Biblioteka “Klimenti i Ohrit – Shkup”, gjithçka në maqedonisht për të lexuar shqip! (FOTO+VIDEO)

Përkundër nevojës së studentëve shqiptarë, Biblioteka Universitare dhe Nacionale “Shën Klimenti i Ohrit – Shkup”, nuk e ka parë të arsyeshme që në këtë institucion të vendosë qendër informative në gjuhën shqipe në të cilën do të punësoheshin punonjës shqiptarë, të paktën studentët shqiptar gjatë regjistrimit të munden t’i mbushin formularët në gjuhën e tyre amë, apo ueb-portalin zyrtarë të bibliotekës ta bëjnë edhe në gjuhën shqipe krahas asaj të maqedonishtes dhe anglishtes edhe pse në bazë të Ligjit që rregullon çështjen e përdorimit të gjuhëve në Maqedoni, gjuha shqipe është e definuar si gjuhë zyrtare, raporton Portalb.mk.

Biblioteka "Shën Klimenti i Ohrit - Shkup"

“Gjithçka është në gjuhën maqedonase, as formularë as qendër informative nuk ka në gjuhë tjetër. Nevoja është mjaftë e madhe sepse ka shumë studentë shqiptarë, megjithatë deri më tani biblioteka nuk ka ofruar kurrfarë kushte për shqiptarët”, shprehet për Portalb, studenti i arkitekturës, njëkohësisht dhe lexues i rregullt në Bibliotekën “Shën Klimenti i Ohrit”, Ridvan Demiri.

Portalb ka tentuar disa herë të kontaktojë me përgjegjësit e bibliotekës, për të na informuar se sa shqiptarë janë të punësuar në këtë bibliotekë, dhe nëse ka, çfarë funksioni kryejnë, gjegjësisht në çfarë pozite janë ata; sa respektohet ligji për gjuhët, respektivisht gjuha shqipe nga ky institucion brenda funksionimit të tij dhe a ka qendër informative në të cilën studentët shqiptar do të mundeshin të informohen në gjuhën e tyre amë. Megjithatë, edhe pas shumë telefonatave dhe mailave të dërguara deri te Biblioteka Universitare dhe Nacionale “Shën Klimenti i Ohrit” dhe drejtori i saj, përgjigjet për këto pyetje deri më tani nuk i morëm.

Në lidhje me punësimin e kuadrove shqiptar nëpër institucionet shtetërore, siç është rasti me bibliotekën në fjalë, profesoresha universitare e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Ajtene Qamili, vlerëson se shqiptarët janë të përjashtuar jo vetëm në Bibliotekën nacionale “Shën Klimenti i Ohrit”, por në shumicën e institucioneve më të larta shtetërore dhe akademike, si në kabinetin e presidentit, në Akademinë e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë, në administratën e Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, në Institutin Nacional të Historisë dhe në shumë institucione të tjera të rëndësishme, ku mund të ketë një, dy apo asnjë shqiptar.

Biblioteka "Shën Klimenti i Ohrit - Shkup"
Biblioteka “Shën Klimenti i Ohrit – Shkup”

“Edhe pse përfaqësimi i shqiptarëve në disa institucione dukshëm është rritur, në disa të tjera ka pasur batica dhe zbatica, gjithsesi mund të përfundohet se punësimet e shqiptarëve në kuadër të projekteve të Marrëveshjes së Ohrit për përfaqësimin e shqiptarëve në institucione ende është larg nivelit të parashtruar. Kjo gjendje shqetëson dhe acaron qytetarin akademik, por edhe popullatën shqiptare në përgjithësi. Prandaj, përpjekjet e instancave përkatëse dhe përgjegjëse për këto punë, duhet të jenë më të mëdha, ata duhet të jenë më të zëshëm dhe më këmbëngulës për t’i arritur qëllimet e tyre, sepse çdo vonesë apo anashkalim sjell pasoja dhe dëme të rënda, edhe pse në pamje të parë mund të mos duken aq serioze”, thotë për Portalb, Ajtene Qamili.

Për mosrespektimin e gjuhës shqipe në bibliotekën “Shën Klimenti i Ohrit”, Unioni Studentor Shqiptar, vlerëson se koalicioni shqiptar në pushtet, nuk ka ndërmarrë masa për zbatimin e saj, duke shtuar se pozita aktuale e studentëve shqiptarë është rezultat i politikës së partisë shqiptarë në pushtet.

Biblioteka "Shën Klimenti i Ohrit - Shkup"
Biblioteka “Shën Klimenti i Ohrit – Shkup”

“Unioni Studentor Shqiptar vazhdimisht ka përmendur padrejtësitë dhe diskriminimin që ju bëhet studentëve shqiptarë. Gjithmonë me kushte të veçanta nga ato normalet, gjithmonë me mungesa të kuadrove dhe mbyllje të drejtimeve e ndër ato edhe me mungesë të gjuhës te burimet e diturisë siç janë bibliotekat. Gjuha shqipe, është e pasur dhe unike në botë, mirëpo ne shqiptarët jemi të vetmit që nuk ia njohim vlerat asaj, këtë e themi nga iritimi që krijohet te ne si studentë sepse koalicioni shqiptar në pushtet nuk ndërmerr masa në këtë drejtim dhe vazhdon të merret me degradimin e studentit shqiptar. Përkundër kërkesave të studentëve që në Bibliotekën Shën Klimenti Ohrit të merren masa për përdorimin e gjuhës shqipe, përsëri studentët hasin në injorim të kërkesave nga arsyetimet nga me të ndryshmet. Unioni Studentor Shqiptar apelon që Biblioteka Shën Kliment Ohrit të respektojë ligjin dhe gjuha shqipe të përdoret nga studentët shqiptarë të cilët kanë nevojë për zhvillimin e tyre”, thonë nga Unioni Studentor Shqiptar.

Lexo: Për universitetin “Kirili dhe Metodi” shqiptarët janë të “padukshëm”

“Sikur të ishte vetëm çështja e gjuhës shqipe problem”

Në përgjithsi, studentët në këtë bibliotekë gjithashtu ankohen se, po përballem edhe me probleme të tjera të natyrave të ndryshme. Studenti, Ridvan Demiri shpjegon për Portalb se para 3 muajve, ai bashkë me disa studentë kanë nënshkruar një peticion lidhur me të drejtat e lexuesve anëtarë të kësaj biblioteke. Ndër të tjerash në peticionin janë përfshirë disa pika lidhur me mirëmbajtja higjienës në nevojtore, korridore dhe sallat e leximit; mungesën e ndriçimit, mungesën e prizave në sallën e madhe të leximit, zgjatjen e orari të punës së bibliotekës si dhe për sjelljen e keqe të disa prej punonjësve të bibliotekës.

Edhe pse rregullorja e bibliotekës e lejon të mbahen manifestime të ndryshme brenda objektit të bibliotekës, studentët për Portalb thonë se nuk është praktikë e mirë të shkaktohet zhurmë, ashtu siç mund të shihet edhe në video, sepse fundja është vend-leximi ku në çdo skutë shkruhet “qetësi”.

Për peticionin në fjalë janë përgjigjur nga biblioteka, megjithatë siç thotë Demiri, deri më tani mjaft pak është realizuar nga ajo që është kërkuar. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button