Vetëvendosje donte shkrirje në Alternativë, AAK-ja nuk e pranoi

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për një Alternativë qeverisëse të përbashkët me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën ishte paraparë që të kishte elemente të një partie të re.

Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që AAK-ja nuk e pranoi këtë propozim të Vetëvendosjes, sepse ai, siç thotë anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, tentonte të formonte një entitet të ri politik.

“Ne kemi kërkuar që të jemi një front i përbashkët opozitar në ndaljen e kapjes së shtetit dhe keqqeverisjes në vend, ndërkaq Vetëvendosje ka avancuar me një kërkesë politike, për krijimin e një organizmi të ri, me emrin ‘Alternativa’. Kjo ka qenë një diçka e re, që kapërcente partitë ekzistuese”, ka thënë Nitaj për KlanKosova.tv.

“Duket që ky ka qenë shkaku i ftohjes së raporteve ndërmjet nesh dhe Vetëvendosjes”.

Sipas programit të hartuar nga Vetëvendosje e të publikuar dje nga anëtari i saj Ylli Hoxha, Alternativa do të kishte edhe shenjat e veta identifikuese, të reja dhe të veçanta.

Në nenin 20 të Alternativës, ku flitet për detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Drejtues të saj, i cili është organi më i lartë dhe organi vendimmarrës i alternativës, në pikën tre thuhet se  Këshilli “miraton logon dhe simbolet përfaqësuese të Alternativës”.

Ky statut parasheh edhe që drejtuesi i këshillit me domosdo duhet të jetë dikush nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Pika katër e nenit 20 thotë se Këshilli Drejtues e zgjedhë udhëheqësin e vet i cili duhet të jetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje “si subjekti me forcën më të madhe politike brenda Alternativës”.

Por, zëvendësi i kryesuesit nuk caktohej sa a do t’i takonte obligativisht Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës apo Nismës për Kosovën, apo mund të ishte edhe ai nga Vetëvendosja.

Ai, thuhet në statut, “do të zgjedhet nga mesi i anëtarëve të Këshillit”.

Ajo që saktësohet është se zëdhënësi i Alternativës do të duhej të ishte ndonjë nga Shoqëria Civile që do t’i bashkohej listës.

Alternativa, po ashtu pritej të themelonte “shtabin e përgjithshëm zgjedhor” dhe të “hartonte dhe miratonte listën përfundimtare të përbashkët të kandidatëve të Alternativës për në zgjedhjet parlamentare”.

Organe të tjera të këtij bashkimi do të ishin edhe; Kryesia e Këshillit Drejtues si organ vendimmarrës, Grupet punuese organizative si organe ekzekutive dhe Grupet punuese profesionale, organe këshillëdhënëse.

Gjithsesi, asgjë nga këto nuk do të realizohet, sepse të hënën AAK e Nisma vendosen të nënshkruajnë një koalicion të përbashkët, por pa Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, Muharrem Nitaj i AAK-së beson se, përkundër rikonfigurimeve në taborin opozitar, bashkëpunim me Vetëvendosjen do të vazhdojë.

“Unë besoj se aktivizmi opozitar, duhet të ketë dy faza. Veprimin e menjëhershëm kundër gjendjes aktuale politike, dhe organizimin e mëvonshëm të opozitës”.

“Unë shpresoj se Vetëvendosje, megjithatë nuk do ta kushtëzojë veprimin e tanishëm me organizimin e mëvonshëm politik”, ka thënë Nitaj për KlanKosova.tv.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button