A e rrezikon veprimi i BDI-së, rrugën evropiane të Maqedonisë?

Maqedonia asnjëherë nuk ka qenë më larg integrimit në Bashkimin Evropian si që është tani me krizat e njëpasnjëshme politike. Përkrahja e punës së prokurorisë publike nënkupton përkrahjen e dekriminalizimit të shtetit dhe njëherit kontribuon në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së.  Se çfarë kahje do të merr çështja e integrimit, varet nga hapat e mëtutjeshme të BDI-së, e cila sapo u tërhoq nga qeveria, janë të mendimit njohësit e çështjeve të politikës së jashtme të cilët folën për Portalb.mk.

“Do të varet nga rezultati i këtij hapi të BDI-së. Derisa BDI qartë largohet për një program anti-korruptiv atëherë definitivisht do të kontribuojë në rrugën europiane. Nëse ky hap është vetëm edhe një nga lojërat e koalicioneve të ndryshme, sigurisht nuk do të kontribuojë. Pra BDI me programet e saja qartë përcaktohet për agjendën evropiane. Kurse momentalisht agjenda evropiane është lufta kundër korrupsionit, sigurimi i zgjedhjeve të lira. Momentalisht obstruksionet ndaj Janevës janë mbase faktori kyç në atë se a përkrahet rruga e Maqedonisë drejt BE-së apo jo. Respektivisht përkrahja e Janevës nënkupton përcaktim për rrugën evropiane” tha Malinka Ristevska Jordanova, nga Instituti për politika evropiane

“Maqedonia momentalisht është shumë larg integrimit në BE dhe akoma largohet, fatkeqësisht.”-theksoi Jordanova.

Ismet Ramadani nga Këshilli EuroAtlantik i Maqedonisë vlerëson se BDI akoma mbetet në procesin e implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës, pasiqë BDI ka tërhequr ministrat nga qeveria, por njëherit  ka autorizuar liderin partiak që t’i rishqyrtojë veprimet e mëtutjeshme të BDI-së, siç theksoi “Ndoshta mund të bisedohet për ndonjë riformatim të qeverisë dhe me këtë mund të vazhdojë procesi i përgatitjes së zgjedhjeve kredibile, fer dhe demokratike. Pres që me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve Ali Ahmeti të mbetet në proces që t’i iket thellimit të krizës politike, që mund të merr edhe dimensione të sigurisë. Ndërkombëtarët do ta shtojnë presionin e tyre për t’u përmbushur kërkesat e Komisionit të Venecias, respektivisht për t’u vendosur rregull në dhënien e materialeve nga përgjimet.”

Sipas Ramadanit, BDI duhet të ndërmerr veprime kritike, kundër politikës së Nikolla Gruevskit, “Në qoftë se Ali Ahmeti vazhdon të përkrah veprimet e Nikolla Gruevskit, atëherë edhe kriza do të thellohet dhe BDI si parti politike do të humb shumë në skenën politike shqiptare. Ajo tani duhet të jetë konstruktive, e vendosur që të mos pajtohet me veprimet e Nikolla Gruevskit në obstruksionet që ia bën prokurorisë speciale, që edhe më shumë ndikon në atë që institucionet e shtetit të jenë nën kontroll të tij, që as një hap të mos bëhet në ndarjen e shtetit nga partia. Në këtë çështje BDI duhet të jetë më e qartë, më kritike.”

Obstruksionet ndaj prokurorisë speciale, sipas Ramadanit, janë përpjekje që të mos vazhdojë procesi i dekriminalizimit të politikës në Maqedoni dhe me këto vlerësime Këshilli ministror i BE-së nuk ka asnjë argument që Maqedonisë t’i jep rekomandim pozitiv për të marrë datë për negociata ose për t’i mundësuar rrugëtim më të shpejtë dhe më cilësor në integrimin evropian dhe atë euro-atlantik. Pavarësisht përcaktimit të BE-së për t’u zgjeruar edhe në Ballkanin Perëndimor, krahasuar me 10 vitet e fundit, Maqedonia asnjëherë nuk ka qenë më larg integrimit evropian.

“Gjithçka ka marrur rrugë të mbrapshtë! Kujtoni raportin e KE-së; raportin e progresit; vetë krizën politike, duke përfshirë edhe Kumanovën, si situatë destabilizuese në Maqedoni… jemi shumë shumë larg përmbushjes së kriteriumeve për anëtarësim, ose për t’iu afruar BE-së.”-theksoi Ramadani./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button