar”, tha Qahili.

“Ofertën e re akademike të Universitetit të Tetovës, gjatë ditëve të kaluara e kemi prezantuar para maturantëve të të gjitha shkollave të mesme të vendit dhe te vëllezërit tanë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.
Aktivitetet tona promovuse do t’i përmbyllim me ,,Ditën e Hapur” që do të mbahet më 28 prill 2016, në selinë qendrore të Universitetit në Tetovë. Oferta jonë akademike nuk mbaron këtu, kur dihet botërisht që UT-ja e ka trasuar bukur mirë rrugën e ndërkombëtarizimit dhe është fituese e një mori të projekteve ndërkombëtare për shkëmbim dhe praktika studentore jashtë vendit.”, tha Qahili.

“Tashmë është bërë praktikë, që secili student para se t’i kryej studimet, të paktën për një semestër të qëndrojë në ndonjë vend të Bashkimit Evropian apo SHBA, me shpenzime të mbuluara tërësisht, që si profesionist të mund të jetë konkurrues në ekonominë e tregut”, shtoi mes tjerash prorektori për Arsim, Reshat Qahili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button