Lëvizja Besa akuzon Komunën e Haraçinës për papastërti, Ajvazi mohon (FOTO)

“Qytetarët e Komunës së Haraçinës, përpos mungesës të ujit të pijshëm dhe kanalizimit, po ballafaqohen edhe me menaxhimin e mbeturinave, që janë kushti elementar për mirëmbajtjen e higjienës. Shtëpitë e qytetarëve në këtë komunë tashmë po shndërrohen në deponi, ngase mbeturinat nuk mblidhen nga askush prej më shumë se 6 muaj. Në këtë gjendje alarmante Komuna e Haraçinës, e cila numëron mbi 3.000 shtëpi dhe ka mbi 15.000 banorë, qëndron para një katastrofe ekologjike, ku brenda ditës në këtë komunë prodhohen mbi 15 tonë mbeturina, duke llogaritur 5 kg në çdo shtëpi”, me këto fjalë Lëvizja Besa e ka akuzuar Komunën e Haraçinës.

Foto e siguruar nga Lëvizja Besa
Foto e siguruar nga Lëvizja Besa

Portalb ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazin i cili tha se e kanë pastruar, por tani për tani ndërmarrja që është marrë me pastrimin e mbeturinave është në pauzë dhe se janë në proces e sipër për nënshkrimin e marrëveshjes me një ndërmarrje të re nuk iu kujtonte emri.

“S’është e vërtetë që s’është pastruar, ne kemi 2,3 rojtarë që vazhdimisht janë në atë vend, mbeturina mund të bëhen ngado megjithatë s’e di ku e kanë bë atë fotografi, çfarë kanë bërë. Ndërmarrja për pastrimin e komunës që ka funksionuar në të kaluarën për momentin është në pushim, ne kemi angazhuar ndërmarrje private, kemi vendos roje dhe rrugën e kemi rregulluar që mbeturinat të hidhen në një vend të caktuar”, tha për Portalb Ajvazi.

Lëvizja Besa akuzoi se në mënyrë të pakontrolluar mbeturina hidhen në pika kritike, siç është rruga magjistralja Shkup-Kumanovë, rruga për f. Orllancë, nëpër përroska, si dhe në fushën e Haraçinës, gjë që drejtpërdrejt e rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe shkaktonin helmimin e të mbjellave.

Foto e siguruar nga Lëvizja Besa
Foto e siguruar nga Lëvizja Besa

Ajvazi ka hedhur poshtë akuzat e Besës duke vlerësuar se në çdo vend hidhen mbeturina nga njerëz të papërgjegjshëm, aq më shumë në rrugët regjionale siç është rasti me atë që e lidhë Shkupin me Kumanovën.

“Sa i përket magjistrales Shkup-Kumanovë, ajo është rrugë regjionale që i lidh dy qytete dhe sigurisht se ka njerëz të s’janë të ndërgjegjshëm dhe gjuajnë mbeturina”, shprehet Ajvazi.

Foto e siguruar nga Lëvizja Besa
Foto e siguruar nga Lëvizja Besa

Besa shton se një pjesë e mbeturinave digjet në vende publike, madje edhe pranë shkollave fillore, ku nxënësit e thithin ajrin e ndotur nga djegia e tyre.

“Këtu është fshat dhe mbeturinat që i mbledhin nga pastrimi i kopshteve sigurisht se i djegin, bëhet fjalë për gjethe dhe barëra të ndryshëm”, arsyetohet Ajvazi për Portalb.

Përndryshe, ndërmarrja e ujësjellësit dhe ndërmarrja komunale në Komunën e Haraçinës funksionojnë ndaras. Për këtë, ndërmarrja e re duhet të nënshkruaj marrëveshje me banorët e Haraçinës, gjegjësisht çdo shtëpi do të duhet të paguaj një shumë të caktuar për pastrimin e mbeturinave.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button