BDI-ja nuk është prind dhe tutor i përjetshëm

[Recension: Memedin e “Besës”, e punëson BDI e specializon BDI. E tani…?!]

Një pjesë e portaleve elektronike, pikërisht para zgjedhjeve dhe pas amullive të fundit, po luajnë rol destruktiv në kurriz të gazetarisë. Këtë gjithnjë e më tepër po e bëjnë në emër të medias, por nën urdhër të ndonjë subjekti. Mënyra e veprimit zakonisht është: Atë që se bën dot partia, e bën kuzhina e saj (në këtë rast portali). Kjo qasje e portaleve është thikë me dy tehe. Nga njëra anë ka tendencë për zgjerim të “atraktivitetit” në sy te lexuesve, e nga ana tjetër, përdoret për sulm, hakmarrje apo nënvlerësim të ndonjë individi. Po në këtë mënyrë është shkruar edhe ky artikull. “Viktima” e radhës e portalit në fjalë është një person, i cili me të drejtat e tij, bindjet dhe perceptimet mbështet një kauzë dhe koncept politik.

Ajo që neve na bie në sy është qasja tërësisht joprofesionale gjatë shkrimit të këtij artikulli. I gjithë teksti shpreh një tendencë që ka për qëllim diskreditimin e një figure. Mes rreshtave, vërehet qartë se portali mund të mos ketë asgjë personale me të, mirëpo, urdhëri për të nënvlerësuar dikë, nuk është urdhër për gjë tjetër, përpos për të bërë një shkrim “gazetaresk” dhe gjoja për të shpalosur hipokrizinë e personit në fjalë.

Në edicionin special të televizionit “Shenja” mysafir special ka qenë Rexhep Memedi, anëtar i kryesisë së Lëvizjes “Besa”, ndryshe me profesion mjek.  Ai ka thënë se kryesia e “Besës” ka marrë vendim që të përkrah çdo aksion që ka për qëllim siç pohon “të luftoj të keqen, që sipas tij ka një emër e ai është pushteti VMRO-BDI”. Madje, Memedi sonte ka qenë i pranishëm edhe në protestat e organizuara, kundër vendimit të Gjorge Ivanovit për abolimin e politikanëve, bashkë me shefat e tij nga kjo Lëvizje.

Memedin e “Besës” screenshotLinku deri te artikulli origjinal: “Memedin e “Besës”, e punëson BDI e specializon BDI. E tani…?!”
Data dhe koha e publikimit: 19.04.2016
Data e recensionit: 20.04.2016
Recensues: Adrian Kerimi

Nuk ka mjaftuar një biografi e Memedit, ndërsa portali ka vendosur që në mënyrë virtuale, përmes përmbajtjes, të nxisë debat me të. Shkrimi përmban elemente komentimi, pa deklarata, është i njëanshëm, diskriminues e tendencioz. Kur thuhet se BDI e ka punësuar dhe i njëjti ka specializuar në kohën e BDI-së, autori, me ose pa dashje, para publikut BDI-në e paraqet si një grup mafioz dhe nëntokë, në rrjetin e së cilës mund të hysh por asnjëherë të dalësh. Mbase do të ishte profesionale dhe etike, e mbi të gjitha njerëzore, që autori të pyeste në BDI për arsyet e largimit të Memedit nga ky subjekt, dhe sigurisht, ta pyesë edhe vetë personin e apostrofuar.

Marrim vesh se Memedi është punësuar në kohën e BDI-së dhe i specializuar po në kohën e BDI-së dhe “kur humb garën që të bëhet kandidat te BDI për kryetar komune (duke iu rritur ambiciet), ai pështyn në sofrën që ka ngrënë”! Atëherë, shtrohet pyetja se në cilat libra të fesë apo kanunit mësohet kjo hipokrizi?!

Gazetari duhet të ketë parasysh të drejtën e një individi të ketë bindjet personale. Nuk është gazetari dhe as redaksia, palë e cila thumbon një person ose grup interesi, së paku jo në rubrikën e lajmeve apo të përmbajtjeve informative. E njëjta vlen edhe për prodhim të përmbajtjeve në kontekst pozitiv për ndonjëp individ apo subjekt. Nuk mund që redaksia të propagandojë me mish e me shpirt për një subjekt, pëderisa deklarohet si portal informativ që ushtron gazetari profesionale dhe informon në mënyrë jo selektive dhe jo të njëanshme.

Autori thirret në burimë anonime, duke thënë se “marrim vesh”. Kolegu i nderuar duhet të kuptojë që personi i apostrofuar nuk e ka për borxh të mbështesë përjetë BDI-në dhe se i njëjti nuk është i obliguar të ngrijë aktivitetet shoqërore e tij pas largimit nga BDI.

Gazetarët duhet të jenë promovues dhe mbrojtës të fjalës së lirë dhe bindjeve të individit. Në vend që të jenë propagandues të një funksionimi autokratik, roli i gazetarit është të jetë konstruktiv, jo emocional dhe i balancuar.

Për të finalizuar çështjen profesionale: Autori nuk e sjell asnjë fakt, provë e as dëshmi të vetme në dispozicion për lexuesit, e që do të vërtetonte se personi në fjalë është punësuar nga BDI! Për të kaluar çdo hipokrizi (gazetareske), autori sulmon edhe familjarisht personin, duke e pyetur se në cilin libër të fesë ose cilin kanun mësohet hipokrizia. Këtu autori në mënyrë skajshmërisht joprofesionale prek çështjen familjare dhe atë intime që lidhet me besimin e individit.

 

Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button