20 votat e LSI-së pro mbylljes së reformës në drejtësi

Kryparlamentari i Shqipërisë,  Ilir Meta është shprehur dje nga Kryesia e Kuvendit se LSI nuk përjashton asnjë instrument bashkëpunimi, duke rikonfirmuar gjithashtu se 20 votat e LSI-së do të jenë për reformën në drejtësi, sipas rekomandimeve të Venecias. Kryeparlamentari, sugjeroi edhe një herë që politika t’i drejtohet ekspertëve të EURALIUS dhe OPDAT për pikat e padakordësuara. Një ditë pas miratimit final nga Komisioni i Venecias të paketës së reformës në drejtësi, kreu i kuvendit Ilir Meta është treguar fleksibël, duke mos e përjashtuar takimin e aktorëve të lartë të politikës.

“LSI-ja ka qenë dhe është angazhuar për një klimë sa më konstruktive, sa më bashkëpunuese, sa më racionale dhe do të vazhdojë të luajë këtë rol pa u lodhur me durim, me qetësi dhe me qartësi. Nuk ka në filozofinë e LSI-së asnjë formë dhe praktikë përjashtuese. Përkundrazi, ka vetëm një filozofi bashkëpunuese”, tha Meta.

I pyetur nëse në takimet me aleatin e tij Edi Rama kishte biseduar për një format të tillë dialogu, Meta nuk dha një përgjigje. Megjithatë, kryeparlamentari nuk la asnjë mëdyshje, se votat e LSI do të jenë pro reformës, duke përsëritur se për forcën e tij, nuk ka asnjë plan B që përjashton edhe votat e PD-së, për reformën konsenuale. “Qëndrimi ynë final është ky: të 20 votat e LSI-së do të jenë në mbështetje të standardeve që ka rekomanduar Komisioni i Venecias dhe rekomandimeve apo interpretimeve të bëra nga EURALIUS-i dhe nga OPDAT-i”, tha kreu i Kuvendit.

Kryeparlamentari Ilir Meta, në mënyrë të përsëritur, ka kërkuar që klasa politike t’u drejtohet ekspertëve të Euralius-it dhe OPDAT-it për pikat e padakordësuara për reformën në drejtësi, duke apeluar që të mos humbet kohë, pasi pengohet hapja e negociatave për anëtarësimin në BE. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta bën thirrje për një lexim objektiv dhe të paanshëm të rekomandimeve të Venecias me qëllim që në fund të marsit, kur Tiranë ta vizitojë komisioneri Hahn, të jetë arritur në një draft final.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili e shikon datën 30 mars si kohën më volitshme për arritjen e dakordësisë mes maxhorancën dhe opozitës për reformën në drejtësi. “Reforma është mirë të dakordësohet deri në 30 mars kur vjen edhe komisioneri Hahn. Do të ndikonte te rekomandimi”, deklaroi Vasili. Ai shtoi se palët nuk duhet të humbasin kohë. “Ta përdorim intensivisht këtë kohë me negociata”, tha ai. Vasili vlerësoi se Komisioni i Venecias u impenjua si në asnjë rast tjetër për të dhënë përgjigje të shpejta, që janë shteruese. Sipas deputetit të LSI-së, tanimë ka një minimum çështjesh të paqarta dhe se maxhoranca dhe opozita do të përafrojnë qëndrimet, shkruan Shekulli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button