DIALOG ME VETVETEN

Thonë se kur Zoti i ndau fatet, krijuesve ua fali qiellin. Po punën e qiellit nuk duhet kuptuar vetëm si privilegj. I ngjitur atje lart në parajsën qiellore, ku bëjnë sefa perënditë, njeriu ballafaqohet pashmangshëm me rreziqet e Prometeut dhe njëkohësisht me gërditë e kësobotshme dhe mjerimin e racës së vet. Është kjo një komedi hyjnore me rrathët në qiell, ku krijuesit luftojnë me demonët e gjithllojshëm. Sa më lart të ngjiten, aq më i madh është tagri që duhet t’i paguajnë pasionit të tyre. Dritaret e reja që hapen para syve të krijuesit, më së shpeshti shpalojnë imazhe xhehenemësh, që ia bëjnë jetën gazep, ndaj duket sikur lumturia njerëzore dhe mrekullitë e jetës u takojnë të tjerëve, njerëzve të rëndomtë.

Fundja, Zoti i fali krijuesit qiellin vetëm përkohësisht. Këtë moment më së miri e ka kapur Bodleri në Albatrosin e tij, i cili është mbret i qiellit vetëm kur shpalon krahët dhe fluturon atje lart, ndërkaq, posa zbret në kuvertë shndërrohet në krijesë të pafuqishme mbi kurrizin e së cilës ndërsehen fyerjet dhe këlbazat e botës… I tillë është fati i krijuesit. Njerëzit e dinë se ai ka privilegjin të ngjitet në qiell, po askush s’e di ç’përjeton atje, askush s’e njeh pjesën tokësore të fatit të tij, kur detyrohet të zbresë poshtë dhe të zhagitet baltrave, të mllaçisë përditshmërinë e gërditshme gjer n’ekstrem. Prandaj, ndoshta është më e drejtë të themi se Zoti caktoi për krijuesit fatin e Sizifit…

*

Ku ta dijë njeriu? Ndoshta shkrimi është më shumë mallkim hyjnor se sa dhunti hyjnore. Veçmas kur është në pyetje krijuesi shqiptar, mallkimi i të cilit është në proporcione të pajtueshme me shkallën e popullaritetit dhe famës së tij. Shikoni si sillemi me Kadarenë, me më të madhin artist tonin. Duam ta zhbëjmë nga faqja e dheut, në emër të mendimit të lirë dhe kosmopolitizmit, të cilit i zënë besë skrrajat e shiut dhe çafkat pa tru, sepse propagandohet vetëm prej qyravecësh dhe iftiaçlinjshë të donatorëve të jashtëm… Për hulubakët Kadareja është plesht prej artisti. Çka se bota përkulet para artit kadarean? Zullutë s’i njohin zotrat. Ata vetëm kur pështyjnë kulmet pështyjnë me tamam… Gërvalljet për linçin e kuotave shqiptare synojnë përmirësimin e gabimeve të një sistemi që la gjallë e për “bela” krijuesit që prishin përjetësisht notën mesatare të pleshtave kulturorë dhe eruditëve në paterica, të cilët mund ta shesin gjoksin vetëm n’allaje joletrare dhe mese të diskriminuara ku shpirti shqiptar edhe sot e tërë ditën vazhdon të rritet me dozat që ia caktojnë të tjerët.

*

Eskili thoshte se s’ka njeri që mund të ikë nga fati i tij. Prandaj nuk kam mundur të ikë as unë dhe jam pajtuar të jetojë në paqe të plotë me fatin dhe fatkeqësitë e mia. Dhe, po t’më jepej jeta për së dyti, ndoshta do ndryshoja vetëm ndonjë detaj të saj, duke mos prekur në veçanti dështimet dhe dhembjet që e bëjnë njeriun ta jetojë jetën pa pretenduar të ndërhyjë në pjesët që nuk i takojnë…

*

A do ta kisha zgjedhur letërsinë po t’më jepej jeta për së dyti? Ndoshta jo, sepse kam bindjen se letërsisë i takon privilegji t’i zgjedhë të dashurit e saj – ata që do ta kenë atë pasion jete, pavarësisht se mund të jenë vetëm konsumues të thesareve letrare të shkruara prej të tjerëve, apo si puna ime, që shkruaj për qejfin tim dhe kur më teket, që shkruaj për t’i ikur realitetit, për t’i dalë zot lirisë sime të rrezikuar gjithanshëm.

Kjo është arsyeja përse, që në shkrimet e mia të para, ambientet e portretuara janë copëza xhehenemi ku banon morali i dyfishtë, kriza e vetëdijes, maskat mbi fytyrën e mjerimit njerëzor, kravatat farfuritëse, qeniet që lidhin kokën me marhama mos t’u rrjedhë teprica e mendjes, xhambastuxharët që manipulojnë me grigjën…, por edhe Sokratustra si zëri i të vetmuarve në shkretëtirë.

Kjo është arsyeja përse më preokupojnë njollat e zeza dhe tersllëqet e kosmosit shqiptar. Disa i pëlqejnë shkrimet e mia, po s’janë të paktë as ata që më qortojnë për gjuhën e ashpër e të vrazhdë. Unë, ndërkaq, as marr mësysh nga të parët, as u hidhërohem të dytëve. Thjesht: nuk mund të ikë nga kodet e mia të shkrimit, që nuk e parapëlqejnë gudulisjen e llofkës me lule. Bota ka tejkaluar kahmot konceptin e midelinjve që nuk e durojnë një kategori fjalësh në shkrime letrare e publicistike. Përpjekja për t’i “teleisur” fenomenet dhe vakitë e përzhagura nëpër shekuj, s’është tjetër pos meskinllëk. Nëse këtë nuk e ka bërë Konica me shokë përpara një shekulli, ç’arsye do kishim ne që t’i kthehemi kultivimit të hatrit dhe bontonit të rremë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button