Sa vota kanë fituar kandidatët deri tani?

Kanë mbaruar votimet në 60% të shteteve, ku kanë votuar mbi 36 milionë amerikanë. Te demokratët Klinton ka 58% të votave, ndërsa te republikanët udhëheq Tramp me 37%.

Votimet e fundit. Gara për nominim të kandidatëve presidencialë amerikanë ka vazhduar të martën më 22 mars. Të dy partitë kanë votuar në dy shtete, Arizona dhe Juta, ndërsa demokratët kanë votuar edhe në Ajdaho.  Tanimë republikanët kanë votuar në 31 shtete, ndërsa demokratët në 28 shtete. Përkujtojmë se federata e SHBA-ve përbëhet nga 50 shtete. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e zgjedhjeve tanimë kanë përfunduar, por ngelet të votojnë disa shtete të mëdha si Nju Jorku dhe Kalifornia.

Në anën republikane Tramp ka fituar në Arizona, ndërsa Kruz ka korrur fitore të thellë në Juta ku ka marrë 69% të votave. Është për t’u shënuar se Kruz është kandidati i parë republikan që ka fituar mbi 50% të votave në një shtet, gjë që nuk i ka shkuar asnjëherë për dore Trampit.

Në anën demokrate Sanders ka fituar me përqindje të thella në Juta dhe Ajdaho (rreth 78%-22% në të dy shtetet), ndërsa Klinton ka fituar pa problem në Arizona me rezultat 58%-42%.

Votat totale te demokratët. Në anën demokrate ku në garë nga fillimi janë vetëm Klinton dhe Sanders, fituese e padiskutueshme është Klinton. Ajo ka fituar në 17 shtete, përderisa Sanders ka korrur fitore në 10. Në një shtet, Ajova, zyrtarisht ka fituar Klintoni, por rezultati i ngushtë bën që ky rezultat në media të trajtohet si barazim.

Në garat demokrate deri tani kanë votuar mbi 15 milionë votues. Me vota totale udhëheq Klinton e cila ka thuajse 9 milionë vota, apo rreth 58% të totalit. Sanders ndërkaq ka mbi 6,3 milionë vota , apo rreth 42% të totalit.

Vota total Vota %

sHillary-ClintonKlinton

8.907.556 58%

sBernie-SandersSanders

6.355.291 42%

 

Votat totale te republikanët. Në partinë republikane situata gjithsesi është më e komplikuar. Nga 30 shtetet ku është votuar deri tani, Tramp ka fituar 19 shtete. Pason Kruz me 9 fitore, një fitore ka Kasiç dhe një Rubio, i cili më nuk është në garë. Në Misuri ku rezultati mes Trampit dhe Kruzit është tepër i ngushtë, partia ende nuk ka shpallur fitues zyrtar.

Dallimi i parë që bie në sy mes dy partive është dalja shumë më e madhe te republikanët. Deri sot në zgjedhje kanë marrë pjesë mbi 21 milionë republikanë, pra 6 milionë më tepër se demokratët. Poashtu te republikanët nuk ka ndonjë lider të pastër. Megjithëse ka fituar më shumë shtete dhe ka mbledhur më shumë delegatë, Tramp ka marrë vetëm 37% të votave të republikanëve. Pason Kruz me 27%, pastaj Rubio me 17% dhe Kasiç me 13%. Kandidatët tjerë që u tërhoqën më herët nga gara kanë rreth 5% të votave të mbetura.

Fakt interesant në garën republikane është që asnjëri kandidat, madje as Tramp, nuk kishte arritur të fitojë shumicë të votave në asnjërin shtet. Të parit që i shkoi kjo për dore qe Kruzi i cili të martën në Juta ka fituar 69% të votave.

Vota total Vota %
sDonald-TrumpTramp 7.826.218 37%
sTed-CruzKruz 5.740.957 27%
sMarco-RubioRubio 3.466.887 17%
sJohn-KasichKasiç 2.808.714 13%
sBen-CarsonKarson 691.862 3%
sJeb-BushBush 254.022 1%
Tjerë 209.598 1%

 

Votat në total. Nëse i marrim zgjedhjet e të dy partive bashkë, deri tani në garat brendapartiake kanë votuar mbi 36 milionë amerikanë. Më shumë vota ka Klinton e cila ka 25% të totalit të të dy partive, pason Tramp me 22%, Sanders me 18% dhe Kruz me 16%. Gjithsesi në favor të Klintonit shkon fakti që te demokratët ka vetëm dy kandidatë, përderisa te republikanët një kohë në garë ishin 17 kandidatë, për të mbetur në fund vetëm tre.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button