Opozita kosovare ende pa vendim të përbashkët

Derisa Lëvizja Vetëvendosje deklaron se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët të Opozitës për veprimet e mëtutjeshme të deputetëve opozitarë dhe po diskutohen opsionet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë e ka ndarë mendjen.

“Mund të them se sa i përket AAK-së, kjo çështje është e vendosur. Deputetët tanë refuzojnë të marrin pjesë në një Kuvend, ku ata nuk mund ta ushtrojnë mandatin në përputhje me Kushtetutën, ose edhe më keq, as në përputhje me dinjitetin njerëzor të deputetit”, ka thënë për Klan Kosovën anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj.

Madje Nitaj tha se “AAK ka marrë orientim për t’u distancuar nga Kuvendi, ditë më parë”.

Por, Adonis Tahiri, zyrtar për media i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se deklarimet e tanishme në media janë vetëm ide që diskutohen nga partitë veç e veç, sepse një vendim final dhe i përbashkët nuk është marrë.

“Ka shumë ide që po diskutohen brenda secilit subjekt, ide këto për aktivitetet e përbashkëta para protestës së 26 marsit, si dhe për aktivitetet e protestat e ardhshme edhe pas saj. Sapo të kemi një qëndrim të përbashkët si opozitë e bashkuar, do ta bëjmë publik”, ka thënë Tahiri për Klan Kosova.

Ai pohoi se bisedimet mes tri partive opozitare janë në vazhdim e sipër.

“Jemi në diskutim të vazhdueshëm për format e veprimit dhe për mënyrën se si të arrijmë sa më parë tek qëllimet e lartpërmendura”.

Por, për AAK-në, sipas përgjigjeve të Nitajt, sa i përket mospjesëmarrjes në seanca diskutimet s’kanë përse të vazhdojnë më.

“Ata (deputetët) dje e kanë bërë hapin e parë konkret duke dalur nga Kuvendi, ku ka pasur edhe një fjalim përshëndetës, në emër të tri partive nga deputeti Ismail Kurteshi, dhe ne e kemi konsideruar si dalje të përbashkët nga Kuvendi”, ka thënë Nitaj.

Megjithatë për një përçarje mes Opozitës, sipas Tahirit të LVV-së, nuk mund të bëhet fjalë.

“E vetmja gjë për të cilën nuk diskutohet, është vazhdimi i përbashkët në rrugën tonë të drejtë deri në largimin e kësaj Qeverie”, ka thënë ai.

Partia tjetër e Opozitës së Bashkuar, Nisma për Kosovën, ende nuk ka dalë me një vendim për këtë çështje. Zyrtarët e kësaj partie nuk kanë shprehur publikisht qëndrimin e tyre.

Nitaj i AAK-së tha se nuk është në dijeni “nëse Vetëvendosje, apo Nisma, kanë një tjetër qëndrim për këtë çështje”.

Deklarimet jo të njëjta të zyrtarëve nga tri partitë e Opozitës së Bashkuar, i kanë komentuar edhe analistët.

Sociologu dhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, veprimet dhe deklarimet e shkordinuara të opozitarëve i ka parë si fillim çarjeje mes tyre.

“Sot pati një ndryshim evident në pozicionin e opozitës”, ka thënë Muhaxhiri në Zona e Debatit në Klan Kosova. “Ekzistuan dy, apo tre katër elemente që manifestuan këtë ndryshim. Mungesa e unitetit të tre faktorëve opozitarë; ishte Ramush Haradinaj që mori një hap radikal që AAK-ja të largohet nga Kuvendi, mirëpo nuk pati një qëndrim zyrtar të Vetëvendosjes. Po ashtu edhe për gazin lotsjellës, deklarata nga NISMA dhe zyrtarë të tjerë që më nuk do vazhdohet me këtë metodë, por Vetëvendosja prapë vazhdoi”.

“Janë këto dy – tri elemente që tregojnë një fillim të çarjes në mes tri partive opozitare”, pohoi Muhaxhiri.

Megjithatë Opozita mbetet e bashkuar kur bëhet fjalë për organizimin e protestës së ardhshme.

Ajo pritet të mbahet me 26 mars.

“Po konsolidohemi në terren dhe Opozita po punon vazhdimisht për protestën”, ka thënë Adonis Tahiri nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button