KEMM: Mediat t’u përmbahen rregullave gazetareske

Këshilli për Etikë ne Mediumet e Maqedonisë (KEMM), duke mbikëqyrur raportimin mediatik pas trazirave të fundit në rafshin politik dhe reagimet e qytetarëve, edhe një herë rikujton mediat që të mos abuzojnë me rolin e tyre dhe të shërbejnë si platformë për nxitjen e situatës dhe shtimin e tensioneve në shoqëri, njofton Portalb.

“Duke pasur parasysh të drejtën fundamentale të lirisë së medias, i kujtojmë gazetarët dhe redaktorët që raportimet e mediave duhet të përmbajnë të vërtetën dhe të mos nxisin polemika dhe diskutime, të cilat do të ndezin tensionet dhe do t’i keqësojnë marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve”, thonë nga KEMM.

KEMM, bën thirrje që gazetarët dhe redaktorët në raportimet e tyre, duhet t’u përmbahen rregullave gazetareske.

“Mediat duhet të veprojnë në një mënyrë ndryshe nga ajo e bartësve të thjeshtë të informacionit dhe fakteve, dhe duhet të aplikojnë edhe rolin e tyre si qetësues të tensioneve në shoqëri, sidomos në rastet kur dalin me vlerësime për eskalimin e mundshëm të ngjarjeve. Ata duhet të shpjegojnë faktet, pjesëmarrësit në ngjarjet, qëndrimet dhe problemet e ndryshme, si dhe t’i hetojnë ngjarjet në mënyrë të kujdesshme dhe analitike. Zhvillimi dhe ndërtimi i debateve mbi bazën e të pavërtetave dhe gënjeshtrave, gjë e cila do t’i mashtronte qytetarët, nuk i përket gazetarisë. Transmetimi dhe krijimi i hapësirës për spekulime është i barabartë me përhapjen e të pavërtetave dhe propagandim, kundrejt raportimit të balancuar dhe profesional. Publikut duhet t’i ofrohet pasqyrë reale dhe duhet t’i paraqiten nevojat objektive dhe shqetësimet, sidomos duke pasur parasysh se qytetarët që nuk kanë qenë pjesë e ngjarjeve të caktuara, informimin e tyre e mbështesin mu në media”, shtojnë nga KEMM.

Këshilli për Etikë në Mediumet e Maqedonisë, gjithashtu rikujton portalet, se nuk guxojnë të keqpërdoren ose t’u shërbejnë propagandave dhe thirrjeve të ndryshme që e rrezikojnë rendin publik dhe paqen.

“Mediat, e sidomos portalet e Internetit, nuk duhet të abuzohen dhe të përdoren si një mjet për propagandë dhe thirrje për të bashkuar individë dhe grupe për sjellje radikale dhe veprime që kërcënojnë rendin publik dhe paqen në shoqëri. Duke mbështetur edhe të drejtën e aktivistëve të shoqërisë civile për të shërbyer si burime të informacionit në lidhje me ngjarjet, i kujtojmë mediat për rolin e tyre që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë besueshmërisë së burimit të informacionit, dhe me çdo kusht të përdorin burime të shumta të informacionit, të raportojnë me besueshmëri dhe t’i paraqesin ngjarjet në mënyrë objektive dhe të balancuar, në kontekstin e tyre të vërtetë. Nuk duhet lejuar që niveli i sjelljes profesionale të ulet dhe të lejohen gënjeshtra, gjysmë të vërteta dhe informacione të njëanshme, që do t’u servoheshin qytetarëve si lajme të verifikuara dhe të sakta. Në këtë kontekst, kujtojmë mediat për detyrimet e tyre për të raportuar në mënyrë profesionale dhe në përputhje me parimet e Kartës së Këshillit për raportim etik në media, të nënshkruar kohë më parë”, thuhet në reagimin e KEMM-së.

Sipas tyre, komentet dhe analizat janë një pjesë e rëndësishme e gazetarisë, duke pasur parasysh se qytetarët kanë nevojë për interpretimin e situatave dhe rrethanave, por mediat nuk guxojnë të keqpërdorin këto zhanre me qëllim që të paraqesin keqinterpretime të realitetit dhe të nxisin tensione dhe sjellje të papranueshme të aktorëve të ndryshëm shoqëri.

“Gazetaria profesionale dhe roli i mediave si mbikqyrës aktiv dhe objektiv i ngjarjeve, nuk duhet të pësojë dëme nga beteja për të fituar një audiencë më të madhe, dhe mungesa e lirisë së medias nuk duhet të përdoret si një argument për sjellje të keqe dhe për paraqitje të gënjeshtrave. Këshilli për etikë në media paralajmëron nënshkruesit e Kartës për raportim etik, se është duke ndjekur nga afër mënyrën e raportimit të tyre, si dhe të mediave të cilat nuk janë anëtarë të tij, gjë që në të ardhmen do të jetë një nga argumentet kryesore për anëtarësim në Këshill dhe pjesëmarrje në këtë organ tonin të përbashkët profesional, për vetë-rregullim në media”, shtojnë nga KEMM. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button