Mustafa: Sinjale për fuqizimin e brand-it “Made in Kosova”

Kryeministri Isa Mustafa po sheh sinjale për fuqizimin e brand-it “Made in Kosova”. Sipas tij, të dhënat zyrtare tregojnë se eksporti i prodhimeve bujqësore është rritur në vitin 2015 rreth 6%, ose në total ka arritur në 41.6 milionë euro.

Edhe statistikat e muajve të parë të këtij viti, ka thënë ai, tregojnë për një ekspansion të eksportit të prodhimeve vendore, respektivisht atyre bujqësore dhe agropërpunuese.

“Më gëzon fakti se krahas fuqizimit të eksportit, është rritur dukshëm edhe konsumi vendor i prodhimeve bujqësore. Këto të dhëna janë fakte fundamentale se politikat tona ekonomike, sidomos ato fiskale dhe të agrobiznesit po japin rezultate të matshme. Vitin e kaluar ne i përkrahëm fermerët dhe agrobizneset me 43 milionë euro, ndërsa sivjet kjo shumë do të jetë më e madhe”, shkruan Mustafa në Facebook.

Ai shton se, Ministria e Bujqësisë parasheh që vitin e kaluar të janë krijuar mbi 2000 vende të reja pune në këtë sektor, ndërsa sivjet numri i vendeve të punës të krijuara do të rritet edhe më shumë.

“Nëse ia shtojmë kësaj edhe përfitimet që kanë pasur ekonomitë familjare nga kultivimi dhe shitja e prodhimeve të tyre, atëherë rezulton se numri i vendeve të punës që janë krijuar dhe që do të krijohen, është dukshëm më i madh. Duke u bazuar në këto të arritura, Qeveria do të vazhdojë ta mbajë lart në agjendën e saj bujqësinë dhe agropërpunimin, si sektorë me perspektivë për fuqizimin e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, vijon kryeministri Mustafa.

Muajin e ardhshëm do të hyjë në fuqi edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), e cila, sipas Mustafës, hapë mundësi të mëdha për prodhuesit kosovarë.

“Prodhimet ‘Made in Kosova’ do të depërtojnë pa asnjë kufizim në një treg mbi 508 milionë konsumatorë të Bashkimit Evropian dhe do të krijohen mundësi të mëdha partneriteti dhe inkurajim të investimeve. Do të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet shtetëror dhe institucional për të qenë në shërbim të prodhuesve kosovarë, për të rritur prodhimtarinë e tyre, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Bujqit dhe agropërpunuesit, me përkushtimin e tyre, kanë rritur konsumin e brendshëm dhe eksportin, duke dëshmuar se nga toka e Kosovës burojnë prodhime cilësore dhe konkurrente për tregje ndërkombëtare”, shprehet Isa Mustafa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button