Në fundvit nisin fluturimet nga Kukësi

Fluturimet ndërkombëtare nga aeroporti i Kukësit mund të nisin në fund të vitit. Kjo është konfirmuar nga ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, në një intervistë për “Top Channel”, ku shprehet se funksionimi i aeroportit mund të jepet me koncesion ose mund të menaxhohet përmes një kompanie publike.

Ky i fundit është opsioni më i mundshëm, por nevojitet një investim prej rreth 3 milionë euro.

“Ne mendojmë se në një gjendje normale, deri në fund të vitit aeroporti duhet të jetë operacional. Ka dalë një faturë prej 3 milionë euro për ndërhyrje. Besoj që ka nevojë për një rishikim të kësaj situate, e pastaj ka nevojë për ndërhyrje. Ose do të vazhdojmë me investime me para publike”, thotë Edmond Haxhinasto, ministër i Transporteve.

Haxhinasto konfirmon se janë dy operatorë me kosto të ulët, “Ryan Air” dhe “Wizz Air” që kanë shprehur interes konkret, madje kanë bërë dhe inspektimin e pistës dhe terminalit.

“Veçanërisht kompanitë me kosto të ulët, dy prej tyre kanë ardhur, e kanë vizituar e inspektuar dhe kanë qenë në pritje të hapjes, së heqjes së ekskluzivitetit për t’u përgatitur dhe ata në mënyrë konkrete për mundësinë e përdorjes së këtij aeroporti si një bazë e mundshme. Veçanërisht për kategorinë e kostos së ulët”, tha Haxhinasto.

Ndërsa për aeroportet në jug të Shqipërisë qeveria ka porositur një studim fizibiliteti për të zgjedhur vendin se ku do të ndërtohet terminali dhe pista e parë, transmeton Shekulli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button