TAKATI

Në një bisedë me Xhabir Ahmetin, të bërë para shumë vitesh, trajtuam rolin e lidershipit për zgjidhjen e statusit tonë në shtetin, i cili vetëm shtet nuk e ka ndërmend të bëhet. Ndër argumentet e ofruara prej mikun tim erudit më ka mbetur në kujtesë konstatimi se, përtej të gjitha të metave që kanë manifestuar partitë poilitike shqiptare dhe prijësit e tyre, një pjesë të fajit për pozitën tonë në këtë vend e ka takati ynë i vogël.

Që atëherë nisa t’i kundroj gjërat edhe nëpërmjet prizmit të takatit brenda të cilit gjendet mungesa e kulturës sonë politike, kompleksi i inferioritetit ndaj më të fortit dhe shpirti kronik i robit, sindromi i levantinëve të Konicës, filozofia e fatalizmit dhe perceptimi i vonshëm i havasë, mungesa e guximit qytetar për të gjykuar në çastin e duhur fenomenet e kushtueshme për të tashmen dhe të ardhmen tonë, entuziazmi dhe euforia me të cilët i manifestojmë pakënaqësitë dhe rrënia e mëpastajme në gjum të gjatë, që domosdo lidhen me suksesin dhe mossuksesin e prijësve politikë shqiptarë. Jo rastësisht, nga viti 1990 e këndej, të gjithë liderët e partive politike i kemi sjellur në pushtet si heronj dhe i kemi përcjellur si tradhëtarë, duke e amnistuar në vazhdimësi takatin tonë kolektiv, veçmas kontributin inekzistent të intelegjencës, e cila, në vend të parashikimit të gjërave në krye të vijës, reagon me vonesa të pafalshme dhe, më së shpeshti, atëherë kur sosen benefitet e gëzuara gjatë epokës së ngritjes së kulteve të personalitetit.

Pikërisht takatin në fjalë m’u desh ta marr parasyshë gjatë formulimit të përgjigjes së pyetjes së shtruar prej një gazetari të ri e të talentuar, e cila lidhet jo me vlerësimin e së tashmes po me atë që do t’ua bëjë historia liderëve të gjertanishëm shqiptarë. Kjo është arsyeja përse përgjigja është jashtë skemave të palëve që liderët e kohës sonë i konceptojnë si heronj apo i pandehin si tradhëtarë, sepse na kërkohet të flasim me parametrat e së ardhmes, kur emocionet dhe frika nga të papriturat e kohëve të shkuara, mund të duken ndryshe. Përveç kësaj, mënyra si do ta gjykojë historia një politikë dhe një politikan nuk mund të shkëputet nga rrethanat e përgjithshme të kohë-hapësirës konkrete, madje as nga bëmat e pushtetarëve pasardhës, sepse është objekti i krahasimit ai që përcakton rezultatet e punës së gjithsecilit.

Kështu: nëse pushtetarët e ardhshëm ia dalin ta bashkojnë faktorin shqiptar dhe ta hjekin vijën e kuqe përtej së cilës askush nuk do të guxojë të bëjë politika të lakadredhshme; nëse arrijnë ta ndryshojnë me gishta kuvendarësh kushtetutën dhe ligjet diskriminuese që dalin prej saj; nëse i realizojnë premtimet e dhëna zgjedhësve brenda pushtetit të fituar prej partive maqedonase, në të cilin shqiptarët futen si punë aneksi, pa mundësinë e vendimmarrjeve autonome; nëse e trasojnë përnjëmend udhën ndryshe dhe hapin perspektiva për rininë dhe të ardhmen e tyre; nëse arrijnë ta konvertojnë pushtetin fiktiv në pushtet faktik me mirëkuptimin e partive albanofobe maqedonase; nëse e ndajnë buxhetin shtetëror në pajtim me numrin e tatimpaguesve shqiptarë; nëse ia dalin të kontrollojnë hapsanet a kazermat ushtarako-policore në vendbanimet shqiptare, duke qenë se jemi qytetarë lojalë të këtij vendi; nëse për të drejtat legjitime shqiptare nuk detyrohen të kërkojnë pajtimin e domosdoshëm të tjetrit; nëse do të mbajnë qëndrim të drejtë karshi personaliteteve dhe vlerave të së shkuarës së njomur me gjak të pafajshmish, karshi ideve të pavdekshme rilindëse që e kanë ruajtur gjer më sot substancën etnike; nëse e pretendojnë pushtetin për të ruajtur shqiptarin nga asimilimi shpirtëror, që mund t’i vijë edhe nga vetvetja; nëse e kuptojnë kombin si një të vetëm, kurse dallimet ekzistuese krahinore, dialektore, ideologjike e religjioze si pasuri tonën; nëse nuk i keqpërdorin fetë për thellimin e ndasive ndërvëllazërore dhe zbehjen e tipareve identitare; nëse nuk vijnë në pushtet me donacione fijengatërruara dhe për të realizuar planet e hallkut; nëse ia dalin të ndërpresin burgosjet politike, ekspeditat policore e ushtarake, rastet e montuara, rrahjet e nxënësve shqiptarë, thyerjet e dyqaneve, përdhosjet e pronave dhe të mbjellave të bujqëve…; nëse gjatë mandateve të tyre nuk ndodhin gjëra si ato që ndodhën në pushtetet paraprake, atëherë liderët e gjertanishëm do të kujtohen si figura të paafta dhe të dështuara politike. Në të kundërtën, do të duhet të kërkojmë mënyra të tjera për dalje nga llagëmi i përsëritjes që na përsëtritet përsëri, sepse të zgjedhurit tanë janë pasqyra e takatit tonë kolektiv.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button