Ja si e cilësojnë partitë politike vendimin e BDI-së

Vendimi i fundit i BDI-së për t’u tërhequr nga Qeveria pa treguar një arsye të vetme ka ngjallur reagime të ndryshme te partitë tjera në vend, sidomos ato nga opozita. Në deklaratat e tyre për Portalb përfaqësuesit e partive politike ndajnë mendime të ndryshme sa i përket aktit të BDI-së.

Nga PDSH thonë se veprimi i fundit i BDI-së është kulmi i hipokrizisë.

“Largohet prej Qeverisë, pa dhënë arsye se pse largohet. Deri më tani, tradhtinë, korrupsionin dhe hajninë ua shiti shqiptarëve, tani edhe amoralitetin pretendojnë t’ia shesin si vlerë shqiptarëve”, shprehet për Portalb Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Sipas Arben Taravarit, sekretar i përgjithshëm i LR-PDSH-së degjenerimi brenda BDI-së ka nisur moti, edhe kulmoi me aferën e përgjimeve që u manifestua nëpër mediat elektronike.

“Edhe pse sipas meje nuk ishte e rregullt të dalin muhabete intime të politikanëve mirëpo kohezion i brendshëm është që moti. Dhe, ndodhi ky skenar i fundit, dalja nga Qeveria, vendim i liderit të BDI-së dhe klikës së tij. Me këtë gjest, Ali Ahmeti do ta tregojë besnikërinë deri në vdekje ndaj Nikolla Gruevski, sikur kryetari i një parti tjetër. Ai do t’i ikë përgjegjësisë, derisa ishte pjesë e qeverisë që i bëri shumë zullume popullatës në përgjithësi në Maqedoni. Ose, nuk përjashtohet mundësia të shkohet në Qeveri teknike që në mënyrë më korrekte të mund të organizohen zgjedhje kredibile, së bashku me zgjedhjet lokale”, deklaroi për Portalb Taravari.

Partia UNITETI vlerëson se vendimi i BDI-së për tërheqjen e përfaqësuesve të saj nga pushteti ekzekutiv dhe delegimin e të gjitha kompetencave ekzekutive Kryetarit të partisë është vetëm një truk parazgjedhor, në favor të vendimit të VMRO-DPMNE-së për të mbajtur zgjedhje sa më të shpejta edhe pse ndërkombëtarët dhe opozita kërkojnë që paraprakisht të plotësohen kushte për këtë.

“Edhe ky veprim i BDI-së tregon qartë se kjo parti e ka të domosdoshme zbatimin e vendimeve dhe politikave të partnerit të saj koalicionues, për shkak të funksionarëve të saj tanimë të hipotekuar në mënyra të ndryshme. Me këtë veprim ajo po mashtron opinionin se kinse po “shkëputet” nga VMRO-DPMNE-ja. UNITETI edhe një herë përsëritë vendimin e organeve të saj më të lartë se do ndjekë zhvillimet politike në vend dhe do të insistojë që sa më shpejtë të krijohen kushte që qytetarët në mënyrë plotësisht të lirë të votojnë për përfundimin e kësaj agonie si dhe për ndryshime pozitive në vendin tonë” deklaroi për Portalb Muhamed Ismaili, sekretari i përgjithshëm i Unitetit.

Lëvizja Besa ishte partia e parë që kishte reaguar pas vendimit të BDI-së për t’i tërhequr ministrat nga pushteti ekzekutiv.

Nga aty rikujtojnë se ashtu siç kishte paralajmëruar më parë Nikolla Gruevski, se Ali Ahmeti ia ka dhënë fjalën se do ta mbështesë që zgjedhjet të jenë më 5 qershor, ndonëse Ahmeti nuk është dëshmuar si mbajtës i premtimeve para shqiptarëve, kësaj radhe ai ia mbajti fjalën mikut të tij Gruevski.

“Me vendimin e mbrëmshëm të BDI-së, që ajo të tërhiqet nga Qeveria, kjo parti edhe një herë dëshmoi se në kohën kur në Maqedoni po thyhen shtizat ndërmjet agjendës amerikane për dekriminalizimin e politikës dhe për rikthimin e saj në rrugën e integrimeve euro-atlantike, kjo parti përsëri doli në mbrojtje të politikave antimaerikane. Akoma pa u pastruar lista zgjedhore, pa përfunduar reformat shumë të nevojshme në media dhe pikërisht kur filloi të veprojë Prokuroria Speciale, kjo parti po e braktis qeverisë, që kështu t’ia bëjë shërbimin e fundit VMRO-DPMNE-së dhe t’i mundësojë asaj të shpëtojë çka të mundet dhe t’i shpëtojë zyrtarët e saj që tashmë janë të vdekur politikisht. Të gjendur në këtë situatë, Lëvizja BESA e përsërit qëndrimin e saj të shprehur qysh vitin e kaluar, që sa më shpejt të ngrihet një qeveri ekspertësh me mandat për ta realizuar regjistrimin e popullsisë dhe për organizimin e zgjedhjeve. Në të kundërtën, nëse përfundimisht shpallen zgjedhje në këso kushte, Lëvizja BESA mund të bëjë thirrje për bojkot dhe ajo të mos marrë pjesë në ato zgjedhje ku legjitimohet manipulimi, ku rizgjidhen kriminelët dhe ku nëpërkëmbet vullneti demokratik i qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Partia për emancipimin e romëve shprehen se BDI nuk është për zgjedhje më 5 qershor. Bindje kjo që e ndan edhe Partia për emancipimin e romëve.

“PETR propozon qeveri ekspertësh dhe anulim të zgjedhjeve. Qeveria e ekspertëve duhet t’i përgatit zgjedhjet duke plotësuar të gjitha kushtet për zgjedhje fer dhe demokratike”.

Vendimi i BDI-së nuk është që të sigurojë zgjedhje më 5 qershor me çdo kusht”, kështu ka deklaruar për “Kapital”, kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, pas vendimit të mbrëmshëm të BDI-së që t’i tërheqë ministrat nga Qeveria e Maqedonisë.

“Është e kundërta, BDI kështu ka vendosur për shkak se nuk janë plotësuar kushtet për zgjedhje kredibile për më 5 qershor. Ky hap është në drejtim të formimit të qeverisë politike-eksperte e cila do t’i organizojë zgjedhjet. Kjo pres që të merr mbështetje nga të gjitha partitë në Kuvend, dhe t’i mbarojë reformat në gjyqësor, media dhe në fushat e tjera që të kemi zgjedhje fer dhe demokratike”, tha Trajanov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button